Mungesa e funksionimit të institucioneve të rëndësishme të vendit (Kuvendi jashtë funksionit, qeveria e dorëhequr, ose me funksion të përgjysmuar) dhe anarkia e krijuar në shumë sektorë të ekonomisë, veçmas në atë të tregtisë, u ka lënë hapësirë të pakufishme dhe gjithë mundësitë tregtarëve për të vendosur lehtësisht për të ngritur çmimet e shumë produkteve, sidomos të atyre të shportës.
Buletini Ekonomik
Rrethanat politike që vazhdojnë të dominojnë nga 9 shkurti, kur u mbajtën zgjedhjet parlamentare në vend, por edhe para kësaj kohe, më saktësisht qëkur kishte filluar parafushata zgjedhore në Kosovë kanë ndikimin e padiskutueshëm në ngritjet e egra dhe brutale të çmimeve në Kosovë.
Mungesa e funksionimit të institucioneve të rëndësishme të vendit (Kuvendi jashtë funksionit, qeveria e dorëhequr, ose me funksion të përgjysmuar) dhe anarkia e krijuar në shumë sektor të ekonomisë, veçmas në atë të tregtisë, për rrjedhojë të mungesës së institucioneve më të rëndësishme të vendit u ka lënë hapësirë të pakufishme dhe gjithë mundësitë tregtarëve për të vendosur lehtësisht për të ngritur çmimet e shumë produkteve, sidomos të atyre të shportës, ose të produkteve elementare ushqimore. Ndërkohë, në këtë periudhë tregtarët, sidomos ata të pandërgjegjshmitë dhe ata që gjithherë janë veçuar në shfrytëzimin e rrethanave, kanë ngritur çmimet në stratosferë të shumë mallrave, të cilat edhe deri në këtë kohë shquheshin si tepër të larta dhe disa sosh edhe përtej çmimeve të produkteve të njëllojta në shumë shtete të Europës.
Në këtë periudhë janë ngritur shumë çmime të produkteve ushqimore, të higjienës, por edhe çmimet e shërbimeve më së të nevojshme për jetë normale të qytetarëve të këtushëm. Ndërsa pas rritjes së çmimit të energjisë elektrike për 16,1 për qind, është ringjallur një erë ku dominojnë aspirate të panumërta ngritjesh të reja çmimesh, me pretekst dhe pa të – të çmimit të ngritur të rrymës.
Disa produkte tashmë në raftet e disa marketeve dhe supermarketeve kanë zënë të ekspozohen me çmime të ngritura, ndërsa siç raportohet, edhe në disa furra të bukës, tani buka, ajo popullorja me çmimin e deritashëm prej 50 dhe 60 centësh ka nisë të tregtohet nga 70 dhe 80 centë. Në Gjakovë, sipas raportimeve të medieve, tashmë çmimi i ri i bukës prej 80 centësh është fakt dhe një vendim i kryer i furrtarëve të kësaj qendre komunale. E keqja bëhet më e madhe, për shkakun se paralajmërimet për çmime të reja nuk kanë të sosur. Ndërkohë që pak ka gjasë të parandalohen tendencat e tregtarëve “gjuetarë të situatave) anarkike të pushtetit, për t’u pasuruar sa më shpejtë me çmime të reja dhe me marzha fitimi super të larta.
Nuk pati në Kosovë ndonjë efekt parandalues në ngritjen e egër të çmimeve as bojkoti i marketeve dhe supermarketeve në ditë të caktuara, siç u veprua në shumë vende të rajonit goxha me sukses. Te ne, ç’është e vërteta, kjo Iniciativë, nuk ishte edhe aq e organizuar dhe thuaja mbeti në gjysmë të rrugës, dhe për rrjedhojë nuk pati ndonjë efekt për ta theksuar.
Në bazë të ecurive të çmimeve edhe në ditët e fundit, po shihet se janë fare të paefektshme premtimet nga Ministria e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, tani në dorëheqje, të deklaruara për medie se “kur ka çështje apo dukuri që kërkojnë fokus dhe angazhim më të madh, rritet numri i inspektimeve, punojmë me orar të zgjatur dhe jemi të angazhuar edhe gjatë ditëve të fundjavës”.
Totalisht jorezultativ ishte edhe deklarimi i ministrisë së Rozeta Hajdarit në dorëheqje se “Inspektorati i Tregut do ta monitorojë tregun dhe në rast se konstatohet çfarëdo shkeljeje e dispozitave ligjore në fuqi, do të ndërmerren masa ndëshkuese”.
