Agjencia e Statistikave të Kosovës njofton se ka publikuar “Statistikat e Energjisë” për muajin Tetor 2024 me të dhëna për prodhimin dhe konsumin e thëngjillit, prodhimin dhe konsumin e energjisë, importin dhe eksportin e energjisë, si dhe importin dhe eksportin e emergjentëve të tjerë.
Sipas ASK-së, më shumë energji elektrike ka pasur në dispozicion në muajin tetor 2024 sesa në muajin tetor 2023.
“Gjatë muajit Tetor të vitit 2024 energjia elektrike bruto në dispozicion ishte 544.16 GWh, kurse konsumi i energjisë elektrike ishte 391.74 GWh apo 10.09 % më i madh, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak . Pjesëmarrja e energjisë elektrike alternative në kuadër të konsumit të përgjithshëm ishte 8.29%”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, importi i energjisë elektrike në tetor të vitit 2024 ishte 254.41 GWh, kurse eksporti i energjisë elektrike në të njëjtën periudhë ishte 250.46 GWh, këtu janë të përfshira edhe sasia e transmisionit.
Kurse prodhimi i thëngjillit ishte rreth 723.12 mijë tonë ose 23.78% më shumë se në muajin e njëjtë të vitit paraprak.