Shteti, autoritetet dhe zyrtarët kompetentë janë të heshtur fare, po tregohen të painteresuar për kaosin e krijuar në sektorin e çmimeve, ndërkohë që tregtarët abuzivë, po e shfrytëzojnë këtë “inekzistencë” të shtetarëve për të manipuluar dhe për të abuzuar me ngritje enorme çmimesh të shumë produkteve të konsumit , sidomos të shumë produkteve ushqimore. Pikëpamjet e vonuara të autoriteteve (Presidencës, Qeverisë dhe ministrisë së Financave) rreth paralajmërimit për ringritje të çmimit të energjisë elektrike dhe pasojave zingjir që pritet t’i shkaktojnë çmimet e ngritura të rrymës.
Mehmet GJATA
Në Kosovë, ka javë e muaj, qëkur në sektorin e tregtimit, sidomos në ecuritë e çmimeve, dominon gjendje anarkie totale. Praktikisht në këtë sektor, që para zgjedhjeve, gjatë fushatës zgjedhore, gjatë zgjedhjeve dhe në tërë këtë periudhë dymujore të paszgjedhjeve, praktikisht dora e shtetit është inekzistente. Shteti, autoritetet dhe zyrtarët kompetentë janë të heshtur fare, po tregohen të painteresuar për kaosin e krijuar në sektorin e çmimeve, ndërkohë që tregtarët abuzivë, po e shfrytëzojnë këtë “inekzistencë” të shtetarëve për të manipuluar dhe për të abuzuar me ngritje enorme çmimesh të shumë produkteve të konsumit , sidomos të shumë produkteve ushqimore. Në këtë mënyrë, konsumatorët e varfër të Kosovës gjatë gjithë kësaj kohe, janë jashtë vëmendjes institucionale. Janë totalisht jashtë vëmendjes së institucioneve të shtetit edhe pse Kosova ka Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorëve, të miratuar që në qershor të vitit 2004 dhe i njëjti përfshinë të drejtën e informimit, sigurisë, të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u dëgjuar.
Por, edhe legjislacioni në fuqi në Kosovë, sikundër edhe institucionet kompetente të shtetit në këtë periudhë kanë qenë dhe janë shumë larg së bashkëjetuari me konsumatorin kosovar. Si rrjedhojë, konsumatorët në këta muaj dhe javë të këtij viti, as që i pyet ndokush për ndonjë gjë, për ndonjë proces të ecurive të konsumit, të ecurive të çmimeve, të tregtimit të produkteve me afate të skaduara dhe të atyre me cilësi të diskutueshme. Shtresa e varfër e qytetarëve të Kosovës që përbën shumicën e qytetarëve të këtij vendi, thënë shkurt, kanë mbetur në mëshirën e tregtarëve abuziv, manipulues të pangopshëm dhe shfrytëzues ordiner të gjendjes anarkike që dominon si pasojë e mosveprimit të institucioneve përkatëse. Në këtë periudhë, ka dështuar pafundësisht Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, institucion ky i financuar qind për qind nga paratë e taksapaguesve kosovarë dhe që e ka për obligim dhe detyrim vrojtimin e abuzimit me çmime dhe frenimin e manipulimeve dhe ngritjeve të egra të tyre.
Ka dështuar, si gjatë gjithë këtyre viteve Banka Qendrore e Kosovës, e cila sipas ligjit për këtë bankë (për BQK-në, pra), objektiva e dytë e BQK-së është ruajtja e stabilitetit të çmimeve. Por, ngritja abuzive e çmimeve është problem i huaj për këtë institucion dhe BQK-ja, sado që përcaktimi ligjor është fare i qartë dhe i saktë, nuk ka bërë asgjë në stabilitetin e çmimeve që nga themelimi. Këto ditë edhe pse disa çmime të produkteve ushqimore kanë shkuar në qiell dhe janë ngritur qind për qind, ndërsa te disa produkte ushqimore nga importi, marzha e fitimit është shënuar të jetë 4-5 fish me e lartë se kostoja e importit.
Megjithkëtë, nuk është ndier fare dhe në asnjë rast në këta muaj as ministrja Rozeta Hajdari, as Artane Rizvanolli, as Qeveria e Kosovës si tërësi institucionale, dhe praktikisht asnjë nga zyrtarët kompetentë që pagën e marrin për detyrimin që kanë në vrojtimin dhe parandalimin e keqpërdorimeve në ecuritë e çmimeve. Vazhdojnë të heshtin të gjithë këta, edhe më tutje. Më kot, përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe ekonomistë, por edhe qytetarët e rëndomtë, nuk rreshtin së kërkuari nga Qeveria e Kosovës të vendosë masa për t’i mbrojtur qytetarët nga rritja abuzive e çmimeve të produkteve ushqimore dhe karburanteve në tregun vendor dhe së paku të deklarohet rreth çmimeve të reja të ringritura të rrymës. Të gjithë këto subjekte vazhdojnë të kërkojnë angazhimin institucional për monitorimin e tregut. Këto kërkesa, praktikisht kanë rënë në “vesh të shurdhër”.
