Gjykimi për korrupsion ndaj ish-zyrtarit të ATK-së, dëshmitari thotë se në këtë rast nuk është dëmtuar buxheti i shtetit

Në seancën e së mërkurës, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është dëgjuar Fadil Revuqi, menaxher i divizionit për përfaqësime gjyqësore në ATK, në rastin ku Malush Kelmendi akuzohet se në cilësinë e zyrtarit në ATK ka keqpërdorur detyrën zyrtare dhe ka falsifikuar dokumentin zyrtar.

Dëshmitari Revuqi gjatë deklarimit të tij ka pohuar se si rrjedhojë e këtij rasti nuk është dëmtuar buxheti i Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Në kuptim të kësaj muj me thanë me përgjegjësi se nuk i është shkaktu asnjë cent dëm buxhetit të Kosovës sepse borxhi nuk është anulu dhe prona nuk është shitë”, ka thënë dëshmitari.

Reklama e sponzorizuar

I pyetur nëse ka pasur rastin se si divizion të jap opinion ligjor lidhur me certifikatën e lirimit nga barra tatimore në atë se çka ajo përmban, kush e nënshkruan etj, ai ka pohuar se kanë dhënë shumë opinione, ndërkaq për elementet e certifikatës nuk i ka dhënë pasi ato janë përpiluar nga grupi punues si formë dhe e njëjta është në sistem.

I njëjti, po ashtu ka pohuar se qëndron prapa deklaratës së dhënë në Prokurori.

Tutje, dëshmitarit i është paraqitur nga ana e mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Fatmir Kurmehaj, gjendja e borxheve për “Jeta MediPharm” për ta interpretuar, gjendje kjo e vitit 2013, për të cilën avokati ka pyetur për efektin juridik të barrës tatimore.

Për këtë Revuqi ka thënë se “Referuar Ligjit 03L222 për Administratën Tatimore dhe procedurat i cili ka qenë në fuqi deri në janar të këtij viti, konkretisht nenit 32 të këtij ligji ose 30, një barrë tatimore ka efekt juridik 6 vite nga moment i regjistrimit, për dijeninë e gjykatës moment i regjistrimi konsiderohet momenti kur lind obligimi tatimore, e jo kur regjistrohet barra”, ka deklaruar dëshmitari.

Tutje, i njëjti ka deklaruar se ligji i lartpërmendur e mundëson faljen e ndëshkimeve tërësisht apo pjesërisht nëse tatimpaguesi kryen obligimin tatimor bazë dhe interesin, ndërsa këto dy të fundit nuk falen asnjëherë.

Ai ka thënë se ATK nuk ka të drejtë të ndërmerr veprime të mbledhjes së detyrueshme për inkasimin e tij në formë të detyrueshme.

Revuqi gjithashtu i tha gjykatës se në bazë të ligjit, barra tatimore duhet të jetë në proporcion me borxhin që nënkupton që nëse bllokohet një pasuri shumë e madhe për një borxh shumë të vogël nuk është ligjore pasi nuk merret parasysh parimi i proporcionalitetit.

Përjashtimisht nga ajo që u tha më lart, ai ka specifikuar rastet kur bëhet fjalë për shtëpi ose banesa të cilat nuk mund të ndahen por shkojnë si tërësi.

Në pyetjen e gjyqtares, Fatime Dërmaku që nëse paguhet borxhi kryesor dhe mbeten vetëm ndëshkimet a ka bazë ligjore ATK të mbaj barrë tatimore vetëm për ndëshkime, dëshmitari e ka pohuar një gjë të tillë.

Ai po ashtu ka thënë, se ligji thotë se për çfarëdo lloj borxhi vihet barra tatimore, pa specifikuar saktë se për çfarë lloje vlere mund të vendoset barra.

Vlen të përmendet se dëshmitari ka deklaruar se nuk e ka njohur të akuzuarin, dhe se nuk e dinë se në cilin nga divizionet ka qenë i punësuar i njëjti.

Sipas aktakuzës së ngritur në tetor të vitit 2023, i pandehuri Malush Kelmendi akuzohet se më 19 maj 2023, në cilësinë e zyrtarit tatimor në Administratën Tatimore të Kosovës, në zyrën e tij, ka marrë veprime të paautorizuara, duke krijuar dokumentin – certifikatën e lirimit të barrës tatimore, të njëjtin dokument e ka plotësuar, e ka vulosur dhe nënshkruar pa qenë zyrtar i autorizuar, në këtë rast kolegu i tij, Arsim Ibrahimi përgjegjës për kryerjen e një veprimi të tillë.

Me këtë, i akuzuari Kelmendi akuzohet ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërsa sipas dispozitivit të dytë të njëjtës aktakuzë, thuhet se i akuzuari Kelmendi, në të njëjtën datë si më lartë, si person zyrtar, në dokumentin zyrtar- certifikatën e lirimit të barrës tatimore, ka shënuar të dhëna të rreme për biznesin N.T.SH “Jeta Medipharm”, me pronar Afrim Radoniqi, të cilin dokument e ka plotësuar, me vulë e ka vërtetuar dhe nënshkruar, ia ka vendosur vulën katrore, e ka keqpërdorur vulën e protokollit, duke regjistruar dhe duke i dhënë një numër protokolli fiktiv (numrin 554), i cili dokument nuk figuron i regjistruar në librin e protokollit në Drejtorinë e Mbledhjes së Detyrueshme.

Tutje, thuhet se këtë dokument që përmban plotësisht të dhëna të rreme, e ka dorëzuar personalisht më 19 maj 2023 në Zyrën e Kadastrit në Pejë, me qëllim që subjektit tatimor, pronarit Afrim Radoniqi, t’i zhbllokohen pronat të cilat ATK-ja ia kishte bllokuar për shkak të obligimeve tatimore.

Sipas aktakuzës, me këto veprime, i pandehuri Kelmendi ngarkohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar” nga neni 427 paragrafi 1 i KPRK-së.