Pas arrestimit të tre inspektorëve nën dyshime për marrje ryshfeti në rajonin e Gjakovës, Administrata Tatimore e Kosovës, ka thënë se nuk ka pranuar shkresë zyrtare as nga Policia e Kosovës e as nga Prokuroria Themelore e Gjakovës.
Valentina Bytyqi, zëdhënëse e ATK-së në një përgjigje për KALLXO konfirmoi se për bastisjen vetëm është informuar drejtori regjional i Administratës Tatimore përmes telefonit.
“Nga Policia e as Prokuroria nuk kemi pranuar shkresë zyrtare për arrestimet. Njoftimin nëpërmjet telefonit për bastisjet edhe ndalimin policor e ka pranuar drejtori regjional”- tha zëdhënësja e ATK-së, Valentina Bytyqi.
Mes tjerash, Bytyqi tha se Administrata Tatimore e Kosovës, ka bashkëpunuar gjithmonë me organet kompetente për t’i luftuar dukuritë negative.
“ATK në momentin që pranon njoftim zyrtar apo kërkesë nga organi kompetent do të merr vendim sipas legjislacionit në fuqi”- thuhet në përgjigjen e ATK-së.