Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka konfirmuar se kanë nisur hetime ndaj KESCO-s rreth blerjes të energjisë elektrike përmes importit gjatë vitit 2024.
Hetimet po zhvillohen rreth procedurave që janë ndjekur nga KESCO për angazhimin e kompanive për tregtim me energji elektrike.
Në vitin 2024, rreth 90 për qind e rrymës nga importi erdhi përmes “Noa Energy Trade”, një kompani kjo nga Shqipëria që hyri furishëm në tregun e Kosovës, qysh në vitin e parë të licencimit në vitin 2022.
Prej 68.9 milionë euro sa ishte vlera e importeve nga KESCO në vitin 2024, mbi 62 milionë euro i takojnë importeve vetëm përmes kompanisë “Noa Energy Trade”. Për një vit, nga kjo kompani janë importuar energji elektrike gjithsej 345 mijë e 566 megavatë në orë.
“Për sa i përket monitorimeve dhe hetimeve që janë në proces, ato do të publikohen vetëm pas përfundimit të procesit dhe miratimit nga Bordi i ZRRE-së”, thuhet në një përgjigje nga ZRrE për Buletinin Ekonomik.
Saktësisht, monitorimi konsiston në atë nëse Furnizuesi (KESCO) i është përmbajtur një rregulloreje të KOSTT që rregullon prokurimet e blerjeve të energjisë elektrike përmes importit.
Duke qenë se KESCO është kompani e rregulluar dhe nën mbikëqyrjen e ZRrE-së, ajo i nënshtrohet procedurave që dalin nga Regullorja e KOSTT me titull “Procedura për Tregtimin e Energjisë Elektrike”. Kjo rregullore parasheh tregtimin afatgjatë, përkatësisht shitjen/blerjen e energjisë elektrike për një periudhë prej një muaji apo më gjatë, dhe tregtimin afatshkurtër që nënkupton shitjen/blerjen e energjisë elektrike për një periudhë deri në një muaj, një ditë përpara, apo brenda ditës, që nga momenti i pranimit/dërgimit të energjisë elektrike.
Tregtimi afatshkurtër i energjisë elektrike organizohet nëpërmes një mekanizmi të kontratave kornizë dhe ankandeve.
Edhe kur përdoret kontrata kornizë apo ankandi, KESCO, sipas kësaj rregulloreje, është e obliguar që të jetë e hapur për të gjithë tregtarët që kanë të drejtë ligjore për të tregtuar energjinë elektrike.
Rregullorja e obligon KESCO-n që të hapë ankand, duke u dhënë mundësi për të ofertuar të gjithë tregtarëve që kanë licencë nga ZRrE për tregtim me energji elektrike. Një kërkesë për ofertë duhet t’u dërgohet tregtarëve me e-mail apo thirrje telefonike. Derisa qëllimi final është zhvillimi i konkurrencës që të vihet deri të një çmim sa më i favorshëm.
Kompanitë me licencë të ZRrE-së që i shesin rrymë KESCO-s, zakonisht zbatojnë një çmim tavan që i referohet çmimit në ndonjërën prej bursave ndërkombëtare. Por, çmimi mund të bie, varësisht prej ofertimit nga “konkurrentët” në procedurën e ankandit. Të licencuara nga ZRrE tregtim me energji elektrike janë gjithsej 19 kompani.
KESCO në adresimet e Buletinit Ekonomik ka dhënë përgjigje përgjithësuese kur është pyetur nëse janë ndjekur këto procedura në rastin e importeve të energjisë elektrike gjatë vitit 2024. Kanë thënë shkurt se “Kur bëhet fjalë për procedurat e prokurimit për operimet e importeve ditore, ne kemi të ndërtuara procedurat e brendshme të cilat janë të pranuara nga ZRrE”. Por, nuk kanë dhënë sqarime të mëtejshme nëse këto procedura janë në harmoni me rregulloren e KOSTT-it.
LEXONI EDHE:
Monopoli i NOA-s ‘trashi’ çmimet e importit të rrymës më 2024
Rritje e kostos për transportin e energjisë së importuar nga KESCO për 907% në vitin 2024