Liberalizimit të tregut të energjisë i nënshtrohen rreth 1.000 biznese në Kosovë

Fotografi ilustruese

Nga 1 prilli, siç ka deklaruar këtyre ditëve disa herë në mediet e vendit kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu, do të ketë çmime të reja të ringritura, së paku 15 për qind të energjisë elektrike, ndërsa 1 qershori i sivjetshëm është dita kur domosdo nis liberalizimi i tregut të energjisë elektrike në Kosovë. Pse po kundërshtohet me ngulm paralajmërimi i ZRRE-së për çmime të reja të rrymës dhe sidomos liberalizimi i tregut të energjisë elektrike?

Buletini Ekonomik

Megjithë kundërshtimet e parreshtura të konsumatorëve dhe të subjekteve ekonomike ndaj ngritjes së çmimit të energjisë elektrike, ZRRE-ja, bazuar në deklaratat e zyrtarëve të këtij institucioni, nuk e ka ndërmend të zprapset. Nga 1 prilli, siç ka deklaruar këtyre ditëve disa herë në mediet e vendit kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu, do të ketë çmime të reja të ringritura, së paku 15 për qind të energjisë elektrike, ndërsa shumë shpejt do të fillojë të zbatohet liberalizimi i tregut të energjisë.

Reklama e sponzorizuar

Kreu i ZRRE-së ka qenë këmbëngulës dhe goxha kategorik në përcaktimin e afatit të fillimit të liberalizimit të tregut të energjisë dhe sipas tij, 1 qershori i sivjetshëm është dita kur domosdo për kompanitë dhe bizneset me mbi 50 punëtorë, ose me qarkullim mbi 10 milionë euro, nuk do të ketë më furnizim me energji elektrike me tarifa të rregulluara.

Sipas Fejzullahut, deri më tani nuk ka asnjë arsye për shtyrje të afatit sa i përket vendimit për procesin e liberalizimit të tregut të energjisë. Pra, këto biznese do të dalin në tregun e hapur të energjisë nga 1 qershori.

“Këtë vit do të furnizohen me tarifa të rregulluara vetëm konsumatorët shtëpiakë dhe konsumatorët biznesor të vegjël, të cilët kanë të drejtë të furnizohen me tarifa të rregulluara. Ndërsa konsumatorët tjerë kanë mundësi të furnizohen me çmime të tregut, duke pasur mundësitë të negociojnë me cilindo prej furnizuesve”, ka thënë Fejzullahu.

Ai thekson vetëm mundësinë për një shtyrje të afatit të dorëzimit të dokumentacionit për bizneset e vogla që nuk kanë dorëzuar ende dokumentet e nevojshme për të vijuar furnizimin me tarifa të rregulluara.

Fejzullahu ka thënë se paralajmërimi lidhur me ndryshimin e procesit të liberalizimit të tregut të energjisë është nga viti i kaluar, por për shkak të krizës energjetike dhe pandemisë, procesi është shtyrë deri më tani.

“Këto kritere janë të vendosura në ligje, në legjislacionin primar në vitin 2016. Procesi i liberalizimit të tregut ka filluar nga ana e ZRrE-së për zbatimin e këtyre ligjeve në vitin 2017. Tanimë veç i kemi disa konsumatorë që kanë qenë në treg, siç është Ferronikeli, Trepça, SharrCemi e disa konsumatorë tjerë, mirëpo meqenëse kemi pas krizën, pandeminë dhe krizën energjetike, ZRrE e ka stopuar procesin e liberalizimit të tregut me qëllimin e vetëm t’i mbrojë këto biznese, derisa të tejkalohet kriza energjetike dhe pandemia. Për këtë arsye kemi shtyrë edhe vitin e kaluar, meqenëse kanë qenë ende çmimet e energjisë elektrike shumë të larta, e kemi shtyrë për një vit”, ka thënë Fejzullahu për medien e vendit.

Sipas Fejzullahut, rreth 1 mijë biznese do të duhet të sigurojnë furnizimin me energji elektrike përmes tregut të hapur. Për të vijuar me tarifa të rregulluara, bizneset duhet të dëshmojnë se kanë më pak se 50 punëtorë dhe qarkullim vjetor nën 10 milionë euro.

Ymeri Fejzullahu ka thënë se numri i bizneseve dhe kompanive që duhet të dalin në treg të lirë është rreth 1 mijë biznese.

