Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka konstatuar se paragrafët 5, 6 dhe 7 të nenit 9 (Mbledhja e informatave ose provave) të Ligjit nr.08/L-257 për Administrimin e Procedurave Tatimore, nuk janë në përputhshmëri me nenin 36 [E Drejta e Privatësisë] të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 8 (E drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe të njëjtit shpallen të pavlefshëm. Po ashtu, kjo Gjykatë refuzoi njëzëri kërkesën për masën e përkohshme.
Avokati i Popullit sipas kërkesës së parashtruar, kishte kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së paragrafëve 5, 6 dhe 7 të nenit 9 (Mbledhja e informatave ose provave), nenit 14 (Vetë-vlerësimi), nenit 16 (Kufizimet kohore për vlerësimet), nenit 26 (Kreditimet dhe rimbursimet), paragrafit 4 të nenit 79 (Emërimi dhe mandati i pozitave drejtuese) dhe paragrafit 12 të nenit 89 (Shqyrtimi i përgjegjësisë disiplinore dhe mbrojtja e të drejtave nga marrëdhënia e punës) të Ligjit nr.08/L-257 për Administrimin e Procedurave Tatimore, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Kushtetuesja ka vendosur njëzëri se paragrafët 5, 6 dhe 7 të nenit 9 (Mbledhja e informatave ose provave) të Ligjit nr.08/L-257 për Administrimin e Procedurave Tatimore, nuk janë në përputhshmëri me nenin 36 [E Drejta e Privatësisë] të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 8 (E drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Andaj, këto nene u shpallën të pavlefshën.
Po ashtu, me 6 vota për dhe një kundër, Kushtetuesja konstatoi që nenet 14 (Vetë-vlerësimi), 16 (Kufizimet kohore për vlerësimet) dhe 26 (Kreditimet dhe rimbursimet) të këtij Ligji, nuk janë në kundërshtim me Kushtetutën.
Gjykata po ashtu konstatoi njëzëri që pretendimet për shkelje të neneve 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës lidhur me paragrafin 12 të nenit 89 (Shqyrtimi i përgjegjësisë disiplinore dhe mbrojtja e të drejtave nga marrëdhënia e punës) të Ligjit nr.08/L-257 për Administrimin e Procedurave Tatimore, duhet të hudhen poshtë për shkak se nuk janë më në mënyrë aktive të diskutueshme ashtu siç përcaktohet me rregullin 54 (Hedhja poshtë dhe refuzimi i kërkesës) të Rregullores së punës.
Më tej, Kushtetuesja konstatoi njëzëri që paragrafi 4 i nenit 79 (Emërimi dhe mandati i pozitave drejtuese) i Ligjit për Administrimin e Procedurave Tatimore, nuk është në përputhshmëri me nenin 7 [Vlerat] të Kushtetutës dhe nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 1 (Mbrojtja e Pronës) të Protokollit nr. 1 të KEDNJ, dhe të njëjtit shpallen të pavlefshëm. Po ashtu, u refuzua njëzëri kërkesa për masën e përkohshme.
Njoftimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese:
“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur në rastin KO159/24 lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së paragrafëve 5, 6 dhe 7 të nenit 9 (Mbledhja e informatave ose provave), nenit 14 (Vetë-vlerësimi), nenit 16 (Kufizimet kohore për vlerësimet), nenit 26 (Kreditimet dhe rimbursimet), paragrafit 4 të nenit 79 (Emërimi dhe mandati i pozitave drejtuese) dhe paragrafit 12 të nenit 89 (Shqyrtimi i përgjegjësisë disiplinore dhe mbrojtja e të drejtave nga marrëdhënia e punës) të Ligjit nr.08/L-257 për Administrimin e Procedurave Tatimore, të parashtruar nga Avokati i Popullit, bazuar në përcaktimet e nënparagrafit 1 të paragrafit 2 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Gjykata ka vendosur (i) njëzëri, që të deklarojë, kërkesën e pranueshme; (ii) të konstatojë, njëzëri që paragrafët 5, 6 dhe 7 të nenit 9 (Mbledhja e informatave ose provave) të Ligjit nr.08/L-257 për Administrimin e Procedurave Tatimore, nuk janë në përputhshmëri me nenin 36 [E Drejta e Privatësisë] të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 8 (E drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe të njëjtit shpallen të pavlefshëm; (iii) të konstatojë, me gjashtë (6) vota për dhe një (1) kundër, që nenet 14 (Vetë-vlerësimi), 16 (Kufizimet kohore për vlerësimet) dhe 26 (Kreditimet dhe rimbursimet), të Ligjit nr.08/L-257 për Administrimin e Procedurave Tatimore, nuk janë në kundërshtim me nenin 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 1 (Ndalimi i përgjithshëm i diskriminimit) të Protokollit nr. 12 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; (iv) të konstatojë, njëzëri që pretendimet për shkelje të neneve 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës lidhur me paragrafin 12 të nenit 89 (Shqyrtimi i përgjegjësisë disiplinore dhe mbrojtja e të drejtave nga marrëdhënia e punës) të Ligjit nr.08/L-257 për Administrimin e Procedurave Tatimore duhet të hedhen poshtë për shkak se nuk janë më në mënyrë aktive të diskutueshme ashtu siç përcaktohet me rregullin 54 (Hedhja poshtë dhe refuzimi i kërkesës) të Rregullores së punës; (vi) të konstatojë, njëzëri, që paragrafi 4 i nenit 79 (Emërimi dhe mandati i pozitave drejtuese) i Ligjit nr.08/L-257 për Administrimin e Procedurave Tatimore nuk është në përputhshmëri me nenin 7 [Vlerat] të Kushtetutës dhe nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 1 (Mbrojtja e Pronës) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe të njëjtit shpallen të pavlefshëm; dhe (vii) të refuzojë, njëzëri, kërkesën për masën e përkohshme.
Aktgjykimi fillimisht sqaron që më 14 dhjetor 2023, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar Ligjin nr.08/L-257 për Administrimin e Procedurave Tatimore (në tekstin e mëtejmë: Ligji i kontestuar), përmes të cilit rregullohen procedurat për administrimin e detyrimeve tatimore në Republikën e Kosovës që janë në fushëveprimin e Administratës Tatimore të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: ATK), si dhe parimet e organizimit dhe të funksionimit të kësaj administrate. Përmes Ligjit të kontestuar është shfuqizuar Ligji nr. 03/L-222 për Administratën Tatimore dhe Procedurat, i vitit 2010. Në dritën e kërkesës, përkatësisht pretendimeve të ngritura nga Avokati i Popullit, Gjykata vuri në dukje se ligjvënësi përmes Ligjit të kontestuar përmes nenit 9 (Mbledhja e informatave ose provave) në paragrafët e tij 7, 8 dhe 9 ka përfshirë detyrimin për (i) bankat dhe institucionet financiare për dorëzimin e të dhënave ndërlidhur me llogaritë bankare dhe transaksionet bankare për të gjithë personat fizikë afaristë dhe joafaristë dhe personave juridikë dhe (ii) noterët për dorëzimin e të gjitha kontratave të shitblerjes për të gjithë personat fizikë afaristë dhe joafaristë dhe personave juridikë.
Avokati i Popullit konteston kushtetutshmërinë e dispozitave specifike të Ligjit të kontestuar, përkatësisht kërkon vlerësimin e Gjykatës nëse (i) paragrafët 5, 6 dhe 7 të nenit 9 (Mbledhja e informatave ose provave) të tij janë në përputhshmëri me nenin 36 [E Drejta e Privatësisë] të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 8 (E drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) të KEDNJ-së; (ii) nenet 14 (Vetëvlerësimi), 16 (Kufizimet kohore për vlerësimet) dhe 26 (Kreditimet dhe rimbursimet) të Ligjit të kontestuar janë në përputhshmëri me nenin 24 [Barazia para Ligjit]; paragrafi 4 i nenit 79 (Emërimi dhe mandati i pozitave drejtuese) është në përputhshmëri me nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës; dhe nëse paragrafi 12 i nenit 89 (Shqyrtimi i përgjegjësisë disiplinore dhe mbrojtja e të drejtave nga marrëdhënia e punës) të Ligjit të kontestuar është në përputhshmëri me nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike], në ndërlidhje me nenet 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe 101 [Shërbimi Civil] të Kushtetutës. Pretendimet e mësipërme të Avokatit të Popullit kundërargumentohen nga ATK-ja dhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.
