Punimet për rehabilitimin e rrugës Transite në Gjakovë, sfidë për bizneset që operojnë në këtë zonë

Gjatë ditës së djeshme ishte paraparë të nis rehabilitimi i rrugës Transite në Gjakovë, rrugë kjo e cila cilësohet si një ndër rrugët më të rëndësishme të qytetit të Gjakovës, duke pasur parasysh që në këtë rrugë gjinden shumë institucione të rëndësishme për qytetarët e Komunës së Gjakovës.

Mirëpo, pavarësisht nisjes së rehabilitimit të kësaj rruge, duket se projekti për rehabilitimin e kësaj rruge është problem për disa nga pronarët e bizneseve të cilat operojnë në këtë zonë ku do të kryhen punimet.

Sipas përfaqësuesve të një biznesi që operon në këtë zonë, pjesa më sfiduese e këtij procesi do të jetë vështirësia që do të hasin klientët në parkimin e makinave të tyre në mënyrë të kryejnë shërbime tek biznesi i tyre.

Reklama e sponzorizuar

“Pjesa më e vështirë për ne do të jetë ndalja apo prakimi i makinave të cilën klientët do të duhet ta bëjnë në mënyrë që të kryejnë shërbime nga biznesi ynë, dhe mendoj që gjatë zhvillimit të punimeve pjesa e parkingut për klientë do të bllokohet tërësisht, gjë e cila sipas nesh do të jetë sfida kryesore në të cilën do të hasim gjatë fazës së punimeve, dhe shpresojmë që do të hasim në mirëkuptim me klientët tanë, që më pas të bëjmë ri-organizimin e biznesit në një mënyrë tjetër.”

Rehabilitimi i kësaj rruge përfshinë rregullimin e tërësishëm të rrjetit nëntokësor të ujërave të zeza dhe atyre atmosferikë, rrjetit elektrik dhe atij të ngrohtores, ndërrimi i gypave të ujësjellësit, pastaj ndërtimi i trotuareve të rinj, shtigjeve për biçikleta, asfaltimi, shenjëzimi, ndriçimi dhe gjelbërimi i tërësishëm i rrugës.

Ndër të tjera theksojmë që ky projekt kap vlerën prej 5.7 milion Euro dhe është investim i tërësishëm i komunës së Gjakovës. /Telegrafi/