Linja nënujore e transmetimit të energjisë elektrike Shqipëri-Itali është pjesë e korridorit 8, që lidh Evropën me Bullgarinë, duke kaluar përmes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Sikurse për projektet rrugore e hekurudhore, edhe linjat e transmetimit energjetik ndjekin të njëjtën gjurmë kalimi, duke nisur nga Bari e Brindisi në Itali, për të vazhduar në Vlorë e Durrës, drejt Elbasanit, Qafë Thanës ku bëhet lidhja me Maqedoninë e Veriut e për të përfunduar në Varna e Burgas në shtetin bullgar.
Zhvillimet e para konkrete për ndërtimin e segmentit energjetik nënujor Itali – Shqipëri u shënuan në 24 maj 2007, kur në Bari u nënshkrua një deklaratë e përbashkët nga ministrat e ekonomisë së 2 vendeve për një projekt bashkëpunimi të integruar italo-shqiptar në sektorin elektroenergjetik.
Ndërkohë që, në vitin 2008 Ministria italiane e Zhvillimit Ekonomik bëri me dije detajet e projektit të asaj kohe, që përfshinte ndërtimin e një linje nënujore me kapacitet 500 – 1000 MW, me një gjatësi mbi 200 km nga Foggia në Durrës. Investimi i vlerësuar në atë kohë ishte mbi 300 mln euro, por projekti nuk u realizua ndonëse u cilësua si inovativ për lidhjen elektrike përmes mjeteve të tregut.
Pas shumë vitesh në heshtje ndërtimi i kabllos nënujore u rikthye në vëmendje në vitin 2023, kur përmes një takimi të zhvilluar nga OST shqiptare me drejtuesen e Operatorit të Sistemit të Transmetimit Italian (TERNA), u nda mendimi i përbashkët mbi nisjen e punës për hartimin e projektit të fizibilitetit teknik dhe ekonomik.
Po ashtu, në dhjetor 2023 u njoftua arritja e dakordësisë me qeverinë italiane dhe me Emiratet e Bashkuara, që kishin vendosur të ishin pjesë e projektit, për ndërtimin e kësaj linje energjetike. Gjithashtu, në gusht të vitit 2024 u zhvillua një takim mes përfaqësuesve të operatorëve të transmetimit të 2 vendeve.
E pranishme në takim ishte edhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, e cila në atë kohë i konsideroi linjat e interkoneksionit si tejet të rëndësishme, jo vetëm në aspektin energjetik, por edhe në marrëdhëniet gjeopolitike, sidomos për rajone dinamike si ai i Ballkanit.
Aktualisht, sistemi shqiptar i transmetimit është i lidhur me sistemet fqinje të Kosovës, Malit të Zi dhe Greqisë, me 6 linja interkoneksioni të shkëmbimit ndërkufitar, ndërsa në proces është edhe lidhja me Maqedoninë e Veriut. /Scan tv/