(i) nëse detyrimi për dorëzimin e informatave nga bankat dhe noterët sipas paragrafëve 5,6 dhe 7 të nenit 9 të Ligjit të kontestuar është në përputhshmëri me të drejtën e privatësisë
Aktgjykimi specifikon që Gjykata, në kontekst të vlerësimit nëse përcaktimet përmes paragrafëve 5, 6 dhe 7 të nenit 9 të Ligjit të kontestuar hyjnë në fushëveprimin e të drejtës për privatësi të individëve dhe personave juridikë, të garantuar me nenin 36 të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut aplikoi parimet dhe kriteret e vendosura përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejta e Njeriut, të afirmuara edhe përmes praktikës së Gjykatës. Gjykata konstatoi se në rrethanat e rastit konkret, detyrimi për dorëzimin e të dhënave bankare dhe kontratave të shitblerjes hyn në kuadër të mbrojtjes së të dhënave personale, mbrojtja e të cilave hyn në fushëveprimin e të drejtës për privatësi. Në vijim të kësaj, Gjykata po ashtu konstatoi që mbrojtja e garantuar përmes nenit 36 të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 8 të Konventës për të Drejta e Njeriut, në kontekst të përcaktimeve të paragrafëve 5, 6 dhe 7 të nenit 9 të Ligjit të kontestuar shtrihet si për individët ashtu edhe për personat juridikë. Në fund, Gjykata, nga këndvështrimi i detyrimeve negative të autoriteteve shtetërore, konstatoi që detyrimi për dorëzimin e të dhënave bankare dhe të kontratave të shitblerjes, në mënyrë të automatizuar dhe në baza të rregullta periodike përbën ndërhyrje në të drejtën për privatësi. Në vijim të këtij konstatimi, Gjykata, në kontekst të kufizimit të së drejtës për privatësi, të përcaktuar me paragrafin 2 të nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe nenin 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës vijoi me vlerësimin nëse kjo ndërhyrje është e përcaktuar me ligj, ndjek një qëllim legjitim; dhe nëse ky është rasti, nëse ndërhyrja është proporcionale me qëllimin e ndjekur/ e domosdoshme në një shoqëri demokratike.
Tutje, në vlerësimin e kufizimit të së drejtës për privatësi, Gjykata në kontekst të detyrimit për dorëzim të të dhënave bankare iu referua Direktivës së Këshillit të Bashkimit Evropian 2014/107/BE në lidhje me shkëmbimin e detyrueshëm automatik të informacionit në fushën e taksave, të 9 dhjetorit 2014 dhe Rregullores (BE) [2016/679] së Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, e 27 prillit 2016, për mbrojtjen e personave fizikë në lidhje me përpunimin e të dhënave personale dhe për lëvizjen e lirë të këtyre të dhënave. Tutje, Gjykata në vlerësimin e kufizimit të së drejtës për privatësi iu referua edhe praktikës gjyqësore të Gjykatës në rastet KO46/23 dhe KO55/23, praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut ndërlidhur me mbrojtjen e të dhënave, si dhe përcaktimeve të disa ligjeve të shteteve tjera, në kontekst të detyrimit për dorëzimin e të dhënave nga bankat dhe institucionet financiare. Pas konstatimit që ndërhyrja në të drejtën për privatësi është e përcaktuar me ligj, Gjykata po ashtu vlerësoi se kjo ndërhyrje i shërben qëllimit legjitim të luftimit të evazionit fiskal, rritjes së transparencës financiare dhe parandalimit të krimeve financiare dhe se këto synime njihen gjerësisht si thelbësore për ruajtjen e integritetit fiskal të një shteti. Në vijim, të këtij konstatimi, Gjykata në vlerësimin nëse ndërhyrja është proporcionale me qëllimin legjitim të luftimit të evazionit fiskal, vlerësoi se dorëzimi në mënyrë të automatizuar dhe në baza të rregullta e të gjitha të dhënave bankare dhe të kontratave të shitblerjes të të gjithë individëve afaristë dhe joafaristë dhe personave juridikë (i) pa