Në Kosovë, gjatë vitit 2024 u larguan nga qarkullimi rreth 430 mijë kartëmonedha 500 eurosh

Euro

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) gjatë gjithë vitit të kaluar ka larguar nga qarkullimi rreth 430 mijë kartëmonedha të prerjes 500 euro, vlera totale e të cilave arrinte në rreth 215 milionë euro. Gjithashtu, ky institucion ka ndërmarrë aktivitete tjera që kanë luftuar paranë e falsifikuar duke mundësuar furnizim të ekonomisë me para’.

Më 4 maj 2016, Banka Qendrore Evropiane vendosi të ndërpresë prodhimin dhe hedhjen në qarkullim të kartëmonedhës të prerjes më të madhe prej 500 euro, dhe si rrjedhojë duke filluar prej 27 janarit 2019, 17 nga 19 bankat qendrore kombëtare të Eurozonës nuk kanë hedhur më në qarkullim këto kartëmonedha.

Vendimi u mor në atë periudhë pasi u vërtetua se kjo kartëmonedhë përdorej kryesisht nga kriminelët për të transferuar shuma të mëdha parash në pjesë të ndryshme të botës, për shkak të lehtësisë për t’u transportuar. Gjithsesi, ashtu si të gjitha kartëmonedhat e tjera, edhe ajo prej 500 euro ruan vlerën e saj dhe mund të këmbehet në një bankë qendrore kombëtare të zonës së euros në çdo kohë.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkohë në Kosovë, Banka Qendrore raporton se numri i transaksioneve përmes Sistemit Ndër-bankar të Pagesave (KIPS) u rrit në 1.8 milion gjatë vitit të kaluar, apo 9.5%, kurse vlera e transaksioneve është rritur rreth 3.6 miliardë euro, apo 16.3%. Në vitin 2024 janë procesuar rreth 21 milionë transaksione me vlerë totale rreth 25.4 miliardë euro, që është ekuivalent me rreth 2.4 herë e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Numri i bankomatëve (ATM) dhe numri i terminaleve POS është rritur respektivisht me 8.4% dhe 21.4% krahasuar me vitin paraardhës.

Një rritje e theksuar evidentohet tek llogaritë e parave elektronike të cilat në vitin 2024 kanë arritur në 79,706 llogari duke shënuar një rritje prej 34,049 apo 74.6% krahasuar me vitin 2023. Gjithashtu, siç raporton Scantv, janë raportuar rreth 2.2 milion transaksione të pagesave me para elektronike duke shënuar një rritje prej 35% krahasuar me vitin 2023.