GLPS: 89 kontrata të negociuara janë lidhur gjatë 2023-së nga ministritë

89 kontrata të negociuara janë lidhur gjatë vitit 2023-të nga shumica e ministrive në Kosovë. Kështu është bërë e ditur nga një vlerësim i bërë nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Instituti GAP dhe Instituti për Politika Zhvillimore.

Ema Pula nga GLPS tha se vetëm kontratat e negociuara  nga Ministria e Punëve të Brendshme kapin vlerën e 15 milionë eurove.

“Kanë qenë gjithsej 89 kontrata të tilla gjatë vitit 2023, 9 për furnizim,  50 për punë dhe 30 për shërbime. Katër ministri kanë numrin më të madh të kontratave të negociuara, përfshirë këtu atë të Kulturës, Financave, Infrastrukturës dhe atë të Arsimit. Për nga vlera më e madhe prinë ajo e Ministrisë së Punëve të Brendshme me 15 milionë euro, pastaj ato të Mbrojtjes dhe Shëndetësisë me rreth 2 milionë euro”, shtoi ajo.

Reklama e sponzorizuar

Pula tha se problem ka qenë mungesa e dokumentacionit të plotë.

“Kjo formë e prokurimit publik kërkon një qasje më të kujdesshme dhe më të dokumentuar mirë.  Vlerësimi është bërë duke u bazuar në Ligjin për Prokurimin Publik. Një problem ka qenë mungesa e dokumentacionit të plotë në disa dosje të tenderëve”, shtoi ajo.