Bizneset kërkojnë të shtyhet kërkesa e ZRRE për treg të hapur energjetik

Oda Ekonomike e Kosovës ka kërkuar që të shtyhet kërkesa e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) që konsumatorët me mbi 50 punëtorë ose që kanë një qarkullim mbi 10 milionë euro të dalin në një treg të hapur energjetik. 

Kryetari i OEK, Lulzim Rafuna ka thënë se pas një takimi me bizneset, është theksuar dëmi që mund t’i shkaktohet të njëjtave në rast se nuk shtyhet vendimi, kjo për shkak se ato momentalisht nuk janë të përgatitura për të kaluar në treg të lirë.

“Patëm një mundësi t’i dëgjojmë shqetësimet e biznesit. Shqetësimet më të mëdha ishin te bizneset e prodhimit, ku do të ketë efekt zinxhiror, do të rrit koston e produktit që më pas do të bartet tek konsumatori. Është kërkesë të shqyrtohet mundësia të shtyhet të paktën për një vit ky vendim. E dyta kërkesë drejtuar institcioneve të Kosovës është që sektori i prodhimit të subvencionohet. Kërkesa e të gjithëve është që të shtyhet së paku për një vit implementimi i këtij vendimi, sepse ka sfida të tjera dhe kjo sfidë shtesë është shumë. Do të ketë rritje të papunësisë dhe tkurrje të prodhimit vendor të Kosovës. Kërkesa e OEK-ut është që kjo të shtyhet. Nuk jemi kundër vendimit, por koha është shumë e shkurtër. Nuk ka pasur kohë që biznesi të përgatitet. Kërkesa tjetër që vjen për partite politike është sa më shpejt të kemi të themeluara institucionet e vendit, në mënyrë që të kemi kujt me iu adresua”, ka thënë Rafuna në konferencë për media.

Reklama e sponzorizuar