Opozita e ka kritikuar planin e Qeverisë për buxhetin për vitin e ardhshëm, duke thënë se Ekzekutivi i ka shkelur ligjet dhe Kushtetutën e vendit.
Disa deputetë përmendën një qëndrim të zyrës ligjore të Kuvendit, që sipas tyre përmend prekjen “kundërligjshëm” të “rangimit të shtojcës së koeficientëve të ligjit të pagave në sektorin” si dhe çështjen e zbatimit të shkallës progresive të tatimit në pronën e paluajtshme.
“Po doni me e shkelë edhe Kushtetutën”, tha deputeti i LDK-së, Armend Zemaj. “Ne si LDK nuk mund të bëhemi pjesë e kësaj”.
Ai tha se Qeveria do që t’i rritë pagat “në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën”.
“Nuk do të lejojmë edhe tjetrën që qytetarët të mbesin pa paga në janar, por ju duhet t’i thërrisni ndërgjegjjes tuaj”, tha Zemaj, duke kërkuar që ligji për buxhetin të kthehet prapa dhe të përmirësohet.
“Kjo sot duhet të ndalohet. Ata që kanë ndërgjegjje sot duhet t’i thonë jo”, tha ai.
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Abelard Tahiri tha se buxheti në këtë formë nuk duhet të vihet në votim.
“Votimi i këtij projektbuxheti do të thotë mbështetje të skemave kriminale. Ky është buxhet i kontaminum, mbështet skema kriminale. Duhet diskutim i thellë dhe jo në afate të përshpejtuara. Se në lexim të parë nuk e kemi ditë që familjarë të deputetëve në pushtet kanë përfituar nga këto skema kriminale. Unë po kërkoj që kjo mos të ndodhë, ti heqim këto skema kriminale. Kërkoj që ky projektbuxhet të kthehet mbrapa dhe të mos përshpejtohet”, tha ai.
Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, tha në anën tjetër se “është lëvizë, është prekë kundërligjshëm rangimi i shtojcës së koeficientëve të ligjit të pagave në sektorin publik me ligjin për buxhet”.
Vërejtjet, ai tha se nuk vijnë vetëm nga opozita, por “nga zyra ligjore”.