Kërkesa e re për të ringritur çmimin e rrymës, madje për 35 për qind, është fare e paarsyeshme, jashtë logjikës së menaxhimit të sistemit elektroenergjetik të Kosovës dhe jashtë tendencave globale për ulje të çmimit të rrymës, që tashmë e kanë përfshirë tregun energjetik ndërkombëtar. Është thjeshtë kërkesë e furnizuesit dhe distributorit turk, si dhe e KOSTT-it për të mbushur arkat e tyre me para të kosovarëve varfanjakë, duke zhvatur dhe plaçkitur banorët e Kosovës, që edhe sipas të dhënave zyrtare të asociacioneve të respektueshme financiare ndërkombëtare, rangohen të parët për nga niveli i varfërisë në Europë.
Mehmet GJATA
Në shumë vende të botës dhe të rajonit po vazhdon trendi i uljes së çmimit të energjisë elektrike. Në Shqipëri, premtimi i autoriteteve për çmime të këtij produkti që kushtimisht është bërë diktues i rrjedhave të zhvillimeve sociale dhe të mirëqenies së një vendi, ka nis të jetësohet nga 1 shkurti 2025. Të gjithë shqiptarët në Shqipëri tani paguajnë energjinë elektrike më lirë se sa ka kushtuar realisht gjatë vitit 2024. Ndërkohë në Kosovë, pavarësisht tendencave të prekshme për çmime të ulura në vende të shumta të globit, paturpësisht nga kompanitë e sektorit elektroenergjetik (KOSTT, KEDS dhe KESCO) po kërkohet ngritje e re, ose ringritje e çmimit të rrymës. Kërkesa e re për të ringritur çmimin e rrymës, madje për 35 për qind, e bërë publike në fund të javës së kaluar nga mediet, është konfirmuar edhe nga ZRRE-ja.
“Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) informon opinionin publik se ka pranuar aplikacionet nga operatorët e licencuar, në përputhje me kërkesat ligjore, për përshtatjet e të hyrave të lejuara maksimale”, thuhet në komunikatën e ZRRE-së të shpërndarë për media.
Sipas ZRRE-së, këto aplikacione janë aktualisht në proces të vlerësimit nga ZRRE, dhe pas përfundimit të këtij procesi, ZRRE do të publikojë raportin konsultativ, i cili do të ndahet me publikun për shqyrtim dhe komente.
Duhet thënë troç, pa hezitim, se kërkesa për ringritje të çmimit të rrymës në Kosovë, është fare e paarsyeshme, jashtë logjikës së menaxhimit të sistemit elektroenergjetik të Kosovës dhe jashtë tendencave globale që tashmë e kanë përfshirë tregun energjetik ndërkombëtar. Është thjeshtë kërkesë e furnizuesit dhe distributorit turk, si dhe KOSTT-it për të mbushur arkat e tyre me para të gatshme të kosovarëve varfanjakë, duke zhvatur dhe plaçkitur kosovarët, banorët e Kosovës, që edhe sipas të dhënave zyrtare të asociacioneve të respektueshme financiare ndërkombëtare, rangohet e para për nga niveli i varfërisë në Europë. Është shantazh dhe nëpërkëmbje totale e qytetarëve të këtij vendi, i cili i hapi ‘dyer e penxhere” dhe i fali favore të panumërta pronarëve të ri të distribucionit, dhe këto kompani, po shihet, nuk ngopen së kërkuari çmime të reja të ngritura, edhe pse siç dihet, në dy tre vjetët e fundit në Kosovë pati disa ngritje çmimesh të shpallura dhe të pashpallura, por me ndikim acarues dhe ç’ekuilibrues të gjendjes sociale.
