Ministri Murati flet për fitimet në Trust, Bajrami demanton shifrat e tij

Hekuran Murati, ministër i Financave në Kosovë

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka kthyer dje një deklaratë të vitit të kaluar të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili kishte akuzuar Qeverinë se po rri në gjumë ndërsa Trusti po humb gjysmë milionë euro në ditë.

“Përderisa kursimet pensionale, të fituara me shumë mund, humbasin vlerë nga gjysmë milion euro në ditë, populistët vazhdojnë rehatinë. Plot 36 milion euro është zhvlerësimi i fondeve nga janari deri më sot. Qeveria nuk gjen as brengën e as kohën të caktojë një Bord”, kishte thënë atëherë Abdixhiku.

Por, sot ministri Murati, duke shpërndarë deklaratën e Abdixhikut, tha se “kthimi/fitimi i Trustit ka kapur shifrën 203 milionë euro për 9 muajt e parë të vitit 2024”.

Reklama e sponzorizuar

“Besoj u kujtohet parashikimi ogurzi që bënte Lumir Abdixhiku se si Trusti do të humbte nga gjysmë milionë euro në ditë.  Kaq pra për seriozitetin e analizave e projeksioneve të tyre!”, ka shkruar Murati.

Në anën tjetër, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, i është përgjigjur menjëherë atij mbi fitimet e Trustit.

Bajrami ka nxjerrë disa statistika përmes të cilave thotë se në javën e parë të gushtit mjetet në Trust kishin pasur ulje të fitimeve për rreth 60 milionë euro.

“Hekurani paska folë edhe për Trustin. Gjendja e mjeteve në Trust javën e parë të Gushtit, ulje e fitimeve për rreth 60 milionë Euro”, shkroi Bajrami.

Ajo në një postim paraprak tha për Muratin se “paska vendosë me kalu kohën në facebook”.