Ndotësit e ajrit, tokës dhe ujit në Republikën tonë, ka vite që tejkalojnë të gjitha normat dhe standardet e ndotjes së ambientit. Kosovarët ndotjen enorme të ambientit vazhdojnë të vuajnë edhe në ditët e para të vitit 2025, në ditët e parafushatës së egër zgjedhore, kur pretendentë për pushtet të ri të pritshëm në këtë vend, premtojnë “lugë të florinjta” dhe gjithçka tjetër, por asnjëri nga ta as nuk kujtohet se ky vend ka nevojë urgjente për të qenë më i pastër dhe më normal për të jetuar.
Mehmet Gjata
Kosova edhe në fundvitin që shkoi, edhe në këtë vit të posa nisur, vazhdon të ketë ambient tej mase të ndotur. Ndotësit e ajrit, tokës dhe ujit në Republikën tonë, ka vite që tejkalojnë të gjitha normat dhe standardet e ndotjes së ambientit. Kosovarët ndotjen enorme të ambientit vazhdojnë ta vuajnë edhe në ditët e para të vitit 2025, në ditët e parafushatës së egër zgjedhore, kur pretendentët për pushtet të ri të pritshëm në këtë vend, premtojnë “lugë të florinjta” dhe gjithçka tjetër, por asnjëri nga ta nuk kujtohet se ky vend ka nevojë imediate dhe urgjente për të qenë më i pastër dhe më normal për të jetuar.
Pretendentët për pushtet nuk ndalen së premtuari paga perëndimore e mirëqenie skandinave, ndërsa Kosova ka ditë që nuk lëshon kryesimin e vendeve më të ndotura në botë. Edhe më 2 janar 2025, sipas të dhënave të IQAir, një kompani zvicerane e teknologjisë së cilësisë së ajrit, e specializuar në mbrojtjen kundër ndotësve të ajrit, kryeqyteti jonë rangohet shumë lartë, madje futet ndër pesë qytetet më të ndotura të botës. Para Prishtinës rangohen vetëm Sarajeva, kryeqyteti i Bosnjës e Hercegovinës, Dhaka (Bangladesh), Nju Delhi (INDI) dhe Hanoi i Vietnamit.
Edhe më 1 janar, Prishtina ishte në krye të listës së qyteteve më të ndotura në botë. Indeksi i ajrit në Prishtinë në ora 09:07 ishte 162, që cilësohet me ajër të pashëndetshëm, derisa nga qytetet e rajonit me ajër më të ndotur është Sarajeva, e cila ndodhet në vendin e tretë me indeksin e ajrit 233.
Ka ditë edhe gjatë dhjetorit që Prishtina jonë ka zënë vend të lartë te qytetet më të ndotura të botës, dhe kryeqyteti jonë praktikisht për shtetin e vogël si Kosova, flet për përmasat alarmuese të ndotjes në mbarë vendin. Më konkretisht, Kosova vazhdon të jetë njëra ndër vendet me ambient të ndotur dhe të degraduar, si rrjedhojë në radhë të parë e prodhimit të pjesës dërrmuese të energjisë elektrike nga qymyri pwr dekada me radhë (aktualisht mbi 90 për qind e megavatëve te energjisë elektrike janë nga prodhimi në bazë të thëngjillit), por edhe të ndotësve të tjerë siç janë numri i madh i automjeteve të stërvjetëruara në qarkullim, mbushja e tokës së Kosovës me produkte të plastikës dhe prerja e egër dhe pa kontroll e maleve të vendit.
Ndotjes dhe degradimit në përmasa goxha alarmuese në Kosovë, pos emetimeve nga termokapacitetet e energjisë elektrike, i kontribuojnë edhe pakujdesi i publikut me shkarkimet, hedhjet e mbeturinave, por edhe neglizhenca e kahmotshme dhe e përvitshme e autoriteteve dhe zyrtarëve për të monitoruar në vazhdimwsi dhe përditë përqëndrimin e ndotësve në ajër, në tokë dhe në ujëra dhe për të ndërmarrë masat e nevojshme për mbrojtjen e ambientit.
