Me padi kërkohet shfuqizimi i Rregullores së Prishtina Parkingut

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike ka dorëzuar të hënën në Gjykatën Supreme padinë për shfuqizimin dhe ndalimin e efekteve juridike të Rregullores për Organizimin dhe Shfrytëzimin e Parkingjeve të Komunës së Prishtinës, e njohur në publik si Rregullorja e Prishtina Parkingut.

Me anë të kësaj padie, është vlerësuar se dispozitat thelbësore nuk janë në përputhje me ligjin në fuqi.

“Me këtë padi janë kontestuar neni 2, 3, neni 8 paragrafi 1, neni 9, neni 12 paragrafi 11, neni 16, neni 18 paragrafi 2, neni 22 paragrafi 1, 3, 8 dhe 9 si dhe neni 27 paragrafi për shtojcat. CSL ka vlerësuar se këto dispozita thelbësore nuk janë në përputhje me legjislacionin në fuqi, rregullojnë çështje që nuk kanë asnjë bazë ligjore si dhe nuk kanë adresuar drejtë dhe në mënyrë të plotë propozimet e votuara në mbledhjen e 21 dhjetorit 2023 të Kuvendit të Kryeqytetit”, thuhet në njoftim.

Reklama e sponzorizuar

Sipas kësaj qendre, dispozitat e kontestuara me këtë padi i japin mandat Prishtina Parkingut për bllokimin, zhvendosjen dhe konfiskimin e veturave për shkak të mos pagesës së tarifës së parkingut, e gjithashtu të menaxhojë edhe me hapësirat që nuk janë të destinuara për parkingje të tilla si: ishujt, oazat gjelbëruese si dhe trotuaret përreth parkingut etj.

“Gjykatës Supreme ia kemi bërë të ditura edhe mangësitë në përmbajtjen e kësaj Rregulloreje të tilla si mos adresimi i rekomandimeve të Ministrisë së Drejtësisë në vlerësimin e ligjshmërisë së Rregullores, dhe gjetjet nga raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit që konstatojnë se hartimit të kësaj Rregulloreje i ka munguar analiza e mjaftueshme dhe e bazuar në të dhëna dhe statistika nga ana e Komunës së Prishtinës, etj”, thuhet në njoftim.