Tregtarët, në tregjet e gjelbra të kryeqytetit, sidomos, tashmë e kanë bërë rregull që në çdo prag feste, të ngritin egërsisht çmimet e produkteve bujqësore (të pemëve dhe perimeve).
Buletini Ekonomik
Ardhjen e festave, çfaredo qofshin ato, shtetërore apo kombëtare, ka vite që në Kosovë “më së miri” e paralajmërojnë tregtarët e tregjeve të gjelbra. Ata, tashmë e kanë bërë rregull që në çdo prag feste të ngritin egërsisht çmimet e produkteve bujqësore (të pemëve dhe perimeve), dhe kjo rritje, nëse refuzohet nga konsumtorët, i rikthen çmimet në nivelin e parangritjes, por nëse pranohen edhe heshtazi çmimet e ngritura në prag të festave nga blerësit, ato vazhdojnë të mbesin të ngritura.
Edhe në prag të Festës së Flamurit, tregtarët në tregjet e gjelbra të kryeqytetit kanë ngritur çmimet ndjeshëm te disa produkte bujqësore, sidomos të pemëve dhe perimeve që këtyre ditëve ishin më të kërkuara dhe të atyre që, siç vlerësojnë tregtarët, ofertohen me shumicë para dhe gjatë festave. Janë ngritur çmimet e shumicës së perimeve dhe të pemëve. Bien në sy, në veçanti, çmimi i ngritur i mandarinës, e cila deri në prag të Festës së Flamurit tregtohet me 70 e 80 centë, ndërsa të martën në të gjitha shtandet e tregjeve të gjelbra të Prishtinës, çmimi i një kilogrami të kësaj peme, që tani e ka edhe sezonin edhe kohën e konsumit, kishte shkuar në 1 euro.
Në minimarkete dhe supermarkete, në disa sosh, kanë aplikuar të ashtuquajturin “aksion”, dhe mandarina tregtohet edhe me 69 dhe 79 centë, ndërsa ku nuk ka çmim “aksion”, një kilogram mandarina shitet edhe përtej 1 euro.
Të martën me çmime të ngritura janë tregtuar edhe shumë perime të tjera, sidomos domatja dhe speci, por edhe patatja, lakra, karrota e kështu me radhë. Një kilogram i specave djegës, të importuar nga Greqia, siç thonë tregtarët, kishte çmimin 2,5 euro, për dallim me dy – tre ditë më parë, kur i njëjti produkt shitej me 170 dhe 2 euro.
Domatet kishin çmimin 1,70 deri në dy euro e përtej, lakra e cilësuar “për sallatë” shitej me 1,5 euro për një copë, kurse karrota – 1 euro kilogrami.
Ndërkohë, mollat vendore, të imponuara për nga pamja dhe cilësia, tregtoheshin në tregjet e gjelbra nga 80 centë për një kilogram, ndërsa në minimarkete dhe në shitoret e specializuara 1 euro dhe përtej. Duhet thënë se këto ditë edhe pse jemi fare pranë stinës së dimrit, tregjet tona të gjelbra karakterizohen me furnizim mbresëlënës me produkte bujqësore, sidomos me perime dhe pemë nga importi, pos mollëve që janë nga pemëtarët vendas, por që tregtohen nga stërshitës të ndryshëm. /Buletini Ekonomik/