Sipas të dhënave të raportit të fundit të Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA), (të bëra publike më 10 dhjetor 2024) edhe në disa medie të vendit, numri i vdekjeve në Kosovë gjatë vitit 2022, që janë të lidhura me ekspozimin ndaj grimcave të imëta PM2.5 është frikësues. Në këtë raport saktësohet se më 2022 kanë ndodhur rreth 239 mijë vdekje në Bashkimin Europian, të cilat janë të lidhura me ekspozimin kundrejt grimcave të PM2.5, ndërsa vetëm në Kosovë ky numër ishte 2,400 veta. Në raportin EEA-së sqarohet se PM2.5 përfaqësojnë grimca mikroskopike, si pluhur, tym, blozë dhe materiale të tjera që shpërndahen në ajër. Për shkak të madhësisë së tyre të vogël, këto grimca depërtojnë lehtësisht në sistemin e frymëmarrjes dhe mund të hyjnë në qarkullimin e gjakut, duke shkaktuar stres oksidativ, inflamacion dhe një gamë të gjerë sëmundjesh kronike.
Sipas të dhënave për vitin 2022, në Kosovë ekspozimi ndaj niveleve të larta të PM2.5 rezultoi në: 2,400 vdekje të atribuara, 254 vdekje për 100,000 banorë të rrezikuar dhe 2,640 vite jetë të humbura për 100,000 banorë të rrezikuar, duke e vendosur Kosovën ndër vendet me ndikimin më të lartë relativ në Evropë. Kosova renditet pranë Maqedonisë së Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinës për ndikimin më të lartë relativ të PM2.5, ndërsa vendet me ndikimin më të ulët përfshijnë Islandën, Finlandën, Suedinë dhe Norvegjinë.
Në këtë raport thuhet se sipas analizave, sëmundja ishemike e zemrës dhe kanceri i mushkërive përbëjnë pjesën më të madhe të vdekjeve nga ndotja e ajrit. Për sëmundje të tjera si goditja në tru, diabeti, dhe sëmundjet pulmonare obstruktive kronike, ndikimi i morbiditetit është gjithashtu i lartë, duke përfaqësuar një barrë të rëndësishme shëndetësore. Ndërkohë, të dhëna të bëra publike nga individë ambientalistë dhe dashamirës të natyrës së pastër, por edhe ca të shifrave sporadike që vijnë nga institucione të ndryshme dhe nga shoqëria civile, flasin se Kosova ka nivel alarmant ndotjeje, dimrit dhe verës, në vendbanimet urbane dhe rurale, në tokë dhe në ujëra, por edhe pasoja të përmasave edhe më alarmuese se të Agjencisë Evropiane të Mjedisit të ndotjës së ajrit, ujërave dhe tokës në shëndetin e kosovarëve.
Madje, një raport i vitit 2019 i Bankës Botërore ishte shumë alarmues pwr Kosovwn. Në raportin e BB-së thuhej saktësisht se ndotja e ajrit vret rreth 760 njerëz çdo vit në Kosovë.
“Komuna e Obiliqit ka rreth 30 për qind më shumë pacientë me sëmundje kronike të frymëmarrjes dhe 30 për qind më shumë raste të tumoreve malinje (kanceri) sesa pjesët tjera të Kosovës si pasojë e ndotjes së mjedisit”, kanë konstatuar mjekët vendas.
Sipas të dhënave të Balkan Green Foundation, “njerëzit që jetojnë në zona të kontaminuara (lexo: njerëzit që jetojnë rreth e qark kompleksit elektroenergjetik të Kosovës) humbasin rreth pesë vjet jetë për shkak të ndotjes së ajrit”.
