Heshtja individuale dhe institucionale rreth akuzave për zhvillimet energjetike në Kosovë

Fotografi ilustruese

Një akuzë “bombë”, që vazhdon të përfolet në publik këtyre ditëve, është ajo e kryetarit të Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica, i cili ditë më parë ka deklaruar në njërin nga televizionet e vendit se “secila qeveri e Kosovës e ka favorizuar Kompaninë për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS), duke u shprehur se “duket se dikush i fuqishëm qëndron prapa KEDS-it”. Ndaj kësaj akuze nuk ka ndonjë deklarim, a përgënjeshtrim, as individual e as institucional. Heshtje e pakuptueshme edhe ndaj shumë akuzave të tjera në zhvillimet energjetike të vendit…

Buletini Ekonomik

Ka kohë, muaj e vite, që nuk prajnë akuza prej më të ndryshmeve në adresë të KEDS-KESCO-s dhe “favorizimit” të kompanisë së vetme kosovare për distribuimin e energjisë elektrike. Akuzohen edhe institucionet e Kosovës dhe vet Qeveria për ‘përkrahjen’ e arsyeshme dhe të paarsyeshme të kompanisë private turke, e cila që nga 2013-ta, kur e kishte privatizuar ndërmarrjen e vetme publike të distribuimit – “Elektrokosovën” e famshme, e ka praktikisht dhe faktikisht monopolin e distribuimit të rrymës në Kosovë. Është e vetmja kompani që e ka këtë mision të favorshëm dhe shumë të leverdishëm afarist, dhe gjithkush e di çka do të thotë të kesh monopol në këtë veprimtari.

Reklama e sponzorizuar

Dhe, për t’u krijuar jo pak paqartësi dhe thashetheme nga këto akuza në opinion, asnjëherë të vetme nuk u përgënjeshtrua as institucionalisht e as individualisht ndonjë nga këto akuza që nuk prajnë as këtyre ditëve.

Një akuzë “bombë”, që vazhdon të përfolet në publik këtyre ditëve, është ajo e kryetarit të Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica, i cili ditë më parë ka deklaruar në njërin nga televizionet e vendit se “secila qeveri e Kosovës e ka favorizuar Kompaninë për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS), duke u shprehur se “duket se dikush i fuqishëm qëndron prapa KEDS-it”.

Llumnica në “Interaktiv” të KTV-së tha se KEDS-i po e shet trefish më shtrenjtë energjinë elektrike nga sa e blen nga KEK-u.

“Prej KEK-ut, KEDS-i merr një megavat për 30 euro e nëse e importon energjinë mund të shkojë deri në 200 euro megavati. E kjo është arsyeja pse KEDS-i, më mirë e lë qytetarin në terr, sesa të shkojë të importojë. KEDS-i po e shet trefish më shtrenjtë rrymën nga sa e blen nga KEK-u. Kontrata duhet të rishikohet dhe të shkëputet. Sot s’po shoh gatishmëri që të ndodhë kjo pasi secila qeveri në njëfarë forme e ka favorizuar KEDS-in”, ka thënë Llumnica.

Por, sado që kanë kaluar disa ditë nga kjo akuzë e rëndë, sado që pa e specifikuar shumë dhe pa shumë detaje të tjera, nuk ka ndonjë deklarim as zyrtar e as individual se ç’ është e vërteta rreth akuzës së rëndë se “dikush i fuqishëm qëndron prapa KEDS-it”, sikundër, ç’është e vërteta që nuk ka ndonjë deklarim, qoftë zyrtar, qoftë eventual, as se kjo deklaratë publike është e saktë apo jo. Por, akuza se prapa kompanisë me origjinë të huaj dhe me veprimtari të ndjeshme dhe tepër të favorshme për nga lehtësirat afariste dhe krijimi i të hyrave biznesore dhe të fitimit neto (KEDS është kompani turke që ka monopolin e distribuimit të energjisë elektrike në Kosovë), se “dikush i fuqishëm qëndron prapa KEDS-it’ nga kreu i një sindikate të KEK-ut, është e rëndë, shumë e veçantë dhe goxha e paprecedentë, sepse kjo akuzë shprehet nga një person zyrtar dhe në një emision të shikueshëm dhe të vlerësuar.

