Kosova edhe në Ditën Ndërkombërtare të Konsumatorit të sivjetshme përballet me çmime të ngritura brutalisht, me abuzime çoroditëse të tregtarëve ndaj konsumatorit, me keqpërdorime ordinere brenda për brenda ambienteve të tregtimit, me shitje të shumë mallrave të skaduara. Sektori i tregtimit në Kosovë, sikundër në asnjë vend të botës, ka vite dhe edhe tani, është i përfshirë në kaos dhe kaos dhe anarki, sidomos në ecuritë e ngritjes abuzive të çmimeve.
Mehmet GJATA
15 marsi, i proklamuar në botë si Dita Ndërkombëtare e Konsumatorit, pak a shumë sinjalizon dhe shpërfaq njëfarë interesimi të shteteve normale për ta pasur vëmendjen te konsumatorët dhe ka për qëllim në njëfarë mënyre mbrojtjen e konsumatorëve. Pra, dedikimi i kësaj dite ndërkombëtarisht për konsumatorët, e ka qëllimin, parasëgjithash, në mbrojtjen e tyre, e që nënkupton ruajtjen e shëndetit dhe sigurisë së konsumatorëve, si dhe mbrojtjen e tyre nga çdo tentativë dhe përpjekje abuzive të tregtarëve të prirur për manipulime dhe keqpërdorime tregtimi, qoftë me çmime, sasi apo cilësi të produkteve të tyre.
Ndërsa, në Kosovë, kjo ditë e pret konsumatorin me çmime ekstremisht dhe egërsisht të ngritura qoftë të produkteve nga importi, qoftë atyre të vendit, me marzha të fitimit të shumëfishuara, me produkte të paverifikuara për nga përmbajtja e pesticideve dhe helmeve të tjera. Këto ditë kilogrami i specave ka arritur në 5,6 dhe 7 euro, ndërsa i domateve 2,5 e 3 euro.
Tregtarët kosovar, e kanë keqpërdorur pamëshirshëm dhe egërsisht edhe muajin e Ramazanit, muajin e shenjtë të myslimanëve, kur në tërë botën shprehet solidaritet me konsumatorin edhe me uljen e çmimeve. Në Kosovë ndodhë e kundërta. Azem Hasani, një konsumatorë kryeqytetas i revoltuar për këtë është shprehur për medien e vendit: “I kanë dyfishuar çmimet për Ramazan, çka ka qenë dy euro e kanë bërë katër euro, është shtrenjtuar tepër”.
Në fillim të Ramazanit janë ngritur çmimet e mishit dhe të të gjitha produkteve nga mishi, janë ringritur çmimet e djathit dhe të disa produkte qumështi, të shumë produkteve të tjera bujqësore dhe industriale. Në këtë mënyrë, në Kosovë, edhe më 15 mars, në Ditën Ndërkombëtare të Konsumatorit, kemi abuzime ekstreme me çmimet e shumë produkteve, sidomos me çmimet e artikujve elementar dhe të nevojshëm përditë për konsumatorin e vendit.
Në Kosovë, vazhdojnë të ndodhin edhe abuzimet me tregtim të produkteve me afate të skaduara, me ndryshim të çmimeve në rafte nga ato në arkë, me mosdhënie të kuponave fiskalë, me çmimet e ulura të rrejshme në të ashtuquajturat çmime “aksion”, me uljet e çmimeve sezonale etj. Dhe, kjo gjendje e dominuar nga anarkia në sektorin e tregtimit, përkatësisht në ecuritë e çmimeve, e shprehur me ngritje të përditshme abuzive të çmimeve të shumë produkteve, sidomos të atyre elementare, është prezente në vendin tonë ka muaj, sidomos qëkur ka filluar parafushata zgjedhore, gjatë fushatës dhe pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025.
Në këtë periudhë shteti, praktikisht ka qenë inekzistent në vrojtimet rreth zhvillimeve në ecuritë e çmimeve, dhe tregtarët e kanë shfrytëzuar maksimalisht këtë gjendje. Me fjalë të tjera, kosovarët, praktikisht kanë mbetur në mëshirën e tregtarëve abuzivë, pasi që institucionet përgjegjëse ishin të përqëndrua të zgjedhjet dhe nuk vërejten, ose nuk deshtën ta shohin anarkinë e krijuar në ecuritë e çmimeve të ngritura e të ringritura shumëfish. Dhe, presioni i çmimeve të ngritura dhe të paralajmëruara për t’u ngritur vazhdon të bëhet kundrejt kosovarëve.
