Rama dhe Zogaj njoftojnë shpalljen e tenderit për projektin “Solar4Kosovo II – Ngrohja Qendrore Solare”

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, dhe Nënkryetari Zogaj, kanë njoftuar sot shpalljen e tenderit për projektin ambicioz “Solar4Kosovo II – Ngrohja Qendrore Solare”.

Ky projekt inovativ synon të ofrojë energji të pastër për ngrohjen e qytetit, duke përfshirë pesë lagje kryesore të kryeqytetit: Tophane, Prishtina e Vjetër, Lakrishte, Kalabria dhe Mahalla e Muhaxherëve, duke përfituar rreth 32,000 banorë.

Solar4Kosovo është projekti i parë i këtij lloji në Ballkan dhe i dyti më i madh në Evropë. Me një kapacitet prej 50 MW, ai do të prodhojë energji termike përmes një fushe panelesh solare termike me sipërfaqe 63,000 m² dhe një rezervuari të madh për akumulimin e ujit të ngrohtë me kapacitet 380,000 m³.

Reklama e sponzorizuar

Përveç përmirësimit të sistemit të ngrohjes qendrore, ky projekt do të ketë ndikim të ndjeshëm në redukimin e ndotjes dhe mbrojtjen e mjedisit. Parashikohet që Prishtina të kursejë 44,000 ton CO₂ në vit, duke e vendosur qytetin në hartën globale të qyteteve të qëndrueshme dhe të gjelbra.