Edhe në këto ditë, sidomos pas paralajmërimit për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike 15 për qind dhe për liberalizimin e tregut te energjisë për bizneset dhe kompanitë kosovare që kanë mbi 50 punëtorë dhe qarkullim të parasë mbi 10 milionë euro, pati shumë kërkesa institucioneve nga shoqëria civile, nga asociacione ekonomike të vendit dhe nga ekonomistë e qytetarë kundrejt ringritjes së çmimit të rrymës. Oda Ekonomike e Kosovës i është drejtuar Avokatit të Popullit me kërkesë për të iniciuar në Gjykatën Kushtetuese, që të pezulloi vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) lidhur me rritjen e mundshme të çmimit të energjisë elektrike, për një periudhë kohore prej të paktën një vit. Kjo kërkesë është bërë me qëllim të mbrojtjes së bizneseve nga rritja e mundshme e çmimit të energjisë elektrike, që a do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e kostos së prodhimit apo shërbimit. Lidhja e Bizneseve kërkoi nga ZRRE-ja dhe Qeveria të pezullojë vendimin për rritjen e energjisë elektrike dhe të shtyjë liberalizimin e tregut.
Instituti Atlas ka propozuar heqjen e TVSh-së si masë konkrete për të ulur çmimin e energjisë elektrike në Kosovë deri në 36 për qind gjatë viteve 2025 dhe 2026 dhe “të zbatojë opinionin e Avokatit të Popullit dhe gjykatave të Kosovës, duke i kthyer konsumatorëve 132.5 milionë euro të paguara padrejtësisht për konsumimin e energjisë në veri.
Ndërkohë, përfaqësusit zyrtarë të shtetit të Kosovës janë deklaruar vakët, pa pozicion të qartë dhe të vonuar rreth këtij problemi më pasoja të qarta paraprakisht dhe ndikim të drejtpërdrejt në ç’ekuilibrimin e gjendjes sociale të pjesës dërmuese të banorëve të Kosovës. Edhe pse gjatë shkurtit dhe tërë muajit mars , i tërë opinioni I këtij vendi “po ziente” nga shqetësimi që kishte shkaktuar paralajmërimi për ngritje të ndjeshme të çmimit të energjisë elektrike, autoritetet u deklaruan rreth kërkesave të konsumatorëve dhe të shumë bizneseve vetëm dy-tre ditë pa mbërritur 1 prilli, kur rëndom zyrtarizohen nga ZRRE-ja tarifat e reja të rrymës, ndërsa krahas ngritjes së çmimit të rrymës kanë zënë të shpërfaqen jo pak paralajmërime për çmime të reja të ngritura të shumë produkteve, që kanë ndërlidhshmëri vartëse me energjinë elektrike.
Asnjë fjalë të vetme nuk e ka thënë asnjë zyrtarë, as rreth arsyetimeve të palogjikshme dhe thuaja koti të kreut të Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahut, të përsëritura refren në shumë paraqitje publike këtyre ditëve, i cili realisht nuk dihej a është zëdhënës i KEDS&KESCO, apo përfaqësues i institucionit që ka për obligim të mbrojë konsumatorin e vendit edhe nga abuzimet me çmimet e ngritura egërsisht të rrymës.
Ymer Fejzullahu, kreu i ZRRE-së, në paraqitjet e panumërta në publik këtyre ditëve u tregua një avokat i denjë i KEDS/KESCO-s për të promovuar ngritjen e çmimit të rrymës. Në këtë periudhë shteti, praktikisht ka qenë inekzistent në monitorimin e zhvillimeve në ecuritë e çmimeve në përgjithsi. Ngritja enorme dhe e pashembullt e marzhave të fitimit nga disa herë krahasuar me çmimin e importit për produkte të caktuara, heshtja dhe miratimi në heshtje totale e shantazhimit të KEDS/KESKO-s dhe të ZRRE-s ishte problem i margjinalizuar skajshmërisht nga shteti dhe pushteti. Si pasojë, anarkia e theksueshme në ecuritë e çmimeve e ka kapluar vendin. Ndërsa, tregtarët e kanë shfrytëzuar maksimalisht dhe me nguti këtë gjendje. Me fjalë të tjera, kosovarët, praktikisht kanë mbetur në mëshirën e tregtarëve abuzivë, pasi që institucionet përgjegjëse ishin të përqëndruara të zgjedhjet dhe nuk vërejtën, ose nuk deshtën ta shohin anarkinë e krijuar në ecuritë e çmimeve të ngritura e të ringritura shumëfish. Dhe, presioni i çmimeve të ngritura dhe të paralajmëruara për t’u ngritur vazhdon të bëhet kundrejt kosovarëve. Dhe pasoja tjetër, ose dëmi i pakompenzueshëm është shqetësimi dhe rrezikimi real i paqes sociale edhe ashtu të brishtë në Kosovë, varfërimi edhe më tej i kosovarëve të skamur me vite dhe ankthi i shkaktuar nga çmimet rekorde, të papara deri më tani për ardhmërinë e banorëve të këtij vendi. Natyrisht, ngritja e çmimit të energjisë elektrike nga 1 prilli 2025, do të prodhojë pasoja të tjera plus dhe do të përkeqësojë edhe më shumë këtë gjendje./Buletini Ekonomik/