DHTIK i bën thirrje ZRRE-së që të shtyjë vendimin për liberalizimin e tregut të energjisë

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë tha se e ka pritur me shqetësim të madh vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për liberalizimin e tregut të energjisë, duke e akuzuar atë se në heshtje dhe pa asnjë konsultim paraprak e ka vazhduar këtë proces.

DHTIK tha se i është drejtuar me një kërkesë, kryesuesit të Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahut, duke i kërkuar që të shtyjë për të paktën një vit këtë vendim “sepse si i tillë do të ndikojë negativisht në prodhim, eksport, punësim dhe zhvillim ekonomik”.

“Ne kemi pranuar telefonata dhe kërkesa me shkrim nga kompanitë tona anëtare, të cilat kanë shprehur shqetësimin e tyre të madh me këtë hap, andaj vlerësojmë se nuk është momenti i duhur që të ndodh një proces i tillë tani. Hyrja në treg të lirë do të shkaktojë rritje të paparashikueshme të kostove të energjisë dhe do të sjellë sfida serioze për bizneset”.

Reklama e sponzorizuar

DHTIK thotë se aktualisht ZRRE ofron vetëm listën e furnizuesve të licencuar, por nuk ofron një platformë ku do të mund të krahasoheshin çmimet që këta furnizues i ofrojnë.

“Gjithashtu, për momentin, ZRRE lejon instalimin e paneleve solare deri në 200 kë (d.m.th. një sistem që prodhon rrymë deri në 28000 euro në vit), në vend se ky kufizim të hiqet për bizneset e mëdha”.

DHTIK po ashtu ka radhitur “sfidat tjera që e përcjellin këtë sektor”.

“Paqartësitë Rregullative – Mungesa e një kornize të qartë ligjore për vetë konsum dhe tarifat e shitjes së energjisë ka penguar rritjen e investimeve.

Kapaciteti i Kufizuar i Rrjetit – Rrjeti aktual nuk është gjithmonë i aftë të integrojë kapacitetet e reja të prodhimit diellor pa investime shtesë në infrastrukturë.

Mungesa e Stimulimeve të Qëndrueshme – Politikat e subvencionimit nuk janë afatgjata dhe ndryshojnë shpesh, duke krijuar pasiguri për investitorët.

Procedurat Burokratike – Procesi për marrjen e lejeve dhe licencave mbetet i ndërlikuar dhe i ngadaltë”.

Gjithashtu, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë tha se kanë pranuar numër të madh thirrjesh telefonike dhe e-maila nga bizneset, të cilat kanë shqetësime se kërkesa e KESCO-s për informacione specifike po i shkel ligjet, duke i ofruar kësaj kompanie private të dhëna financiare.

“DhTIK kohë më parë, ka alarmuar se shtetet fqinje janë duke i targetuar bizneset tona, duke ju ofruar kushte shumë të favorshme për bartjen e prodhimit të tyre. Përkundër që bizneset kanë qenë shumë të fokusuara në kontributin e tyre për të zhvilluar vendin, punësimin dhe rritjen e buxhetit të shtetit përmes taksave, vazhdimi qasjes së marrjes së vendimeve pa asnjë konsultim paraprak, rrezikon të shtyjë ato që të ikin përfundimisht nga Kosova”./Express/