Njohësit e zhvillimeve në sektorin e ndërtimit të vendit, janë skeptik për të ardhmen e ndërtimtarisë së vendit. Sipas tyre, në keqësimin e gjendjes në ndërtimtarinë tonë do të ketë ndikim të madh tejngopja e tregut me njësi banesore, përmbushja e nevojave të qytetarëve rezidentë dhe të diasporës me banesa (shumë sish tashmë kanë edhe nga dy-tre banesa), çmimet stratosferike të një metri katror së fundi, rënia e fuqisë blerëse të kosovarëve shumicë të varfër, zvogëlimi i popullsisë (mbi 110. 000 banorë më pak janë evidentuar nga regjistrimi i 2024-tës krahasuar me 2011-tën), por edhe kriza e pritshme globale e paralajmëruar për ndërtimtarinë në mbarë botën.
Mehmet GJATA
Në sektorin e ndërtimit në Kosovë në përgjithësi dhe në tregun e banesave në veçanti, viti 2024 është karakterizuar me lëvizje të shpeshta dhe të papritura, që ngjajnë në surpriza, qoftë të këndshme, qoftë të pakëndshme. Gjithsesi, ka vazhduar në këtë sektor të mos respektohen ligjet e ekonomisë së tregut (parimi më qenësor në ekonominë kapitaliste), ka vazhduar pra të ketë shumë ofertë të banesave dhe njëkohësisht gjatë tërë vitit kanë qenë evidente çmimet enorme të larta dhe me tendencë të tejdukshme të ngritjes së mëtejshme.
Me fjalë të tjera, shije e pakëndshme në këtë treg mbetet ngritja e vrullshme e çmimeve të banesave përkundër ndërtimeve të shumta të tyre dhe ofertës mbizotëruese kundrejt kërkesës. Dhe, në këto zhvillime, për ekspertët dhe njohësit e ecurive në sektorin e ndërtimit në Kosovë, këto lëvizje vlerësohen goxha absurde, të pakuptueshme edhe për momentumin kohor, aq më shumë kur dihet rënia e theksueshme e shitblerjeve gjatë këtij viti të patundshmërive dhe sidomos të banesave, kur dihet tejngopja e tregut me njësi banesore dhe kur shihet në horizont kriza e mundshme me të cilën parashikohet të përballen ndërtimtarët e Kosovës, si pasojë e rrjedhojë e ndërtimeve me ritëm imponues të ringjallur pas pandemisë COVID19, por njëkohësisht edhe si pasojë e tregtimit të ndërtimeve me çmime enorme të larta.
Kush do t’i blejë gjithë këto banesa që kanë nisur dhe që janë në plan të nisin në vitet në vazhdim, me çmime enorme të larta dhe me tendenca të ngritjes së mëtejshme të çmimit të tyre, pavarësisht zhvillimeve aktuale në shumë tregje ndërkombëtare të paluajtshmërive ku kohët e fundit ka vazhduar ulja e çmimeve në këtë sektor dhe po vërshojnë gjithnjë e më shumë paralajmërime për ulje të reja të çmimit të një metri katror të banesave. Dhe më nuk janë arsyetime të qëndrueshme e as të logjikshme, deklarimet e ndonjë ndërtimtari kosovar, apo përfaqësuesi të tyre në asociacione të ndryshme të ndërtimtarëve se “në Kosovë nuk ka banesa të finalizuara të pa shitura”. Sepse, gjithndej në komunitetet e ndërtimtarëve në botë, ka muaj dhe vite që është shpërfaqur droja për një krizë të pritshme të mundshme në këtë sektor.