Nuk ka më pse të “filozofojë” ZRRE-ja rreth kërkesës për tarifa të reja (lexo: çmimeve të reja). Duhet thënë troç dhe decidivisht: Boll më. Nuk mund të ketë në këtë vit në asnjë mënyrë çmime të ngritura të energjisë elektrike. Sepse, në Kosovë në dy – tre vjetët e fundit kanë ndodhur ngritje çmimesh enorme, dhe niveli i çmimit të rrymës ka prekur realisht mirëqenien e popullatës shumicë të këtij vendi dhe ka ndikuar ndjeshëm në ç’ekuilibrimin e mirëqenies së tyre dhe rritjes së numrit të të varfërve në Kosovë, pavarësisht zërave që vijnë nga zyrtarët e ZRRE-së dhe nga distributori dhe furnizuesi turk të konsumit të vendit me rrymë KEDS/KESCO “se në Kosovë çmimi i energjisë elektrike është ndër më të ulëtit në rajon”.
Çmimi i lartë i rrymës ka prekur të gjitha bizneset që për mbarëvajtjen e punës së tyre duhet domosdosshmërisht të konsumohet rryma. Me fjalë të tjera, çmimi i energjisë elektrike në Kosovë është i lartë, madje shumë i lartë, dhe për shumë qytetarë tashmë është bërë vështirë i përballueshëm, ose edhe i papërballueshëm fare. Dhe këtë fakt ZRRE-ja e di dhe e ka të njohur. Prandaj nuk ka pse të ketë kaq shumë mirësjellje dhe fjalë të zgjedhura kundrejt kërkuesve të çmimeve të reja. Duhet të bëhet me dije pa humbur kohë se nuk ka asnjë arsye për të ngritur çmimet e rrymës në Kosovë.
Gjithsesi, nuk duhet të stërgjaten as “vlerësimet përfundimtare për të hyrat e lejuara maksimale”, ose të tarifave të reja. Duhet, më në fund, një herë e mirë t’i thuhet KESCO/KEDS-it se në sektorin energjetik të Kosovës nuk ka asnjë logjikë edhe ekonomike, as tregtare për ngritje çmimesh. Dhe me këtë kundërshtim të kërkesave që nuk po prajnë kurrë të furnizuesit dhe të shpërndarësit të energjisë elektrike, të sfidohen më në fund shantazhet banale të KESCO/KEDS për të ngritur sërish dhe sërish çmimin e rrymës. Po e ripërsërisim, pas ngritjes enorme disa herë të çmimit të rrymës brenda periudhës kohore prej më pak se dy vjetësh, (së pari më 2021 mbi 100 për qind, një herë në shkurt të 2022-tës rreth 30 për qind, dhe në prill të 2023-tës diku përtej 15 përqindëshit), nuk ka asnjë arsye të vetme, as bazë ligjore, por as logjikë ekonomike që të ketë çmime të reja të ngritura të rrymës te ne.
Së pari, për shkak të çmimit të energjisë elektrike në botë, pas ngritjes së vrullshme të madhe që ndodhi pas pandemisë COVID-19 dhe sidomos pas fillimit të luftës ruso-ukrainase në nivel global, në vitin 2023 dhe 2024, por edhe sivjet, kanë zënë të ulen çmimet e rrymës, madje në periudha të ndryshme të vitit, çmimet e rrymës elektrike janë edhe 5-6 herë më të ulëta, se sa kur arritën kulmin në kohën e krizës globale energjetike. Bie fjala, në bursën hungareze, ku zakonisht Kosova blen rrymë në rast të mungesës së prodhimit vetanak, një megavat-orë në të shumtën e kohës gjatë një viti ka qenë shumëfish më i lirë se në ditët e krizës së madhe. Ndërkohë, gjatë ditëve më të ngrohta, gjatë tërë vitit 2023 dhe 2024 , çmimi i rrymës në tregun hungarez ka qenë mesatarisht rreth 60-70 euro megavati, dhe në raste edhe nën 40-50 euro megavati.
Një argument shumë pikant pse Kosova nuk ka arsye të ngritë çmimin e rrymës, është edhe rikthimi i bllok-tarifave më 2021, që ishte praktikisht një ngritje shumë e madhe e çmimit e fshehtë, e padeklaruar dhe ‘perfide’ nga ana e ZRRE-së. Me bllok tarifa u goditën direkt numri dërrmues i konsumatorëve kosovarë, për shkakun se shumica e tyre janë harxhues të mbi 800 kilovat-orë, dhe për të cilët konsumatorë, siç dihet, një kilovat-orë vazhdon ta ketë çmimin rreth 15 centë. Dhe ky çmim enorm i lartë dhe thuaja në stratosferë, që ka ndikim të drejtpërdrejtë në buxhetin e familjeve të varfëra kosovare dhe në mirëqenien e tyre vazhdon të jetë në fuqi, sado që është rifuqizuar padrejtësisht dhe jashtligjshëm.