Ndoshta, në këtë situatë kaotike e krjuar edhe nga rrethanat politike në vend, në parandalimin e ngritjes së çmimeve dhe të abuzimeve brutale në procesin e tregtimit të mallrave, do të ishte mirë të shikohen përvojat interesante të vendeve të rajonit, dhe pse jo, të zbatohen edhe këtu.
Bie fjala, nga 18 prilli 2025, marketet, barnatoret dhe dyqanet e teknikës dhe mobileve në Maqedoninë e Veriut duhet t’i publikojnë çmimet e produkteve të tyre në ueb faqen zyrtare. Obligimi është në përputhje me ndryshimet në Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorëve të këtij vendi fqinj, që kanë hyrë në fuqi më 18 prill, pas miratimit të tyre në Kuvend dhe publikimit në Gazetën Zyrtare më datë 4 të muajit të kaluar. Ministria e Ekonomisë e Maqedonisë së Veriut , në afatin e caktuar prej 45 ditësh, duhet të përgatisë një Rregullore për mënyrën e publikimit të çmimeve të mallrave dhe të dhënave, që duhet të publikohen nga tregtar i vogël, i mesëm dhe i madh, që kryejnë veprimtari tregtare me pakicë. Në rregullore theksohet se tregtari i vogël, i mesëm dhe i madh, që kryen veprimtari tregtare me pakicë në përputhje me Klasifikimin kombëtar të veprimtarive i publikon çmimet e mallrave që plason në treg në ueb faqen e tyre në mënyrë të qartë dhe të qasshme, përmes një pjese të veçantë të ueb-faqes së tregtarit të dedikuar për çmimet (Çmimore). Çmimet e publikuara duhet të jenë të disponueshme pa pasur nevojë për regjistrim ose hyrje shtesë. Çmimet e mallrave (çmimi aktual i shitjes, çmimi për njësi, çmimi promocional ose me zbritje) për secilën pikë të shitjes të tregtarit publikohen në ueb – faqen e internetit në përputhje me me paragrafin (1) të këtij neni dhe përmbajnë të dhënat e përcaktuara në Shtojcë, e cila është pjesë përbërëse e kësaj rregullore. Nëse nga ana e tregtarit ofrohen çmime promocionale ose me zbritje, çmimi i rregullt, në ueb – faqen e internetit të tregtarit, duhet të shënohet çmimi i rregullt, përqindja dhe shuma e reduktimit, si dhe kohëzgjatja e promocionit ose zbritjes.
Siç është theksuar në Rregulloren, tregtarët duhet të përditësojnë çmimet e mallrave në baza ditore, respektivisht çdo ditë deri në orën 10:00. Në rast të gabimit teknik pa dashje në përditësimin e çmimeve dhe mallrave, tregtari duhet ta korrigjojë gabimin në afat prej 24 orëve. Dikush do të thotë domosdo se për të bërë këtë veprim dhe për të ndërmarrë një vendim të ngjashëm, Kosova tani për tani nuk ka Kuvend funksional, prandaj nuk as mundësi për një hap të këtillë. Megjithatë, edhe në këtë anarki të theksuar si rrjedhoje e mungesës së institucioneve të rëndësishme të vendit, në Kosovë do të duhej të punojë ndonjë institucion apo subject shtetëror për t’u përballur me tendencat për ngritje çmimesh të paralajmëruara, për të frenuar rrezikimin e mirëqenies së kosovarëve shumicë, dhe në instancë të fundit për t’i dalë krah sigurisë nacionale.
Do të ishte e udhës, pra, inspeksionet e tregut nga niveli qedror, deri të ato të qendrave komunale, të inspektojnë përditë rrjetet e shitorëve, marketet dhe supermarketet, për të ndëshkuar abuzuesit. Ndërsa Auroriteti i Konkurrencës duhet të zgjohet njëherë e mirë nga gjumi dhe në këtë situatë të ndërmarrë ndonjë hap rreth abuzimeve në sektorin e çmimeve në Kosovë. Autoriteti i Konkurrencës të Kosovës ka të gjitha informatat për ankesat e panumërta për çështjen e çmimeve, dhe disa prej tyre kanë adresë edhe këtë asociacion, prandaj, së paku do të duhej të instensifikojnë monitorimin e tregjeve për t’u dalë në mbrojtje konsumatorëve. /Buletini Ekonomik/