Tregtarët në tregjet e gjelbra të Kosovës, por edhe në markete e supermarkete, po vazhdojnë t’i mbesin besnik trendit të kahershëm të përditësimit të çmimeve të perimeve dhe pemëve me ngritje të vazhdueshme. Ata, së paku në deklarimet e tyre, nuk shprehin as ndonjë shqetësim edhe për bojkotin e mundshëm nga konsumatorët, të paralajmëruar të ndodhë pas zgjedhjeve për shkak të çmimeve të larta. Tregtarët me pakicë thonë se çmimet e produkteve bujqësore kushtëzohen nga tregu me shumicë.
Buletini Ekonomik
Janari i sivjetshëm në Kosovë karakterizohet me çmime të larta të shumë produkteve dhe shërbimeve, e veçmas të mbizotërimit të çmimeve enorme të larta të produkteve bujqësore. Tregtarët, me gjasë ose, nuk po i dëgjojnë premtimet e pasosura të pretendentëve për poste të pushtetit në parafushatën që ka nisë kaherë, për ulje çmimesh “posa të ulen në kolltuqet e pushtetit” ose po i injorojnë këto premtime fare, po vazhdojnë t’i mbesin besnik trendit të kahershëm të përditësimit të çmimeve të perimeve dhe pemëve me ngritje të vazhdueshme. Ata, së paku në deklarimet e tyre, nuk shprehin as ndonjë shqetësim edhe për bojkotin e mundshëm nga konsumatorët, të paralajmëruar të ndodhë pas zgjedhjeve.
Çmimet e produkteve bujqësore (të pemëve dhe perimeve veçmas, por edhe të vezëve, miellit të misrit dhe të tjera) në janar kanë shënuar ndryshime të vërejtshme, duke dominuar ngritja e tyre te shumica e perimeve, veçmas, ndërsa trendi i çmimeve të larta te vezët, që ka filluar që më herët, në nëntor dhe dhjetor të 2024-tës, ka vazhduar të dominojë edhe në janarin e këtij viti.
Një komplet vezësh të cilësuar si “kategoria e parë”, gjatë tërë muajit të parë të janarit 2025 dhe në javën e parë të shkurtit, në tregjet e gjelbra të kryeqytetit, ka kushtuar 3,70 euro. Ndërkohë, në markete dhe supermarkete çmimi i vezëve, hiç të ashtuquajturat “aksione”, është edhe më i lartë.
Një kilogram i specave djegës, me cilësi në pamje të jashtme të mirë, të enjten në tregjet e gjelbra të kryeqytetit tregtohej me 3 deri 3,5 euro, dhe në disa markete edhe 4 euro. Domatet, pokështu, kanë çmime të larta edhe për stinën e dimrit, kur rëndom shtrenjtohen pemët dhe sidomos perimet. Një kilogram i domateve të cilësisë së mirë dje në tregun kryesor të gjelbër të kryeqytetit tregtohej me 1,80 dhe 2 euro, ndërsa në minimarkete dhe në disa shitore të pemëve dhe perimeve, çmimi i domates ishte 2,5 euro e përtej.
Qepët vazhdojnë të kenë çmim “të lirë” krahasuar me perime të tjera dhe kushtojnë nga 0,50 centë deri në 1 euro kilogrami, varësisht nga cilësia. Sallatat jeshile, të freskëta, prodhim nga serrat e mbuluara të vendit, kanë çmimin nga 50 deri në 70 centë. Ndërkohë lakra, si e vjetra si e reja, edhe në janar dhe në këto ditë të para të shkurtit të sivjetshëm, tregtohet me çmim rekord për disa vitet e fundit. Një kilogram i lakrës së re, kushton 1,20 euro, ndërsa kilogrami i lakrës së vjetër tregtohet me 1 euro kilogrami.
Te pemët bie në sy ngritja e ndjeshme e çmimit të mollëve. Dje, një kilogram i mollës së mirë vendore kushtonte 1 euro, ndërsa kilogrami i mollëve të importuara (sipas tregtarëve, nga Polonia), kishte çmimin 1,3 euro. Dardhët tregtoheshin me çmimin nga 2,5 deri në 3 euro kilogrami, ndërsa portokalli tregtohej me 1,2 euro për kilogram.
Ndërsa çmimi i bananeve, sipas blerësve, ka zënë të stabilizohet dhe ka disa javë që ky frut tregtohet në tregjet tona nga 1, 2 euro kilogrami. Tregtarët me pakicë thonë se çmimet janë të larta për shkak se edhe ata i blejnë me çmime të larta produktet bujqësore në tregun me shumicë, prej nga furnizohen ata.
“Nuk ka ditë që nuk ka ndyshime të çmimeve në tregun me shumcë, qoftë të perimeve dhe të pemëve nga importi, që gjithsesi janë dominuese, qoftë të atyre vendore”, thotë një tregtar, i njohur nga prishtinasit si më i ndërgjegjshëm në punën e tij.
Në këtë mënyrë, sipas tij, vazhdon të bëhet ngritja e çmimeve të produkteve bujqësore.
”Kur e blejmë më shtrenjtë në tregun me shumicë, domosdo do ta shesim më shtrenjtë”, thotë ai. /Buletini Ekonomik/