saktësim specifik nëse mbledhja e të dhënave është në kuadër të një procedure specifike të verifikimit për detyrime tatimore pranë ATK-së apo të një marrëveshjeje ndërkombëtare; (ii) në mungesë të një përcaktimi specifik në Ligjin e kontestuar për sigurimin e masave mbrojtëse apo garancive në kontekst të mbledhjes, ruajtjes dhe përpunimit të dhënave, përfshirë edhe saktësimin specifik që këto të dhëna përdoren vetëm në procedurën tatimore, nuk është tërësisht proporcionale me qëllimin e ndjekur për luftimin e evazionit fiskal në interes të përgjithshëm publik. Në vijim, Gjykata konsideroi që mbledhja sistematike e të dhënave bankare dhe kontratave të shitblerjes cenon të drejtën në privatësi të të gjithë individëve dhe personave që përfshihen në këto të dhëna, duke ritheksuar që një detyrim i tillë për dorëzimin e të dhënave mund të konsiderohet proporcionale vetëm nëse është e kufizuar në një masë të arsyeshme dhe shoqërohet me masa mbrojtëse për të parandaluar abuzimin ose keqpërdorimin e këtyre të dhënave. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi që paragrafët 5, 6 dhe 7 të nenit 9 (Mbledhja e informatave ose provave) të Ligjit të kontestuar nuk janë në pajtueshmëri me nenin 36 [E Drejta e Privatësisë] të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 8 (E drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) të KEDNJ-së.
(ii) nëse nenet 14 (Vetë-vlerësimi), 16 (Kufizimet kohore për vlerësimet) dhe 26 (Kreditimet dhe rimbursimet) të Ligjit të kontestuar janë në pajtueshmëri me nenin 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës.
Përmes Aktgjykimit, fillimisht sqarohet që afati gjashtë (6) vjeçar në kuadër të procedurës së korrigjimit të deklarimeve tatimore nga ana e tatimpaguesit, i përcaktuar me Ligjin e vitit 2010, përmes nenit 14 të Ligjit të kontestuar ishte shkurtuar në afat tre (3) vjeçar. Përderisa, afati i përcaktuar përmes nenit 16 të Ligjit të kontestuar e që i atribuohet procedurës që zhvillohet nga ana e ATK-së është gjashtë (6) vjet, ashtu siç kishte qenë më parë i përcaktuar edhe me Ligjin e vitit 2010.
Në vlerësimin e pretendimit të Avokatit të Popullit për cenim të barazisë para ligjit, Gjykata, në kontekst të praktikës gjyqësore të Gjykatës në pajtim me praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ritheksoi që, në parim, për të konstatuar cenimin e parimit të barazisë para ligjit sipas përcaktimeve të nenit 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 12 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut duhet fillimisht që të vlerësohet nëse kategoritë, diskriminimi i të cilave pretendohet, janë në “situata analoge ose relativisht të ngjashme” dhe nëse ky është rasti, nëse ka një “dallim në trajtim” në mes tyre.
Në këtë kontekst, Gjykata konsideroi se përcaktimet përmes neneve 14 dhe 16 të Ligjit të kontestuar i referohen dy (2) procedurave të ndryshme, përkatësisht procedurës së (i) vetë-vlerësimit dhe korrigjimit të deklaratës së vetë-vlerësimit nga ana e tatimpaguesit, të përcaktuar përmes nenit 14 të Ligjit të kontestuar dhe (ii) procedurës së verifikimit të detyrimeve tatimore nga ana e ATK-së, të përcaktuar përmes nenit 16 të Ligjit të kontestuar. Kjo e fundit, përkatësisht, procedura e përcaktuar përmes nenit 16 të Ligjit të kontestuar ngërthen tri rrethana, përkatësisht procedurën e verifikimit brenda gjashtë (6) viteve kur (i) një person nuk ka dorëzuar deklaratën tatimore; (ii) një person, me synim të shmangies së tatimeve, ka dorëzuar një formular tatimor; dhe (iii) sjellja mashtruese e një personi të tretë ka çuar në nënraportimin e tatimit apo mbiraportimin e kreditimeve.
