Sipas zyrtarëve të Termokosit, në fillim të muajit nëntor mbi 7 mijë konsumatorë kanë pranuar faturat e para me metodën e re të faturimit sipas konsumit. “Nuk kemi të bëjmë me kurrfarë vonese të fillimit të aplikimit të metodës së re të faturimit sipas konsumit, pasi që konsumatorët, që kanë pëfituar këto pajisje janë duke u faturuar sipas konsumit dhe brenda pak ditësh do të marrin edhe faturat për muajin nëntor”, ka thënë për Buletinin Ekonomik, Afërdita Uka-Fejzullahu, zyrtare për marrëdhënie me publikun në Termokos.
Buletini Ekonomik
Zyrtarët e “Termokosit” i kanë thënë Buletinit Ekonomik se kanë nisur zbatimin e matjes së shpenzimeve të energjisë ngrohëse individualisht për mijëra konsumatorë, ose aplikimin e faturimit sipas konsumit dhe nuk ka vonesa të fillimit të aplikimit të metodës së re të faturimit.
“Siç është paralajmëruar, pas realizimit me sukses të fazës së instalimeve të pajisjeve matëse, që kanë krijuar parakushtet për të filluar aplikimin e faturimit sipas konsumit, nga gjysma e tetorit të këtij viti, kur edhe kemi filluar furnizimin me ngrohje, kemi nisur edhe zbatimin e matjes së shpenzimeve të energjisë ngrohëse individualisht për mijëra konsumatorë. Realisht, në kuadër të projektit „Prishtina Heat Save” ashtu siç edhe ka qenë e planifikuar është bërë instalimi i pajisjeve matëse: valvolave, termostatike, termokokave, alokatorëve dhe matësve të nxehtësisë tek 17.500 konsumatorë të ndërmarrjes. Si rrjedhojë, faturimi sipas konsumit ka filluar nga ky sezon ngrohës për të gjithë këta konsumatorë, që kanë pranuar instalimin e pajisjeve matëse në radiatorët e tyre”, ka thënë Afërdita Uka-Fejzullahu, zyrtare për marrëdhënie me publikun në Termokos, duke u përgjigjur në pyetjen e Buletini Ekonomik se sa është realizuar faturimi i shpenzimit për ngrohje qendrore sipas konsumit.
Por, sipas saj, për arsye të ndryshme siç janë: ndërrimi i radiatorëve, lëvizja e alokatorëve etj., nëpërmes softuerëve të instaluar dhe inspektimeve në terren, në këtë periudhë kohore janë vërejtur ndërhyrje të paautorizuara në pajisjet e instaluara, gjë që siç thotë ajo, ka vështirësuar procesin e faturimit tek një pjesë e konsumatorëve.
Uka –Fejzullahu ka thënë në vazhdim se “ashtu siç kemi informuar nëpërmes adresimeve tona të shumta dhe kanaleve tona të komunikimit me publikun, në fillim të muajit nëntor mbi 7 mijë konsumatorë kanë pranuar faturat e para me metodën e re të faturimit sipas konsumit.
“Nuk kemi të bëjmë me kurrfarë vonese të fillimit të aplikimit të metodës së re të faturimit sipas konsumit, pasi që konsumatorët, që kanë pëfituar këto pajisje janë duke u faturuar sipas konsumit dhe brenda pak ditësh do të marrin edhe faturat për muajin nëntor. Për të qenë më të qartë për ju, projekti “Prishtina Heat Save” ka qenë i planifikuar dhe i miratuar nga Millennium Challenge Corporation (MÇ) në vitin 2016 për 12 mijë konsumatorë të ndërmarrjes sonë (aq sa kishim asokohe të kyçur në rrjetin e ngrohjes)”, tha ajo.
Sipas Uka-Fejzullahu, për shkak se NP “Termokos” ka shkuar duke e rritur në vazhdimësi numrin e konsumatorëve, në saje të projekteve për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes, MCC ka miratuar rritjen e buxhetit për këtë projekt, përfundimisht në vitin 2022, kur janë siguruar pajisjet për 17.500 njësi banesore (aq sa kanë qenë në atë kohë të kyçur në rrjetin e ngrohjes). Mirëpo, pasi që ndërmarrja në vazhdimësi ka realizuar projekte për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes, Uka thotë se një pjesë e konsumatorëve ende kanë mbetur pa u përfshirë në këtë projekt.
Vlen të ceket, ka shtuar Afërdita Uka-Fejzullahu, se pjesa më e madhe e atyre konsumatorëve, që nuk kanë përfituar falas këto pajisje, ka ndodhur si pasojë e hezitimit të konsumatorëve për të hapur dyert e banesave të tyre dhe për të pranuar instalimin e pajisjeve matëse. Por, siç thotë ajo, NP “Termokos” në Buxhetin e ndërmarrjes për vitin 2025 ka ndarë mjete për sigurimin e pajisjeve shtesë për t’ua ofruar edhe një herë mundësinë konsumatorëve, që të pëfitojnë instalimin e këtyre pajisjeve në radiatorët e tyre.
“Në bazë të testimeve të metodës së re të faturimit sipas konsumit, që janë realizuar në sezonin e kaluar ngrohës 2023/2024 dhe bazuar në faturimin sipas konsumit për muajin tetor 2024, ka rezultuar se një pjesë e konsiderueshme e konsumatorëve tanë, që e kanë shfrytëzuar në mënyrë racionale energjinë ngrohëse kanë përfituar fatura më të ulëta”, ka thënë zyrtarja e Termokosit.
Ndërkaq, sa i përket informimit, ajo ka thënë se “kemi qenë shumë të kujdesshëm me përcjelljen në vazhdimësi dhe me kohë të udhëzimeve të duhura në forma të ndryshme (shpjegime të shkruara, video e ilustrime përkatëse) për mënyrën e përdorimit të pajisjeve të instaluara me qëllim të kursimit të energjisë termike, gjë që do të reflektonte në uljen e shpenzimeve të tyre për ngrohje. Ato janë përcjellë në vazhdimësi nëpërmes mediave, dhe kanaleve tona të komunikimit me konsumatorë, qofshin rrjetet tona sociale dhe ueb faqja zyrtare e ndërmarrjes”. /Buletini Ekonomik/