Mbi 7 mijë banorë nga Shqipëria aplikuan për azil në Europë në 2024

Fotografi ilustruese

Agjencia europiane e Azilit thotë në raportin e saj vjetor të sapopublikuar se 7325 shtetas nga Shqipëria paraqitën kërkesën për azil në një vend të Bashkimit Europian gjatë vitit 2024.

Shtetasit nga Shqipëria dhe Kosova kryesojnë dukshëm listën e kërkesave për azil nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Sipas të dhënave të Agjencisë europiane për Azilin, 6791 shtetas nga Kosova kërkuan azil në Europë, ndërsa nga shtetasit e Maqedonisë së Veriut u paraqitën 3506 kërkesa, nga Serbia 3227 , nga Bosnjë Hercegovina 1432 kërkesa dhe nga Mali i Zi 337 kërkesa.

Reklama e sponzorizuar

Numri i kërkesave për azil të shtetasve shqiptarë në vendet europiane shënoi rënie krahasur me vitin 2023 ku sipas të dhënave kanë qenë 9,145 shtetas shqiptarë që kanë aplikuar për azil në një nga shtetet e Bashkimit Europian.

Franca vijon të jetë vendi më i pëlqyer për banorët e Shqipërisë për të kërkuar azil dhe më pas renditet Gjermania pasuar nga dy vendet fqinje Italia dhe Greqia.

Raporti i Agjencisë europiane për Azilin thotë se në vitin 2024 vendet e Bashkimit Europian morën rreth një milion kërkesa për azil për të tretin vit radhazi.

Ndërkohë, sipas të dhënave, në fund të vitit 2024, kishte rreth 4.4 milionë përfitues të mbrojtjes së përkohshme në vendet e Bashkimit Europian që kishin ikur nga Ukraina, ku gjysma e tyre u pritën në Gjermani dhe Poloni, ndërsa Çekia priti më shumë përfitues në raport me numrin e popullsisë.

Nga të dhënat e raportit vihet re një rënie e lehtë e kërkesave për azil krahasuar me vitin 2023 ndërsa sirianët ishin grupi më i zakonshëm që kërkonte mbrojtje në vendet e Bashkimti Europian ndonëse gjatë vitit 2024 ata paraqitën më pak aplikime se në 2023 pas rënies së regjimit të Asadit./VOA/