Referuar rezultateve nga analiza e “Scan Intel” shihet se pesha e vizitorëve nga Kosova ndaj totalit në Shqipëri, sa i përket kësaj periudhe, vlerësohet në 39%. Nga ana tjetër, pesha e vizitave nga Maqedonia e Veriut regjsitrohet në 7.1%, nga Mali i Zi në 5.5%, nga Serbia në 1% dhe nga Bosnje Hercegovina në 0.5%.
Industria e turizmit në Shqipëri ka përjetuar ditët më të mira përgjatë vitit 2024, duke kontribuar ndjeshëm në ekonomi. Pritshmëritë janë që ky sektor të vazhdojë të jetë një faktor kyç me ndikim të rëndësishëm në rritjen ekonomike përgjatë viteve në vijim.
Shqipëria është vizituar masivisht nga vende të ndryshme të botës, ku 50 prej tyre bëhen të ditura nga publikimet e INSTAT. Nga të dhënat e përpunuara vihet re se një numër i lartë turistësh që kanë vizituar Shqipërinë janë sidomos nga Kosova dhe Italia, vende që për 11-mujorin kanë një peshë prej gati 50%, pra gjysma e hyrjeve nga të huajt.
“Scan Intel” këtë herë vjen me një analizë dedikuar vendeve të rajonit, për të parë se sa ka qenë interesi i tyre ndaj Shqipëisë dhe sa kanë shpenzuar përgjatë sezonit turistik në vendin tonë. Është marrë në analizë periudha Prill-Shtator e vitit 2024, pra tremujori i dytë dhe i tretë, pasi është një periudhë ku janë regjistruar më shumë turistë dhe përkon edhe me shtrirjen e sezonit turistik në vend vitet e fundit.
Referuar rezultateve nga analiza e “Scan Intel” shohim se pesha e vizitorëve nga Kosova ndaj totalit, sa i përket kësaj periudhe, vlerësohet në 39%. Nga ana tjetër, pesha e vizitave nga Maqedonia e Veriut regjsitrohet në 7.1%, nga Mali i Zi në 5.5%, nga Serbia në 1% dhe nga Bosnje Hercegovina në 0.5%. Nga ana tjetër, sipas të dhënave të “Bankës së Shqipërisë” edhe shpenzimet e turistëve kanë prekur rekord, ku për periudhën Prill-Shtator vlerësohen në 3.1 miliardë euro.
Sipas një projeksioni të thjeshtë, bazuar në shifrat e periudhës së përmendur më lart, mund të gjejmë se sa kanë shpenzuar turistët nga vendet fqinje në Shqipëri. Me një përfaqësim prej rreth 39% të totalit, ku çdo turist vlerësohet të ketë shpenzuar një shifër mesatare, turistët nga Kosova përafërsisht kanë shpenzuar rreth 1.2 miliardë euro gjatë vitit të kaluar. Ndërkohë, turistët nga Maqedonia e Veriut vlerësohet të kenë shpenzuar në Shqipëri rreth 217.7 milionë euro.
Nga ana tjetër, më pak kanë shpenzuar turistët nga Mali i Zi, Serbia dhe Bosnje Hercegovina me 168.7 milionë euro, 30.6 milionë euro dhe 15.3 milionë euro përkatësisht. Theksojmë se këto janë rezultatet sipas një projeksioni të thjeshtë, bazuar në shifrat zyrtare sa i përket mesatares së shpenzimeve.
Nëse marrim në analizë periudhën njëmbëdhjetë mujore, rezulton se hyrjet nga rajoni vlerësohen në rreth 5.9 milionë, ku peshën më të madhe e kanë hyrjet nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Ndërkohë, me rritjen më të madhe vjetore paraqitet Serbia prej 22.1% më shumë hyrje se në të njetjtën periudhë të një viti më parë. Kurse Maqedonia e Veriut renditet e dyta me një rritje prej 21%. /Scantv/