Gjykata, në kontekst të pretendimit se përcaktimet përmes neneve 14 dhe 16 përbëjnë dallim në trajtim në mes të tatimpaguesve në njërën anë dhe ATK-së në anën tjetër vlerësoi se këto dy dispozita i referohen dy procedurave të ndryshme, përkatësisht procedurës për mundësi korrigjimi nga ana e tatimpaguesit dhe procedurës së verifikimit nga ana e ATK-së si autoritet shtetëror përgjegjës për verifikimin e detyrimeve tatimore. Gjykata po ashtu vuri në dukje që tatimpaguesit, si persona fizikë apo edhe juridikë dhe ATK-ja si institucion shtetëror, përgjegjëse për zbatimin e procedurave për administrimin e detyrimeve tatimore në Republikën e Kosovës nuk janë në situata analoge ose situata relativisht të ngjashme. Rrjedhimisht, Gjykata, marrë për bazë kriteret e vendosura përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të vetë Gjykatës, në vlerësimin e asaj nëse dispozitat e përcaktuara përbëjnë dallim në trajtim, konstatoi se nenet 14, 16 dhe 26 të Ligjit të kontestuar nuk përbëjnë dallim në trajtim, dhe si të tilla nuk janë në kundërshtim me nenin 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 1 [Ndalimi i përgjithshëm i diskriminimit] të Protokollit nr. 12 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
(iii) nëse paragrafi 12 i nenit 89 (Shqyrtimi i përgjegjësisë disiplinore dhe mbrojtja e të drejtave nga marrëdhënia e punës) të Ligjit të kontestuar është në pajtueshmëri me nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike], në ndërlidhje me nenet 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe 101 [Shërbimi Civil] të Kushtetutës
Aktgjykimi fillimisht sqaron që neni 89 (Shqyrtimi i përgjegjësisë disiplinore dhe mbrojtja e të drejtave nga marrëdhënia e punës) i Ligjit të kontestuar specifikon që për (a) shkeljen e pretenduar të detyrave të punës, (b) shqyrtimin e përgjegjësisë disiplinore, (c) shqiptimin e masave disiplinore, si dhe për (d) mbrojtjen e të drejtave nga marrëdhënia e punës, nëpunësit e ATK-së, kundër vendimit të Komisionit Disiplinor kanë të drejtë të paraqesin ankesë në Komisionin e Ankesave për marrëdhënien e punës të ATK-së. Në vijim të një vendimi të këtij të fundit, sipas paragrafit 12 të nenit 89, punonjësit kanë të drejtë të iniciojnë procedurë në gjykatën kompetente. Avokati i Popullit pretendon që përjashtimi i mundësisë që punonjësit e ATK-së, në të tilla raste të parashtrojnë ankesë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil përbën shkelje të barazisë para ligjit në mes të punonjësve të ATK-së dhe shërbyesve civilë të institucioneve tjera, dhe si i tillë është në kundërshtim me të drejtën për mjet juridike dhe atë për mbrojtje gjyqësore të punonjësve të ATK-së, të garantuar me nenet 32 dhe 54 të Kushtetutës.
Në kontekst të vlerësimit të këtij përcaktimi, përmes nenit 89 të Ligjit të kontestuar, Aktgjykimi fillimisht sqaron që përmes nenit 4 të Ligjit nr.08/L-294 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë, i cili plotëson dhe ndryshon Ligjin bazik, përkatësisht Ligjin nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë përcaktohet që të punësuarit në ATK përjashtohen nga zbatimi i këtij ligji. Në vijim të kësaj, Aktgjykimi sqaron që paragrafët 3, 4 dhe 5 të nenit 18 (Dispozitat kalimtare) të Ligjit nr.08/L-294 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë ishin objekt i vlerësimit nga Gjykata në rastet KO222/24 dhe KO224/24 të parashtruara më 7 nëntor 2024 në bazë të paragrafit 5 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës. Për pasojë, me 2 prill 2025, Gjykata vendosi që paragrafët 3, 4 dhe 5 të nenit 18 të Ligjit nr.08/L-294 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë, të cilat ndërlidheshin vetëm me ndryshimin e mandateve të pozitave drejtuese të mesme dhe të ulëta në shërbimin civil nga ato me mandat të pacaktuar në pozita me mandat të caktuar nuk ishin në kundërshtim me nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 1 (Mbrojtja e pronës) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Si rrjedhojë e pikës Vtë dispozitivit të Aktgjykimit në rastet KO222/24 dhe KO224/24 e që ka për pasojë hyrjen në fuqi të Ligji nr. 08/L-294 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë, pas shpalljes së tij nga Presidentja, Gjykata konsideroi se pretendimi i Avokatit të Popullit për shkelje të të drejtës për mjet juridik të punonjësve të ATK-së në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil, të garantuar përmes neneve 32 dhe 54 të Kushtetutës tashmë nuk qëndron, kjo për shkak se neni 4 i Ligjit të plotësuar dhe ndryshuar ka përfshirë nëpunësit e ATK-së në kategorinë e zyrtarëve të specifikuar në nenin 3 të Ligjit bazik ndaj të cilëve Ligji bazik për Zyrtarët Publikë nuk zbatohet. Rrjedhimisht, Gjykata në dritën e nxjerrjes së Aktgjykimit në rastet KO222/24 dhe KO224/24, konstatoi që pretendimi i Avokatit të Popullit më nuk është në mënyrë aktive i diskutueshëm ashtu siç është përcaktuar në rregullin 54 (1) (a) të Rregullores së punës.
