Të enjten, në orët e paraditës, qëkur ka rënë blloku B1 nga prodhimi (sipas njoftimit të KEK-ut, njësia B1 në TC Kosova B ka ndërprerë aktivitetin të enjten, në orën 11:08 për shkak të një mungese të tensionit komandues në zbarën OBM) dhe deri te rikthimi i kësaj njësie në prodhim (sinkronizimi me rrjetin është bërë në orën 15:14, sipas KEK-ut), Kosova ka pasur për disa orë së paku minus 260 megavatë-orë (sa është kapaciteti i B1-shit), që domosdo është kompenzuar nga importi.
Buletini Ekonomik
Të enjten (7 nëntor 2024), si rrjedhojë e rënies nga prodhimi të njërit bllok të termocentraleve Kosova B (B1-shit) për disa orë, situata elektroenergjetike në Kosovë ishte e ç’ekuilibruar ndjeshëm dhe larg gjendjes normale.
Megjithë tendencat për të minimizuar problemin nga ana e zyrtarëve të KEK-ut, dhe në anën tjetër, për ta “fryrë” krizën e mungesës së rrymës, të shkaktuar nga rënia e B1-shit (260 megavatë/orë është kapaciteti i këtij blloku), nga ana e zyrtarëve të KEDS-it dje është importuar sasi jo e paktë e energjisë elektrike për nevojat e konumit të Republikës sonë. Importi i të enjtes, sipas autoriteteve të KEDS-it ka qenë 1,5 milionë euro.
Në KEK, nuk deklarohen haptaz dhe për publikun rreth sasisë së munguar të energjisë elektrike gjatë orëve sa ka qenë jashtë prodhimit B1-shi, por në biseda jo formale thonë se të dhënat e KEDS-it për import të energjisë elektrike gjatë të enjtës janë të zmadhuara.
Sidoqoftë, të enjten, në orët e paraditës, qëkur ka rënë blloku B1 nga prodhimi (sipas njoftimit të KEK-ut, njësia B1 në TC Kosova B ka ndërprerë aktivitetin të enjten, në orën 11:08 për shkak të një mungese të tensionit komandues në zbarën OBM) dhe deri te rikthimi i kësaj njësie në prodhim (sinkronizimi me rrjetin është bërë në orën 15:14, sipas KEK-ut), Kosova ka pasur për disa orë së paku minus 260 megavatë-orë (sa është kapaciteti i B1-shit), që domosdo është kompenzuar nga importi.
Në njoftimin e Shërbimit për Informim të KEK-ut, thuhet se pas rënies së B1-shit “është bërë ndërhyrje e shpejtë e stafit të TV-Kosova B, dhe si rezultat i intervenimeve të punonjësve të Kosovës B, janë realizuar sanimet e nevojshme brenda kohës optimale, që do të thotë është rikthyer në operim dhe është realizuar sinkronizimi me rrjetin në orën 15:14 (gjithnjë bëhet fjalë për të enjten).
Kurse sot, është gjendje tërësisht tjetër elektroenergjetike në vend. Në procesin e prodhimit janë katër blloqe të dy termocentraleve (Kosovës B dhe Kosovës A), ose më konkretisht B1, B2 dhe A4 e A5, të cilat bashkarisht prodhojnë diku të 780 megavatë-orë energji elektrike. Saktësisht Kosova B me të dy blloqet ka kapacitetin 520 megavatë-orë, ose secili bllok nga 260 megavatë dhe Kosova A me blloqet A4 dhe A5 të aktivizuara prodhon diku rreth 260 megavatë, ose se cili bllok i Kosovës A nga 130 megavatë.
Kjo sasi, plus dhjetra megavatë të rrymës prodhohen nga kapacitetet modeste të energjisë së rinovueshme (parku i energjisë me erë në Shalë të Bajgorës dhe ai në Kitkë të Kamenicës dhe një sasi fare e vogël nga minihidrocentralet ekzistuese në disa rrjedha të lumenjve në Kosovë), që është diku 800-850 megavatë-orë, siguron njëfarë stabiliteti energjetik në konsumin, qoftë edhe paksa të rritur me ardhjen e ditëve më të ftohta.
Konsumi i energjisë elektrike në Kosovë, edhe pse ende nuk ka të reshura dhe të ftohtit paraqitet vetëm në orët e natës, realisht është rritur. Siç ka njoftuar zëdhënësi i KEDS-it të enjten, shpenzimi i rrymës në konsumin e Kosovës ka arritur në 930 megavatë-orë, që është sasi shumë e lartë dhe që përtej mundësive të prodhimit që kanë termocentralet e stërvjetruara të vendit. Gjithsesi, gjatë periudhës së dimrit, kur do të ketë më shumë të ftohtë dhe ditë më të shumta të acarta, konsumi do rritet edhe më tej, prandaj Kosova nuk ka shumë zgjidhje për të siguruar energji elektrike në pajtim me kërkesat dimërore.
Për shkak të thatësissë së madhe në muajt e verës dhe deri tani, edhe gjendja e rezervave të ujit në liqenet akumuluese të Kaskadës së Drinit në Shqipëri nuk është edhe aq e favorshme dhe nuk jep shumë shpresa se do të huazojmë sasi më të madhe të energjisë nga KESH-i gjatë muajve të dimrit. Alternativa të vetme, praktikisht mbeten importi i domosdoshëm dhe kursimi i energjisë elektrike kudo që të ketë mundësi dhe nga të gjithë konsumatorët, sidomos ata të amvisërisë. /Buletini Ekonomik/