Një arsye tjetër, pse nuk duhet më të ngritet çmimi i energjisë elektrike dhe që fare nuk e përfillin as ZRRE-ja dhe as KESCO, pa diskutim është se Kosova sot e kësaj dite e paguan çmimin e energjisë elektrike me koston shumë të lartë, si pasojë e rrezikimit të shëndetit të një numri të konsiderueshëm qytetarësh, të sëmurë, të paaftësuar përjetësisht, por edhe viktima të shumta të ndotjes së madhe të ambientit nga gazrat dhe hiri që lënë pas termocentralet e “mplakura” të Kosovës. Pasojat shëndetësore i vuajnë sidomos banorët që jetojnë rreth e përqark ambienteve të prodhimit të rrymës dhe minierave sipërfaqësore të qymyrit.
Të gjitha studimet e bëra deri më tash (të dhëna konkrete nga ato të botuara në shumë raste te Buletini Ekonomik) kanë dëshmuar se vdekjet numerikisht të shumta në fshatrat përrreth kompleksit energjetik të KEK-ut dhe sëmundjet e shumta kronike ndër këta banorë, janë kryekëput si pasojë e ndotjes enorme të ajrit, ujit dhe tokës në këtë rajon.
Dhe krejt në fund, edhe të dhënat rreth raportit të shitblerjes KEK-KESCO/KEDS të energjisë, respektivisht për marrëveshjen me të cilën KEK-u obligohet t’ia shesë KESCO-s energjinë elektrike të prodhuar nga termocentralet dhe thëngjilli i vendit me 29 euro megavat-orën, të cilën pastaj KESCO ua faturon konsumatorëve kosovarë për shumë herë më shtrenjtë, flet shumë kundër kërkesave për të ngritur çmimet sërish të rrymës. Ky çmim i tregtimit të rrymës KEK-KESCO është nënçmues dhe përbuzës për të gjithë punonjësit e sistemit elektroenergjetik të Kosovës dhe vë në vështirësi të mëdha KEK-un për shkak të tregtimit me çmim kaq të ulët, duke ia bërë të pamundshme KEK-ut investimet e synuara kapitale dhe të mirëmbajtjes më efektive të stabilimenteve prodhuese. Në anën tjetër, e favorizon, pafundësisht furnizuesin e rrymës, i cili për shumëfish më shumë ua shet këtë rrymë kosovarëve, të cilën e blen me çmim qesharak të ulët po nga kosovarët. Prandaj, nuk ka arsye dhe nuk duhet në asnjë mënyrë të lejohet ngritja e sërishme e rrymës, as nga ZRRE-ja, dhe as nga kompania turke për furnizimin me rrymë të Kosovës, KESCO.
Nuk duhet marrë nga ZRRE-ja seriozisht edhe shantazhet jo të pakta nga kompania turke për ngritje çmimesh dhe ca sinjale, të cilat tërthorazi i lëshon në publik si “Kosova ka çmimin më të ulët në rajon te rrymës”, “KESCO po shpenzon miliona euro për të importuar rrymën që mungon” etj,. ZRRE, në fund të fundit, ligjërisht është institucion fare i pavarur për të vendosur edhe për ecuritë e çmimeve të rrymës në Kosovë, pavarësisht shantazheve që vijnë nga palët e involvuara në furnizimin e konsumit të Kosovës me energji elektrike. Në këtë kontekst, ZRRE e ka obligim edhe mbrojtjen e konsumatorëve kosovarë. Fundja, ata duhet t’i mbrojë dikush. Bojkotimi i marketeve dhe supermarketeve në vendet e rajonit, i bërë gjatë shkurtit të sivjetshëm, tregon se ka mënyra e mënyra për të protestuar kundër çmimeve të ngritura jashtë logjikës ekonomike. /Buletini Ekonomik/