Ndërsa, ndaj paralajmërimeve të kreut të ZRRE-s dhe vendimeve të pritshme sa i përket çmimeve të reja të rrymës kanë reaguar fuqishëm edhe subjekte të shumta politike edhe asociacione të rëndësishme ekonomike të Kosovës. Deputeti i PDK’së, Ferat Shala, ka thënë të dielën në një konferencë për media se “Vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për të detyruar bizneset të paraqiten në KEDS për tregun e hapur do të krijojë pasiguri dhe vështirësi të mëdha për ta. Për më tepër, mungesa e konkurrencës reale në tregun e energjisë do të thotë vetëm një gjë: çmime më të larta dhe kushte më të pafavorshme për konsumatorët”.

“Bizneset po detyrohen të hyjnë në një treg të paqëndrueshëm, pa alternativa reale dhe me rrezikun e rritjes së kostove operacionale. Asnjë garanci nuk është dhënë se ky proces do të sjellë shërbime më cilësore për konsumatorët. Kjo rritje do të reflektojë edhe në një inflacion të lartë, veçanërisht për prodhimin vendor. Për Kosovën, ku tregu energjetik ka qenë shpesh subjekt i manipulimeve dhe skandaleve, ky hap është i rrezikshëm dhe i papërgjegjshëm”, tha Shala.

Qeveria aktuale, sipas Shalës duhet të ndalojë menjëherë këtë politikë të dëmshme dhe të ndërmarrë hapa konkretë për mbrojtjen e konsumatorëve.

Në anën tjetër, ka reaguar edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami. Ajo ka deklaruar se ZRRE-ja po i hedh në treg të hapur 1000 kompanitë më të mëdha të vendit.

“Sipas vendimit të ZRRE-së, nga 1 qershori i këtij viti KESCO nuk e ka obligim t’i furnizoj më me energji elektrike këto kompani, ato duhet ta blejnë energjinë në tregun e hapur. Praktikisht kjo do të thotë se këto 1000 kompani nuk mund ta blejnë energjinë që prodhon KEK-u, por duhet të blejnë energji të importuar me çmim së paku dyfish më të shtrenjtë (shih çmimet në bursë), me ç’rast një pjesë e tyre edhe mund të falimentojnë, disa do të përfundojnë me largim nga puna të punëtorëve për të ulur shpenzimet, e të gjitha do të detyrohen t’i rrisin çmimet për të mbijetuar, gjë që do t’i bëj ato jo konkurruese në tregun vendor dhe atë ndërkombëtar, rrjedhimisht kjo qon deri te lulëzimi i importit edhe ashtu tepër i lartë”.

Ndërkohë, Oda Ekonomike e Kosovës i është drejtuar Avokatit të Popullit me kërkesë për të iniciuar në Gjykatën Kushtetuese pezullimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) lidhur me rritjen e mundshme të çmimit të energjisë elektrike, për një periudhë kohore prej të paktën një vit.

“Kjo kërkesë vjen me qëllim mbrojtjen e bizneseve nga rritja e mundshme e çmimit të energjisë elektrike, e cila do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e kostos së prodhimit apo shërbimit”, thuhet në njoftimin e OEK.

Arsyet e kërkesës për shtyrje të afatit sipas Odës Ekonomike të Kosovës janë: -Kosto të larta dhe pasiguri në çmime – bizneset argumentojnë se dalja nga tregu i rregulluar mund të sjellë rritje të ndjeshme të kostove të energjisë, duke ndikuar drejtpërdrejtë në qëndrueshmërinë e tyre financiare; -Mungesë e informimit dhe infrastrukturës – shumë kompani nuk janë të përgatitura për këtë kalim dhe kanë nevojë për më shumë kohë për t’u përshtatur me modelin e tregut të lire; -Efektet në konkurrencën dhe stabilitetin e tregut – një kalim i menjëhershëm mund të krijojë një situatë ku bizneset më të vogla penalizohen më shumë, duke ndikuar negativisht në konkurrencë.

“Përveç kërkesës së lartpërmendur, kërkesë tjetër lidhur me këtë vendim është edhe të mos caktohet një numër i përcaktuar i punonjësve apo një prag mbi vlerën e qarkullimit, si kritere për daljen në treg të hapur”, thuhet tutje në njoftimin e OEK-së.

Edhe Lidhja e Bizneseve ka kërkuar nga ZRRE-ja dhe Qeveria të pezullojë vendimin për rritjen e energjisë elektrike dhe të shtyjë liberalizimin e tregut, ose të shtyjë për të paktën dy vite liberalizimin e tregut të energjisë, duke ofruar më shumë transparencë dhe mundësi për furnizim të qëndrueshëm për bizneset. /Buletini Ekonomik/