Kosova sot pranë kolapsit elektroenergjetik, jashtë prodhimit Kosova B e tëra dhe 2 blloqe të Kosovës A

Foto: Termocentrali Kosova B-KEK

Sipas të dhënave të siguruara nga burime të Buletinit Ekonomik, sot Kosova energji të veten ka pasur më pak se 200 megavatë-orë – 115 megavatë nga blloku A4 i Kosovës A dhe 68,75 megavatë-orë nga kapacitetet e prodhimit të energjisë së ripërtëritshme (BRE).

Buletini Ekonomik

Kosova sot ka mungesë të madhe të energjisë elektrike të prodhuar nga kapacitetet elektroenergjetike vetanake- termocentralet Kosova B dhe Kosova A. Sipas njoftimeve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK sh.a.), edhe njësia B2 e Termocentralit “Kosova B” është ndalur nga puna në orët e para të mëngjesit të sotëm (09.04.2025), për shkak të rrjedhjeve të konsiderueshme të ujit. Sipas KEK-ut, hera e fundit kur blloku B2 i Kosovës B ka pasur një rrjedhje të tillë ka ndodhur më 4 dhjetor 2024. Edhe ndalja e sotme e prodhimit, siç pohojnë zyrtarët e Departamentit për Marrëdhënie me Publikun dhe Komunitetet të KEK-ut, është bërë si domosdo për të parandaluar ndonjë defekt me pasoja më të mëdha.

Reklama e sponzorizuar

“Ekipet e mirëmbajtjes dhe ekspertëve teknikë të KEK-ut, janë në gatishmëri të plotë për të filluar procesin e sanimit të gypave të dëmtuar. Bazuar në vlerësimet paraprake, pritet që ky proces të zgjasë rreth 48 orë”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.

Ndërkohë, blloku B1 ka ditë që gjendet në riparim. Në këtë mënyrë, sot Kosova ka mbetur pa burimin kryesor të prodhimit të energjisë elektrike. Kosova B, të dy blloqet e këtij termocentrali prodhojnë bashkarisht rreth 520 megavatë-orë, ndërsa veç e veç B1 dhe B2, nga 260 megavatë.

Në ndërkohë, sipas pohimeve të zyrtarëve të KEK-ut, kjo korporatë ka arritur të sigurojë rreth 5,000 MWh energji elektrike nga burime të jashtme, që është afërsisht rreth 90 për qind të kapacitetit të planifikuar të prodhimit të njësisë B2.

Edhe në termocentralet e stërvjetruara, por ende në prodhim të Kosovës A, situata energjetike është e keqësuar ndjeshëm për shkak se nga tre njësitë e termocentralit Kosova A, në prodhim gjendet vetëm blloku A4 me rreth 115 megavatë orë, ndërsa A5 dhe A3 janë jashtë funksionit. Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), ka njoftuar sot që në mëngjes se njësia A3 e Termocetranlit Kosova A do të ndalet nga puna sonte. Shkaku i ndalesës së këtij blloku janë problemet e ndjeshme me humbjen e ujit. Për këtë, KEK thotë se ka njoftuar me kohë Kompaninë e Distribuimit të Energjisë Elektrike.

Sipas të dhënave të siguruara nga burime të Buletinit Ekonomik në KEDS, sot Kosova energji të veten ka pasur më pak se 200 megavatë-orë (115 megavatë nga blloku A4 i Kosovës A dhe 68,75 megavatë-orë nga kapacitetet e prodhimit të energjisë së ripërtëritshme (BRE). Kjo gjendje elektroenergjetike në vend është përtej një krize të thellë dhe shumë pranë kolapsit elektroenergjetik në Kosovë. Dhe kriza, e krijuar nga mungesa e madhe e rrymës së prodhuar në termocentralet e vendit, varet tani për tani, nga mundësitë financiare të KEK-ut për të siguruar energji elektrike nga importi i shtrenjtë.

Sot, KEK-u ka pasur mundësi ta kompenzojë mungesën e prodhimit vetanak me import, por nëse zgjasin riparimet në kapacitetet aktuale, do të bëhet e diskutueshme situata energjetike dhe rreziku potencial për një kolaps elektroenergjetik me pasoja evidente në vend. /Buletini Ekonomik/