Mbyllet terminali doganor në Han të Elezit, protestojnë 120 punëtorët që mbetën pa punë

Afro 120 punëtorë të Terminalit Doganor në Han të Elezit, të cilët kanë mbetur të papunë kanë protestuar sot pas vendimit të Ministrisë së Financave për mbylljen e këtij terminali.

Gazeta online Reporteri.net ka siguruar pamje nga protesta e sotme e punëtorëve të këtij terminali.

Të mbetur pa punë, ata janë shprehur të pakënaqur me këtë vendim.

Reklama e sponzorizuar

Gazeta online Reporteri.net ka siguruar edhe vendimin për mbylljen.

“Siç jeni në dijeni se për shkak se kushtet që e kanë mundësuar vendosjen e zyrës doganore në hapësirat e Operatorit Ekonomik “Terminali” SH.P.K në Hani i Elezit pushojnë nga data 16.01.2025 si rezultat i skadimit të licencës dhe procesit të shpronësimit, Dogana e Kosovës detyrohet të pushoj veprimtarinë si zyrë doganore në këto hapësira dhe me këtë tërheq stafin si dhe ndal operimin zyrtar.”, thuhet në vendimin e siguruar nga Reporteri.net.

 

 

 

Historia e kontestit të këtij Terminali

Një kontest mes një operatorit ekonomik në Han të Elezit dhe Qeverisë së Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Infrastrukturës ka nisur që nga viti 2014, kur shteti ndërhyri në një pronë që ishte në posedim të privatizuesit. Kjo pronë ndodhet në afërsi të pikës kufitare me Han të Elezit.

Aty transportuesit e mallrave që nga viti 2010 deri në 2014 kishin paguar një taksë në vlerë 40 euro për kalim tranzit pasi prona ishte e privatizuar nga “Terminali” Sh.p.k e ku pikërisht aty ndodhej edhe një terminal doganor.

 

 

Kompania “Terminali” e kishte privatizuar pronën në valën e 40-të në vitin 2010 nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP). Bazë kontratës, privatizuesi duhej të vazhdonte funksiononte si terminal ashtu siç e kishte blerë. Në vitin 2014, Ministria e Infrastrukturës ndërhyri duke krijuar një rrugë që maunët të kalojnë për zhdoganim në cilindo terminal që duan.Asokohe, lindi një kontest në mes të privatizuesit dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit.

“Terminali” Sh.p.k. në vitin 2014 kishte paditur Ministrinë për pengim në posedimin e pronës.

Në këtë padi përshkruhej se Ministria e Infrastrukturës pa përfillur rregulla i kishte larguar barrierat dhe i kishte marrë në posedim me dhunë atë pjesë të rrethojave, për zgjerim të rrugës pa pëlqimin e ndërmarrjes.

Gjykata e Ferizajt i kishte dhënë të drejtë ndërmarrjes dhe kishte konstatuar se Ministria e kishte penguar paditësin në posedimin e pronës së tij. Me këtë vendim, e kishte urdhëruar Ministrinë që ta kthente gjendjen sikurse ka qenë. Vendimi i tillë ishte aprovuar edhe nga Gjykata e Apelit, e cila i kishte refuzuar ankesat e institucionit publik.

 

 

Lidhur me këtë çështje kishte vendosur edhe Gjykata Supreme. Instanca më e lartë gjyqësore në vend e kishte hedhur si të palejuar revizionin (kundërshtimet e Ministrisë) me konstatime se në këto çështje nuk lejohet ushtrimi i këtij mjeti juridik. Pasi kishin vendosur të tri instancat gjyqësore, ndërmarrja kishte kërkuar zbatimin e vendimeve, me ç’rast përmbaruesi privat më 13 tetor të 2021 e urdhëroi Ministrinë që t’i zbatojë vendimet e gjyqësore.

Më 21 tetor 2021, përmes një përmbaruesi privat, rrethojat u vendosën. Maunet që hynin tranzit paguanin një taksë në prej 40 eurove, e në disa raste në bazë marrëveshjes, edhe më lirë.

Mirëpo, më 7 shkurt 2022, Ministria e Infrastrukturës kishte ndërhyrë sërish.

Kësaj radhe thanë se larguan barrierat metalike që ishin të vendosura në një rrugë përgjatë terminalit doganor e rrjedhimisht edhe lirimin e pagesës së kësaj takse.

 

 

Ndërkaq, Kompania pretendon se parcelat me numër 354-1 , 356, 355-1, 353-1, 351-1, 354-2,352-1, 351-3 janë parcelat që Terminali Sh.p.k thotë se i kanë në posedim dhe që në to, Ministria e Infrastrukturës në vitin 2014 kishte ndërtuar një rrugë.