KOSTT ka sqaruar se “vënia në funksion e linjave me fqinjin verior për qëllime komerciale lidhet me mungesën e një Marrëveshjeje Operative ndër operatorë”. Sipas tyre, “KOSTT ka ofruar materialin për këtë marrëveshje dhe ka shprehur gatishmëri të plotë për finalizimin e saj, por pala fqinje EMS nuk ka treguar gatishmëri për nënshkrim”. Çka thotë KOSTT rreth raportimeve se përshkallëzimi i problemit me linjat e transmetimit me Shqipërinë “është përshkallëzuar sidomos pas krijimit të bursës energjetike ALPEX, një iniciativë ndërmarrje e përbashkët e KOSTT-it dhe OST-së së Shqipërisë?
Buletini Ekonomik
Kosova, siç dihet, qëkur është aktivizuar linja 400 kV me Shqipërinë, ka pasur në dispozicion linja transmetimi të energjisë elektrike me katër vendet fqinje – Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë. Linja me Serbinë, për shkaqe politike dhe vendime të njëanshme nga pala serbe, ndër vite ka pasur periudha të pasivizimit të pjesëshëm, por edhe të tërësishëm të funksionimit. Edhe tani, kjo linjë ka kohë që është e bllokuar dhe jashtë funksionit normal të saj.
Këto linja që shërbejnë për shkëmbimin dhe transferimin e energjisë elektrike ndërmjet Kosovës dhe vendeve të tjera, duke mundësuar lidhjen e tregut energjetik të Kosovës me atë ndërkombëtar, me të gjitha objektet dhe stabilimentet që disponojnë, menaxhohen nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT-i) për pjesën që i përket Kosovës. Ndërkohë, këtyre ditëve, u bë goxha bujë edhe në mediet e shumta të vendit me informacionet për reduktime drastike të këtyre linjave, respektivisht nga gjashtë linja në vetëm dy sosh aktive.
Sipas disa vështrimeve në mediet tona, “problemet janë përshkallëzuar pas krijimit të bursës energjetike ALPEX, një iniciativë e përbashkët e KOSTT-it dhe OST-së së Shqipërisë. Dy linjat e interkoneksionit Kosovë-Shqipëri (400 kV dhe 220 kV) janë vënë ekskluzivisht në shërbim të ALPEX-it, duke bllokuar plotësisht qasjen e Kosovës për kalimin e energjisë jashtë kësaj berze. Si rezultat, lidhjet e Kosovës përmes Shqipërisë drejt tregjeve italiane, greke, maqedonase dhe malazeze janë mbyllur plotësisht”.
Pos sipas këtyre vështrimeve “aktualisht, Kosova ka qasje vetëm në dy linja transmetimi: përmes Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi. Ky reduktim drastik, nga gjashtë linja në vetëm dy, ka ngarkuar ndjeshëm kapacitetet ekzistuese, duke rritur koston e përdorimit të rrugëve tregtare nga 2-3 milionë euro në vit, në 30 milionë me 2024.”
Buletini Ekonomik ka kërkur nga KOSTT një sqarim më të detajuar rreth probelemeve të linjave të transmetimit të energjisë elektrike me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë, duke kërkuar përgjigje në pyetjen se cilat linja janë në fuksion aktualisht dhe cilat janë të mbyllura?
KOSTT, në përgjigjen me shkrim, ka thënë se në nivelin e tensionit 400kV dhe 220kV Kosova kufizohet me vendet fqinje me këto linja transmetimi: Niveli i tensionit 400 kV: Një linjë Kosovë-Shqipëri, një linjë Kosovë-Mali i Zi, një linjë Kosovë-Serbi dhe një linjë Kosovë- Maqedoni e Veriut; Niveli i tensionit 220 kV: Një linjë Kosovë-Shqipëri dhe një linjë Kosovë-Serbi.
Sipas KOSTT, aktualisht janë të mbyllura linjat e transmetimit të energjisë elektrike me Serbinë. KOSTT ka sqaruar se vënia në funksion e linjave me fqinjin verior për qëllime komerciale lidhet me mungesën e një Marrëveshjeje Operative ndër operatorë.
“KOSTT ka ofruar materialin për këtë marrëveshje dhe ka shprehur gatishmëri të plotë për finalizimin e saj, por pala fqinje EMS nuk ka treguar gatishmëri për nënshkrim. Pavarësisht kësaj, KOSTT ka vazhduar të ndjekë të gjitha procedurat në forumet ndërkombëtare, përmes Sekretariatit të Energjisë, ENTSO-E, dhe European Federation of Energy Traders (EFET), duke kërkuar dhe siguruar që interesat e vendit tonë të mbrohen”, thuhet në përgjigjet e tyre.
Dhe sipas përgjigjeve të KOSTT, del të jenë të mbyllura vetëm linjat me Serbinë.
Ndërkohë, KOSTT nuk ka pasur ndonjë përgjigje decidive për të sqaruar rreth interesimit të Buletinit Ekonomik për të komentuar “pohimet e publikuara në shumë medie të Kosovës se problemet në linjat e transmetimit të energjisë elektrike janë përshkallëzuar sidomos pas krijimit të bursës energjetike ALPEX, një iniciativë ndërmarrje e përbashkët e KOSTT-it dhe OST-së së Shqipërisë.
Më konkretisht, pse dy linjat e interkoneksionit Kosovë-Shqipëri (400 kV dhe 220 kV) janë vënë ekskluzivisht në shërbim të ALPEX-it, duke bllokuar plotësisht qasjen e Kosovës për kalimin e energjisë jashtë kësaj berze”? KOST duke u përgjigjur në këtë pyetje ka thënë shkurt ka pasur raportime te shumta.
“Rrjedhimisht, e kemi të pamundur të përgjigjemi në këtë pyetje. E tëra që mund të themi është se rrjeti i transmetimit/kapacitetet transmetuese janë po ato që ka qenë edhe para lansimit të ALPEX-it”.
Ndërsa, rreth pyetjes së Buletini Ekonomik se “pse Kosova duhet domosdoshmërisht të importojë nga bursa shqiptare ALPEX, me çmime ndjeshëm më të larta se shumë bursa e tregje të tjera ndërkombëtare aktuale ndërkombëtare, të cilat kanë çmime shumë të ulëta se sa ALPEX?”, KOSTT ka thënë fjalë për fjalë “ALPEX Sh.A, është bursë që operon tregun e organizuar të energjisë elektrike në Kosovë dhe Shqipëri dhe shërben si mekanizëm/platformë e sigurt dhe transparente për shitësit dhe blerësit e energjisë elektrike, për më tepër në ndërlidhje me pyetjet tuaja drejtohuni ju lutem tek ALPEX”.
Sipas KOSTT-it, “kostoja mesatare e transmetimit në të dy drejtimet për vitin 2024 ishte: për kufirin Kosovë – Shqipëri rreth 0,76 EUR/MWh, për kufirin Kosovë – Mal i Zi është rreth 1,32 EUR/MWh, për kufirin Kosovë – Maqedoni e Veriut, rreth 1,20 EUR/MWh”. /Buletini Ekonomik/