FMN rrit parashikimin: Kosova me rritjen më të lartë në rajon

Fondi Monetar Ndërkombëtar-FMN

Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e tij të fundit për pasqyrën ekonomike globale ka konfirmuar se Kosova pritet të ketë rritjen më të lartë ekonomike në rajon, me 3.6% për vitet në vijim.

Pas Kosovës, Shqipëria renditet e dyta për nga ritmi i rritjes, megjithëse FMN ka rishikuar lehtë në ulje parashikimin për ekonominë e saj. Sipas vlerësimit të ri, ekonomia shqiptare pritet të rritet me 3.4% në vitin 2026, nga 3.6% që ishte parashikuar në raportin e dhjetorit. Po ashtu, për vitin 2027 pritshmëria është ulur në 3.2%, nga 3.4% më parë.

Ndër vendet e tjera të rajonit, rënien më të madhe në pritshmëritë ekonomike e ka pësuar Serbia, e cila tani pritet të rritet me 2.8%, nga 3.6% që ishte parashikuar më herët. Bosnjë dhe Hercegovina pritet të ketë një rritje prej 2.2% (-0.5 pikë përqindje), Mali i Zi 2.8% (-0.4 pp), ndërsa Maqedonia e Veriut 3.2% (-0.1 pp).

Reklama e sponzorizuar

Rishikimet në ulje lidhen me zhvillimet ndërkombëtare dhe rritjen e pasigurive globale, sidomos si pasojë e konfliktit në Lindjen e Mesme, i cili ka ndikuar ndjeshëm në tregjet e energjisë dhe të lëndëve të para.

Në raportin e pranverës “Ekonomia globale sërish në test”, FMN vlerëson se ekonomia botërore po përballet me një goditje të re, që po ndikon në inflacion, kushtet financiare dhe pritshmëritë për rritje.

Sipas skenarit bazë, rritja ekonomike globale pritet të jetë 3.1% në vitin 2026 dhe 3.2% në vitin 2027, më e ulët se ritmet rreth 3.4% të viteve 2024-2025 dhe nën mesataren historike prej 3.7% për periudhën 2000-2019.

Ndërkohë, FMN ka rishikuar në rritje pritshmëritë për inflacionin. Në Shqipëri, inflacioni për vitin 2026 pritet të arrijë në 3.7%, nga 3% që ishte parashikuar fillimisht, duke kaluar objektivin prej 3% të Bankës së Shqipërisë. Në rajon, inflacioni mbetet më i lartë, me nivelin më të madh në Serbi (7%) dhe Kosovë (5.8%).

FMN paralajmëron se rreziqet për ekonominë globale mbeten në kahun negativ. Përveç tensioneve gjeopolitike, sfida të tjera përfshijnë borxhin e lartë publik, shtrëngimin e kushteve financiare dhe pasigurinë në tregjet ndërkombëtare.

Megjithatë, në anën pozitive, investimet në inteligjencën artificiale dhe reformat strukturore mund të mbështesin rritjen ekonomike në të ardhmen, edhe pse perspektiva globale mbetet e pasigurt dhe e varur nga zhvillimet në tregjet e energjisë dhe situata gjeopolitike. /Buletini Ekonomik/