Në shumë vende të Europës dhe përtej, gjithnjë e më shumë dhe më publikisht, po flitet dhe po shkruhet për krizën që ka zënë ta kaplojë sektorin e ndërtimit. Në mediet ndërkombëtare, të cilat trajtojnë sektorë të ndryshëm të zhvillimeve ekonomike, duke u mbështetur në një raport të fundit të Institutit për Kërkime Ekonomike IFO në Mynih, të publikuar këto ditë, u raportua se “po vazhdon kriza në sektorin e ndërtimit të banesave në Gjermani”. Siç theksohet, përqindja e kompanive gjermane në sektorin e ndërtimit të banesave që ankohen për mungesë porosish është rritur në muajin nëntor në 54 për qind nga 49.9 për qind sa ishte në tetor. Në muajin tetor, 11.8 për qind e kompanive gjermane në sektorin e ndërtimit të banesave raportuan anulim të porosive, ndërsa në muajin nëntor ky numër ra lehtë në 10.5 për qind.
Ndërkohë, në Kosovë zhvillimet në sektorin e ndërtimeve vazhdojnë të përballen me paradokset e deritashme – ndërtimet rriten dhe vazhdojnë me ritëm të lartë, çmimet “fluturojnë”, ndërsa shitjet bien ndeshëm, për dallim me disa vite më parë , kur pati shumë banesa, ose kur kishte ndërtim të hovshëm dhe për rrethanat kosovare – me çmime “të kripura”, dhe pati edhe shumë shitje. Dhe ky paradoks tashmë po ndodhë në Prishtinë, por edhe në qendrat e tjera komunale.
Me fjalë të tjera, epoka e artë e ndërtimeve në Kosovë, ajo e dy –tre vjetëve pas pandemisë COVID-19, kur realisht, pati një lulëzim në sektorin kosovar të ndërtimeve, ka zënë të zbehet. Njëkohësisht, ndikimi i sektorit të ndërtimeve në rritjen e gjithmbarshme ekonomike ka rënë, ndërsa ka tendenca që ky ndikim të ulet gradualisht në vitet në vazhdim.
“Ngritje drastike të çmimeve, kërkesa për blerje ka ra nëse flasim për periudhën 2022 deri në fund të 2023 ose fillim 2024, është 50-60% rënie e shitjeve, ndërsa ndërtimi ka vazhdu”, ka thënë kohë më parë një përfaqësues i Shoqatës së komunave të Kosovës.
Në sektorin e ndërtimit në Kosovë, siç kanë raportuar këtyre ditëve mediet e vendit, vazhdojnë të mbretërojnë çmime të larta, sidomos krahasuar me gjendjen financiare të qytetarëve shumicë të këtij rajoni dhe fuqisë të kufizuar blerëse të tyre. Si gjithëherë, me çmime stratosferike prin kryeqyteti. Në lagjet më të vlerësuara të Prishtinës, në ato më afër qendrës, sipas agjencive që merren me tregtimin e paluajtshmërive, tani çmimi i një metri katror të banesave lëvizë nga 2000 deri në 2500 euro. Në Pejton, lagjja tashmë me reputacion famoz elitizmi, çmimet e një metri katror kanë shkuar në 2500 euro. Pastaj, për nga lartësia e çmimit rangohet lartë Lagjja e Muhaxherëve, që realisht është shumë pranë qendrës (çmimet e një metri katror të banesave ka kohë që kanë arritur në 2000 euro) dhe më pastaj radhiten me çmime pak më të ulëta Rruga B, Dragodani e Kalabria. Pastaj vijnë lagjet më të largëta nga qendra si Lagjja e Spitalit, Prishtina e Re, zona e Matiçanit, që kanë çmime ndjeshëm nën kushtueshmërinë e lagjes së Pejtonit, por që edhe në këto zona ka mundësi të pakta për të gjetur çmimi nën 1300-1500 euro për metër katror).
Sipas agjencive të patundshmërive, i bie që gjatë vitit 2024, krahasuar me 2-3 vjet përpara, çmimi i metrit katror të banesave, por edhe të hapësirave afariste, është ngritur 40 deri në 80 për qind, varësisht nga zonat ku gjenden banesat. Shkaqet e rritjes së çmimit të banesave, ndërtimtarët i veçojnë te ngritja e çmimit të materialeve ndërtimore dhe te mungesa e fuqisë punëtore, e shprehur sidomos pas liberalizimit të vizave edhe për qytetarët e Kosovës si dhe te ngritja e çmimit të tokave me koncesion, por edhe çmimi tashmë shumë i lartë i tokave në qendrat urbane të vendit. Për këto shkaqe, sipas ndërtimtarëve kosovarë, edhe në vitin në vijim do të ketë ngritje çmimesh në sektorin e ndërtimit të vendit.