Një tjetër presion këto ditë është paralajmërimi për ngritje të ndjeshme të çmimit të energjisë elektrike. Në medie të shumta po raportohet si akt i kryer ngritja e energjisë elektrike ende pa mbërritur 1 prilli, kur rëndom zyrtarizohen nga ZRRE-ja tarifat e reja të rrymës, ndërsa krahas ngritjes së çmimit të rrymës kanë zënë të shpërfaqen jo pak paralajmërime për çmime të reja të ngritura të shumë produkteve, që kanë ndërlidhshmëri vartëse me energjinë elektrike. Duhet theksuar se angazhimi i shtetit në gjithë këto vite për mbrojtjen e konsumatorëve, e që nënkupton ruajtjen e shëndetit dhe sigurisë së tyre dhe mbrojtjen e tyre nga tentativat dhe përpjekjet abuzive të tregtarëve të prirur për manipulime dhe keqpërdorime në procesin e tregtimit, qoftë me çmime, sasi apo cilësi të produkteve të ekspozuara në treg, ishte fare sipërfaqësor.
Konsumatorët në Kosovë, një kohë të gjatë, në të gjitha ditët në vitet e fundit, janë jashtë vëmendjes institucionale. Janë totalisht jashtë vëmendjes së institucioneve të shtetit edhe pse Kosova ka Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorëve, të miratuar që në qershor të vitit 2004 dhe i njëjti përfshin të drejtën e informimit, sigurisë, të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u dëgjuar. Por, edhe kjo ditë e dedikuar për ta, edhe legjislacioni në fuqi në Kosovë, akoma, sot e kësaj dite, janë shumë larg së bashkëjetuari me konsumatorin kosovar. Ata akoma, sot e këtu, as që i pyet ndokush për ndonjë gjë, për ndonjë proces të ecurive të konsumit, të ecurive të çmimeve, të tregtimit të produkteve me afate të skaduara dhe të atyre me cilësi të diskutueshme.
Edhe sipas Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), objektiva e dytë e BQK-së është ruajtja e stabilitetit të çmimeve. Por, siç kanë vrojtuar njohës të rrethanave të ecurive të çmimeve, BQK-ja nuk ka bërë asgjë në stabilitetin e çmimeve. Nuk ka bërë asgjë thuaja për të ndalur kaosin dhe anarkinë në ecuritë e çmimeve në Kosovë, as Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, as ministrja Rozeta Hajdari, as Artane Rizvanolli, as Qeveria e Kosovës si tërësi institucionale, as Selatin Kaqaniku me asociacionin e tij, as, as, as…
Përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe ekonomistë, nuk është që nuk kërkuan bukur herët nga Qeveria e Kosovës të vendosë masa për t’i mbrojtur qytetarët nga rritja abusive e çmimeve të produkteve ushqimore dhe karburanteve në tregun vendor dhe për të rritur angazhimin për monitorimin e tregut. E kërkuan ndërmarrjen e masave edhe ekspertët dhe njohësit e rrethanave të ecurisë së lëkundjes së çmimeve. Por, këto kërkesa, praktikisht ranë në “vesh të shurdhër”. Nuk u ndërmorrë asgjë, përveç disa suvencioneve për biznese dhe për agrarin kosovar. Dhe, këtë shurdhim dhe heshtje institucionale e shfrytëzuan batakqinjtë, tregtarët mashtrues dhe të pacipë. I ngritën çmimet dhe i bënë ato, ndër më të lartat në botë, ndërsa pasojë dhe dëmi i pakompenzueshëm është shqetësimi dhe rrezikimi real i paqes sociale edhe ashtu të brishtë në Kosovë, varfërimi edhe më tej i kosovarëve të skamur me vite dhe ankthi i shkaktuar nga çmimet rekorde, të papara deri më tani për ardhmërinë e banorëve të këtij vendi.
Ndërsa 15 marsi, Dita Botërore e të Drejtave të Konsumatorit, në Kosovë shënohet së paku nga mediet. Pak historik, dhe dy tre fjali për të kujtuar se “kjo ditë shënohet me qëllim për të rritur ndërgjegjësimin global dhe vetëdijësimin për të drejtat dhe nevojat e konsumatorëve”, është pak a shumë e gjithë përmbajtja e teskteve dedikuar kësaj dite. Ndërkohë, në shtetet normale të botës, Dita Ndërkombëtare e Konsumatorit, shpërfaq interesim të shtuar dhe më konkret institucional për ta pasur vëmendjen te konsumatorët dhe te mbrojtja e tyre./Buletini Ekonomik/