Pilotë të Kosovës stërviten në Bazën Ajrore të Farkës në Shqipëri

Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se ka në fokus bashkëpunimin për rritjen e nivelit të kapaciteteve njerëzore me Kosovën. Andaj, përveç Kolegjit të Sigurisë dhe Akademisë së Forcave të Armatosura, dyert ndaj forcave të FSK-së i kanë hapur edhe njësi të tjera të FA-së, pasi në fushën e sigurisë Kosova dhe Shqipëria kanë shumë dimensione bashkëpunimi.

Gjithashtu ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu njoftoi se ditët e fundit, pilotët e FSK-së nisën fluturimet stërvitore në Bazën Ajrore të Farkës me helikopterët “Cougar”, pas përfundimit të fazës teorike.

Shqipëria ka rritur ndjeshëm investimet në sektorin e mbrojtjes, ku për herë të parë këtë vit janë akorduar fonde që arrijnë nivelin 2 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Projeksionet janë që kjo rritje të jetë e përvitshme, ku brenda 10 vitesh synohet të arrihet niveli 2.8 % i Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Reklama e sponzorizuar

Plani është që brenda pak vitesh Shqipëria të ketë një ushtri dhe sistem mbrojtje të ngjashëm me atë të NATO-s dhe që i përgjigjet çdo sfide që mund të paraqitet për sigurinë kombëtare të vendit tonë. /Scan tv/