Por, ndërtimtarët, sado që pohojnë se presin edhe më 2025 shitje të mirë banesash, nuk janë shumë të sigurtë për të ardhmen e veprimtarisë së tyre. Ndërsa, njohësit e zhvillimeve në Sektorin e ndërtimit të vendit, janë skeptik për të ardhmen e ndërtimtarisë së vendit. Sipas tyre, janë shumë faktorë që do të keqësojnë gjendjen në tregtimin e banesave dhe bashkë me to edhe potencën financiare të ndërtuesve. Në radhë të parë, në keqësimin e gjendjes në ndërtimtarinë tonë do të ketë ndikim të madh tejngopja e tregut me njësi banesore, si dhe përmbushja e nevojave të qytetarëve rezidentë dhe të diasporës me banesa (shumë sish tashmë kanë edhe nga dy-tre banesa).
Sipas rezultateve përfundimtare të regjistrimit të popullsisë, të prezentuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, ndërtimi përgjatë këtyre viteve ka shënuar rritje të ndjeshme në krahasim me vitin 2011. Numri i banesave të përgjithshme në këtë periudhë është rritur me 41.3%, ndërsa numri i banesave të zakonshme është rritur me 35%. Po ashtu, të dhënat tregojnë se në Kosovë popullsia ka dominim të madh të banesave në pronësi me 92.8%, ndërsa numri i banesave me qira dhe në forma tjera mbetet shumë i ulët, përkatësisht 5.3% dhe 1.2%.
Domosdo në të ardhmen e mjegulltë të këtij sektori do kenë ndikim jo të vogël çmimet stratosferike të një metri katror së fundi, rënia e fuqisë blerëse të kosovarëve shumicë të varfër, zvogëlimi i popullsisë (mbi 110. 000 banorë më pak ka evidentuar regjistrimi i 2024-tës krahasuar me 2011-tën), por edhe kriza e pritshme globale e paralajmëruar për ndërtimtarinë në mbarë botën.
Megjithatë, ndërtimtarët kosovarë edhe më tutje vazhdojnë të paralajmërojnë ngritje çmimesh për vitin 2025.
“Nuk do të ketë zbritje të çmimit për ndërtesa, por do të ketë vetëm rritje të çmimit, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore në Kosovë. Poashtu edhe çmimet e materialeve janë në ngritje e sipër e poashtu edhe tokat që ne i marrim me koncesion ose përqindje edhe aty ka rritje të çmimeve. Janë këto dy a tre faktorë që na shtyjnë rreth ngritjes së çmimeve”, i tha kohë më parë medies një zyrtar i Shoqatës së Ndërtimtarëve të Kosovës.
Edhe i pari I Shoqatës së Ndërtimtarëve, u deklarua për medie se “çmimet do të varen nga kosto e punës dhe e materialit”.
“Rritja ose ulja e çmimeve varet nga çmimet e materialeve dhe kostos së punës, e cila është në ngritje. Poashtu koncesioni për tokën ka shkuar në nivele shumë të larta. Të shohim se si po fillon viti dhe deri nga marsi mund ta dimë se si po shkojnë punët”, ka thënë ai.
Në njëfarë mënyre, këto deklarime dhe arsyetime qëndrojnë dhe nuk i bënë shumë të diskutueshme askush. Por, kush do t’i blejë banesat e reja me çmime të ngritura më 2025. Kjo është çështja dhe ky është problemi me të cilin do të sfidohen ndërtimtarët e Kosovës. Ata afarojnë suksesshëm, ose të kundërtën ekskluzivisht nga tregtimi i ndërtimeve të tyre. Ndërsa është fakt që tashmë ka nis rënia e shitblerjeve të vrullshme të banesave në mbarë vendin. /Buletini Ekonomik/









