Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar për mbylljen e përkohshme të rrugës nacionale N9, në segmentin Kijevë-Dollc LOT-3, për shkak të realizimit të minimit të katërt në trasenë e zgjerimit të rrugës.
Sipas njoftimit, mbyllja e rrugës do të ndodhë më datën 12 dhjetor 2024 (e enjte), duke filluar nga ora 15:00, dhe do të përfshijë zonën midis udhëkryqit të Gjakovës në Klinë dhe udhëkryqit të rrugës për Gjurgjevik.
“Ju njoftojmë se më datën 12.12.2024 (E enjte), në trasen e Zgjerimit të Rrugës Nacionale N9., Segmenti Kijevë-Dollc LOT-3, do të realizohet minimi Nr.4 i masave shkëmbore nga ana e majtë e zgjerimit të rrugës”, thuhet në njoftim.
Trafiku do të rifillojë pas përfundimit të punimeve dhe pastrimit të rrugës.
Ministria bën thirrje për mirëkuptim dhe u rekomandon shoferëve të përdorin rrugë alternative gjatë kësaj kohe për të shmangur vonesat.