Në fillim të nëntorit të sivjetshëm, me rastin e lansimit në Prishtinë të raportit të UNICEF-it “Analizë mbi gjendjen klimatike për fëmijët”, u shpalos edhe një raport i cili hedh dritë mbi mënyrën se si ndryshimet klimatike, sfidat mjedisore dhe energjetike ndikojnë në të drejtat e fëmijëve si dhe qasjen në shërbimet jetike në Kosovë, përfshirë shëndetin, arsimin dhe sanitarinë. Sipas raportit të publikuar, mjedisi dhe ndryshimet klimatike përbëjnë tre nga pesë faktorët kryesorë që rrezikojnë shëndetin nga sëmundjet e ndryshme tek fëmijët nën 5-vjeç në Kosovë dhe gjithë Ballkanin Perëndimor. Cilësia e ajrit në Kosovë, u tha edhe me këtë rast, se është ndër më të këqijat në Evropë, me më shumë se 25 herë sesa kufiri i sigurt i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për fëmijët.
Sërish këtyre ditëve, banorët e Obiliqit dhe vendbanimeve që shtrihen në afërsi të kompleksit elektroenergjetik të Kosovës, kanë alarmuar publikisht (për të satën herë) për ndotjen enorme dhe disa herë mbi çdo standard të mbrojtjes së ambienetit nga termocentralet Koosova A dhe Kosova B dhe për pasojat e rënda shëndetësore që po shkaktojnë “fabrikat” e prodhimit të rrymës ndër banorët e këtyre vendbanimeve. Rrezikohet, para sw gjithash, shëndeti i qindra banorëve në radhë të parë nga pasojat e tymit dhe grimcave të hirit që dalin pa kontroll nga oxhakët e termocentraleve të Kosovës A dhe Kosovës B, keqësohet gjendja e qindra të sëmurëve kronikë si pasojë e ndotjes së pamatë të ajrit, ujit dhe tokës, por edhe paraqiten raste të reja të të sëmurëve numerikisht të shumtë.
Për gjendjen skajshmërisht të ç’ekuilibruar dhe në përmasa të frikshme të ambientit si pasojë e ndotjes së madhe, Buletini Ekonomik ka raportuar për opinionin disa herë, sikundër edhe për pasojat e përmasave alarmuese të ndotjes së ajrit, ujërave dhe tokës. Duke alarmuar kështu se Kosova vazhdon të jetë njëra ndër vendet me ambientin më të ndotur dhe mw të degraduar, si rrjedhojë në radhë të parë e prodhimit të pjesës dërrmuese të energjisë elektrike nga qymyri për dekada me radhë.
Sipas njoftimit të Komunës së Obliqit, të dhënat e vitit 2023 tregojnë se sëmundjet respiratore kanë arritur në 17 mijë e 912 raste, ndërsa ato të qarkullimit të gjakut në 7 mijë e 355 raste në këto vendbanime. Po ashtu, sipas këtij njoftimi, çdo vit në Obiliq regjistrohen mesatarisht 50 raste të reja me sëmundje kancerogjene.
Ndërkohë të dhënat e këtoditshme të IQAirit zviceran, për ndotjen enorme dhe disa herë mbi çdo standard të mbrojtjes së ambientit në Prishtinë, është edhe një informacion, ose përkujtues, ndër qindra sish të bërë deri më tash, në adresa të autoriteteve dhe zyrtarëve për pasojat e aktuale, por edhe ato të deritashme të shkaktuara nga ambienti i ndotur përtej çdo parashikimi. Ndërsa zyrtarët dhe vendimmarrësit vazhdojnë të sodisin nga kancelaritë e rehatshme të tyre, pa ndërmarrë asnjë masë të vetme për ta sfiduar, apo për ta zbutur këtë problem. Ndërsa pretendetët e ri për pushtet vazhdojnë të prrallisin, të deklarojnë dhe të premtojnë broçkulla për “parajsën’ që do ta bëjnë ata. Dhe “punë e madhe” se Kosova vazhdon të jetë njër ndër vendet me ambient të ndotur dhe të degraduar në glob, për mosveprim as nga KEK-u, as nga institucionet e tjera të shtetit për të parandaluar, ose për të minimizuar sa më shumë pasojat e ç’ekuilibrimit të tejdukshëm të ambientit nga ndotja. /Buletini Ekonomik/