Edhe pas rikthimit në prodhim të bllokut B2 të termocentralit Kosova B (më 10 prill rreth mesnatës), për nevojat e konsumit të vendit mungon sasi relativisht e madhe e rrymës së prodhuar nga kapacitetetet vendore, nga të cilat edhe më tutje jashtë prodhimit gjenden mbi gjysma e tyre.
Buletini Ekonomik
Gjendja elektroenergjetike në Kosovë aktualisht është larg stabilitetit. Ende, edhe pas rikthimit në prodhim të bllokut B2 të termocentralit Kosova B (më 10 prill rreth mesnatës), për nevojat e konsumit të vendit mungon sasi relativisht e madhe e rrymës së prodhuar nga kapacitetetet vendore, nga të cilat edhe më tutje jashtë prodhimit gjenden mbi gjysma e tyre. Më saktësisht, në funksion edhe sot janë vetëm njësia B2 e rikthyer e Kosovës B (me 250-260 megavatë-orë) dhe njësia A4 e termocentraleve Kosova A (120-130 megavatë), ndërsa jashtë prodhimit për shkak të punëve rreth riparimeve edhe më tutje janë blloku B1 i Kosovës B dhe A3 e A5 (260 megavatë) të Kosovës A (me nga 130 megavatë secili veç e veç).
I bie që Kosova nga termocentralet aktualisht ka 375 megavat-orë, plus diku rreth 70 megavatë-orë nga kapacitetet e prodhimit të energjisë së ripërtëritshme (BRE). Ndërkohë, konsumi i energjisë elektrike në Kosovë këtyre ditëve mesatarisht ka qenë diku tek 800 megavatshi, që do të thotë se mbi gjysma e konsumit duhet të mbulohet me energji elektrike të importuar, ose të huazuar nga Shqipëria.
Gjatë ditëve, derisa B2-shi ishte në riparim, sipas njoftimeve të zyrtarëve të KEK-ut, kjo korporatë ka arritur të sigurojë rreth 5,000 MWh energji elektrike nga burime të jashtme, që është afërsisht rreth 90 për qind e kapacitetit të planifikuar të prodhimit të njësisë B2.
Buletini Ekonomik nuk ka arritur dje të sigurojë të dhëna të sakta nga KEK-u, as nga KESCO rreth sasisë së importuar të energjisë elektrike të munguar. Megjithë përpjekjet për të kontaktuar zyrtarët kompetentë të këtyre subjekteve, nuk pati përgjigje.
Mirëpo, edhe pas rikthimit të B2-shit, disproporcioni ndërmjet prodhimit të energjisë elektrike në termocentralet e vendit dhe nevojave të konsumit në Kosovë, është i theksueshëm. Ç’është e vërteta, mungesa e energjisë elektrike në kryeqytet nuk po ndihet thuaja se fare. Nuk ka reduktime as gjatë ditës, as në orët e pikut, përveç në lagjet ku paralajwrohen nga KEDS se ka ose do të ketë punime në kohë të caktuara. Ndërsa, në shumë vende rurale të Kosovës, si gjithnjë në kohë dhe momente të mungesës së prodhimit vendor të energjisë elektrike, ka reduktime, madje edhe me orë të tëra.
Gjendja e brishtë elektroenergjetike në vend pak a shumë shihet dhe nënkuptohet edhe nga apeli i bërë këto ditë nga KESCO drejtuar konsumatorëve për kursim të energjisë elektrike. KESCO, në fund të javës që shkoi, bëri të ditur se ditëve të fundit, Kosova po përballet me një rritje të ndjeshme dhe të paparashikueshme të kërkesës për energji elektrike, duke arritur nivele deri në mbi 1.000 megavat në orë. Sipas saj, për shkak të rënies së temperaturave, kjo kërkesë është dukshëm më e lartë krahasuar me periudhat tipike të pranverës, kur konsumi zakonisht është më i ulët për shkak të kushteve më të favorshme klimatike.
“Kapacitetet vendore të prodhimit aktualisht janë të kufizuara dhe arrijnë deri në 500 megavatë orë për orë. Për rrjedhojë, një pjesë e konsiderueshme e konsumit duhet të sigurohen përmes importit nga tregjet ndërkombëtare të energjisë elektrike. Çmimet e tregut janë aktualisht të larta, duke kapur shifrat mbi 100 euro për MWh. Kjo ka bërë që kostoja shtesë për të siguruar energjinë e munguar të shkojë në miliona euro – një barrë e rëndë për sistemin energjetik”, njofton zyra për informim e KESCO-s.
KESCO bënë thirrje që qytetarët të tregojnë kujdes në përdorimin e energjisë elektrike dhe të kontribuojnë në mënyrë aktive në kursimin e saj. Gjithashtu, KESCO ka rekomanduar shmangien e përdorimit të pajisjeve që shpenzojnë shumë energji elektrike, veçanërisht atyre të ngrohjes gjatë orëve të pikut, në mënyrë që kjo situatë të tejkalohet sa më lehtë. /Buletini Ekonomik/