Lansohet projekti për dixhitalizim të fiskalizimit në Kosovë

Është lansuar sot projekti për dixhitalizimin e sistemit fiskal në Kosovë. Ky projekt ka për synim që arkat fiskale në formatin hardwerik të cilat i përdorin aktualisht bizneset në Kosovë, të shndërrohen në arka digjitale apo softwerike përmes një aplikacioni të digjitalizimit të gjithë sistemit.

Projektin në fjalë e prezantoi ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati së bashku me Drejtorin e Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezajn, në praninë e përfaqësuesit të UNDP-së për Kosovë, Nuno Querios dhe ekipit punues të platformës digjitale.

Ministri Murati gjatë prezantimit tha se ky projekt është shumë i rëndësishëm dhe revolucionar duke u bazuar në atë se çfarë pretendohet të arrihet. Sipas tij, synimi është që përmes dixhitalizimit të fiskalizimit, të bëhet kapërcimi i radhës sa i përket teknologjisë, por edhe formalizimit të ekonomisë në vend.

Reklama e sponzorizuar

“Synimi ynë ka qenë që arkat fiskale që ekzistojnë në formatin Hardwer, të shndërrohen në arka digjitale apo softwerike, përmes digjitalizimit dhe kësisoj të mundësohet përdorimi i atij softveri, ose atij sistemi në platforma të ndryshme, pa qenë të kufizuar për një platformë specifike, pasi siç e dijmë ka pasur probleme të veta, duke filluar nga mungesa e opsioneve për zgjedhje e deri te praktikat grabitçare që janë përdorur, duke shfrytëzuar pozicionin negociues operatorët e arkave fiskale karshi bizneseve”, tha ai.

Murati gjatë fjalës së tij, potencoi se ideja e këtij projekti është që të krijohet një trenkëndësh, ku në maje të trekëndëshit do të jetë sistemi digjital i fiskalizimit i cili do të jetë në mbikëqyrje të ATK-së, kurse dy pikat tjera janë si pika të shitjes, ku në njërën mund të kyçet softveri i shitjes dhe të dërgojë informata në kohë reale sipas protokollit të përcaktuar në ATK, kurse pika tjetër do të jetë pika e konsumatorit apo blerësit, i cili do të bëjë verifikimin e kuponit fiskal që lëshohet nga biznesi.

“Me këtë veprim pra, po e hapim lojën për të gjithë, duke hapur një sistem digjital, i cili punon edhe me palë të treta. Jo më arkë fiskale qysh jemi mësuar, por do të mjaftojë ta kemi një llaptop, apo një smartfon me softwerin e nevojshëm dhe një printer termik për të shtypur kuponin fiskal, dhe për të gjeneruar kupon të cilët raportohen në ATK, dhe konsumatori mund të bëjë verifikimin në kohë reale, duke skanuar kuponin – për ta bërë verifikimin që shuma e paguar është raportuar edhe në ATK, dhe në të njëjtën kohe, kjo na jep mundësinë që ne të zhvillojmë edhe lojë shpërblyese, që të shpërblejmë ata konusmatorë që janë të rregullt në mbledhjen e kuponëve fiskalë dhe skanimin e tyre, dhe kësisoj të rritet edhe formalizimi i ekonomisë”, shtoi Murati.

Ministri Murati theksoi se puna për realizimin e këtij projekti ka filluar në fund të vitit të kaluar dhe në fillet e këtij viti, duke hulumtuar opsionet dhe mundësitë në dispozicion, dhe duke zgjedhur opsionin për zhvillimin e brendshëm, në mënyrë që të ketë më shumë kontrollë edhe në avancimet dhe devoluimet e brendshme të sistemit.

“Konsideroj se është tepër një kapërcim i madh sa i përket fiskalizimit në vendin tonë. Ky projekt po realizohet me kapacitetet tona të brendshme, por gjithsesi kemi pasur mbështetjen edhe të UNDP-së, me financimin e ekspertëve që kanë punuar në këtë sistem”, vazhdoi ai.

Ndërkohë, Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, në fjalën e tij tha se në vazhdën e progreseve të këtij institucioni lidhur me mbledhjen e tatimeve, sot po shpaloset edhe një zhvillim i ri, pra dixhitalizimi i fiskalizimit, apo ndryshe qasja softverike e arkave fiskale.

“Aktualisht kemi qasje hardwerike, pra me printerët e arkave fiskale, ndërsa tani është një qasje e re, e cila jep mundësi të reja të fiskalizimit dhe rritjes së formalizimit të ekonomise në vend”, tha Murtezaj.

Ky proces i fiskalizimit ka filluar që nga viti 2010 dhe që nga ajo kohë, , siç thotë Murtezaj, janë fiskalizuar mbi 33 mijë biznese.

“Nëse e shohim në përqindje të bizneseve aktive që janë, i bie që janë 30% e bizneseve të fiskalizuara, por nëse shohim në përqindjen e pjesëmarrjes së këtyre bizneseve në totalin e qarkullimit atëherë del që 80% e qarkullimit që bëhet në tërësi në Kosovë janë nga bizneset e fiskalizuara”, shtoi ai.

Megjithatë, Murtezaj thekson se përmes kësaj platforme jipet mundësia që edhe bizneset që janë të pafiskalizuara të mund të fiskalizohen tani me kosto shumë më të ulët ose zero, dhe në të njëjtën kohë të mënjanohet edhe arsyetimi i pranimit të procesit të fiskalizimit nga ana e bizneseve, siç ka ndodhur rëndom deri më tani.

Murtezaj gjatë fjalimit, shtoi gjithashtu se ATK-ja përveç progresit të shënuar në aspektin e të hyrave tatimore, ka shënuar progrese të vazhdueshme edhe në lehtësimin e deklarimit rreth pagesës së tatimeve, si dhe në ofrimin e shërbimeve tanimë 100 për qind online.

“Pra, nga një e kaluar kur bizneset detyroheshin që në formë manuale të deklaronin dhe të paguanin tatimet si dhe të merrnin shërbimet me prezencë fizike në zyret e ATK-së, tani të gjitha këto janë të mundshme online për 24 orë”, tha ai. /Buletini Ekonomik/