Prandaj, të heshtet një akuzë kaq e madhe por edhe tronditëse është fare e pakuptueshme dhe e diskutueshme. Sikundër që është e pakuptueshme heshtja ndaj akuzës tjetër të kreut të sindikatave të KEK-ut se “Prej KEK-ut, KEDS-i merr një megavat për 30 euro e nëse e importon energjinë mund të shkojë deri në 200 euro megavati. E kjo është arsyeja pse KEDS-i, më mirë e lë qytetarin në terr, sesa të shkojë të importojë. KEDS-i po e shet trefish më shtrenjtë rrymën nga sa e blen nga KEK-u”.

Ndaj këtyre akuzave, së paku, do të duhej të dëgjohej ndonjë zë nga KEDS, por edhe nga përfaqësues të institucioneve kompetente të vendit. Sepse të akuzohesh se po krijohen kriza energjetike me tregtimin e rrymës së prodhuar në Kosovë nga burimet energjetike të këtij vendi, ose të lësh në terr kosovarët për shkak të kostos së importit dhe të heshtësh realisht, del të jetë fare e pakuptimtë. Ose, pranimi i akuzave në heshtje. Ka munguar fare ndonjë përgjigje apo përgënjeshtrim edhe ndaj akuzave, po kështu tronditëse dhe të rënda, që në ditët e para të këtij muaji i bëri ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, në një prononcim për një medie të vendit ku kishte deklaruar ndër të tjera se “ajo që është më shqetësuese është fakti që mafia ballkanike dhe qarqet e caktuara lokale, veçanërisht ata që mbrojnë interesat ambientale, kanë penguar vazhdimisht përpjekjet e qeverisë për të investuar në prodhimin e energjisë”.

Pse nuk deklarohet dikush nga zyrtarët kompetentë se a ka dhe a kanë ekzistuar vërtetë pengesat nga “mafia ballkanike dhe qarqet e caktuara lokale” kundrejt qeverisë për të investuar në prodhimin e rrymës në Kosovë?

Ish-kreu i odës Ekonomike të Kosovës, nuk është një person i padijshëm, i papërgjegjshëm dhe i pa informuar për ta bërë këtë akuzë të rëndë. Dhe prapë vazhdon të heshtet edhe në institucione, edhe ndër individë dhe vendimmarrës në ecuritë e zhvillimeve energjetike në vend.

Nuk ka asnjë shpjegim sot e kësaj dite as pse “ekonomia kosovare është shumë më e varur nga tregtia e energjisë elektrike sesa nga prodhimi i saj”.

Po kështu, kjo akuzë është deklaruar nga profesionistë dhe njohës të rrethanave energjetike në vend, sipas të cilëve, “ky zhvillim ka sjellë pasoja të mëdha për ekonominë e Kosovës, për dispononim psikologjik të qytetarëve dhe ka krijuar një përceptim të dëmshëm për Kosovën si një shtet të varur nga importi i energjisë”. Nuk ka përgjigje as ndaj shqetësimeve të shpërfaqura këto ditë publikisht nga ekspertë dhe njohës të çështjeve energjetike se Kosova aktualisht “ka vetëm dy kanale për të importuar energji, ndërkohë që në të kaluarën ka pasur gjashtë”. Nuk shpjegon askush, pse Kosova ka mbetur vetëm në dy largëpërques të energjisë elektrike që e ndërlidhnin vendin me disa shtete të rajonit dhe nuk shpjegon askush as për shkaqet dhe dëmet e reduktimit kaq të madh të “autostradave” të energjisë elektrike, të cilat me shumë mund dhe sakrifica i ndërtoi Kosova.

Këtyre ditëve nuk ka fare transparenë as rreth ngecjes së këmbimit të energjisë elektrike me Shqipërinë, në bazë të marrëveshjes së këmbimit të rrymës KEK-KESH. Dhe, në mungesë të përgjigjes individuale e institucionale për të gjitha këto akuza, qofshin të mbështetura në të dhëna faktike, qofshin të pabazuara edhe aq, tani në prag të fushatës parazgjedhore, gjuhët akuzuese të përfaqësuesve të subjekteve politike realisht pritet të ashpërsohen edhe më tej. Ndërsa, pretendentët eventual për të investuar në Kosovë në fushën e energjisë elektrike kur të dëgjojnë gjithë këto të dhëna konfrontuese pa ndonjë shpjegim meritor, s’do mend se do të shpërfaqin dilema dhe hamendësime rreth ardhmërisë së parasë së tyre. /Buletini Ekonomik/