(iv) nëse paragrafi 4 i nenit 79 (Emërimi dhe mandati i pozitave drejtuese) i Ligjit të kontestuar është në pajtueshmëri me parimin e sigurisë juridike, në kuptim të nenit 7 të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 46 të Kushtetutës
Aktgjykimi sqaron që paragrafët 4 dhe 6 të nenit 79 të Ligjit të kontestuar vendosin kufizime lidhur me mandatin e pozitave drejtuese dhe trajton rikthimin e këtyre zyrtarëve në rast të mos rizgjedhjes në pozitat e tyre paraprake në rast se kanë pasur pozitë paraprake në ATK. Avokati i Popullit argumentoi se paragrafi 4 i nenit 79 (Emërimi dhe mandati i pozitave drejtuese) i Ligjit të kontestuar duhet të vlejë vetëm për pozitat e reja dhe jo për ato ekzistuese, duke siguruar kështu mbrojtjen e të drejtave të fituara të zyrtarëve publikë. Në këtë kuptim, Avokati i Popullit pretendoi që ky përcaktim është në kundërshtim me nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës.
Tutje, Aktgjykimi sqaron që përcaktimet e paragrafëve 4 dhe 6 të nenit 79, në rastin e përfundimit të mandatit të përhershëm të pozitave të nivelit 1.2, 1.3 dhe 1.4 dhe në rast të mosrizgjedhjes së tyre/riemërimit sipas konkursit në këto pozita përfshijnë kategoritë e zyrtarëve (i) që kanë pasur pozita paraprake në ATK, dhe atyre (ii) që nuk kanë pasur pozita paraprake në ATK. Në rastin e të parëve, përkatësisht atyre punonjësve që kanë pasur pozita paraprake në ATK, paragrafi 4 përcakton që: (i) “përjashtimisht Drejtorit të Përgjithshëm mandati i të cilit është i përcaktuar se kur përfundon, të gjitha pozitave të tjera drejtuese sipas paragrafëve 1.2, 1.3 dhe 1.4 u përfundon mandati një (1) vit pas hyrjes në fuqi të këtij ligji”; (ii) në rast të sistemimit në një pozitë më të ulët në ATK sipas dispozitave të këtij ligji, ky staf vazhdon të merr vlerën e njëjtë të pagës (vlerë të njëjtë monetare) gjatë marrëdhënies së punës në ATK nëse pozita e mbajtur ka pagë më të ulët (vlerë më të ulët monetare) sesa vlera e pagës sipas këtij paragrafi; dhe (iii) sipas paragrafit 6, pozitave të cilëve nuk iu vazhdohet mandati rikthehen në pozitën paraprake në rast se kanë pasur pozitë paraprake në ATK.
Në rastin e kategorisë së parë të punonjësve të ATK-së që kanë pasur pozitë paraprake në ATK, neni 79 i Ligjit të kontestuar përcakton që risistemimi i tyre në një pozitë më të ulët është pa ndikim në pagë, duke mos ndikuar potencialisht në të drejtat e zyrtarëve publikë ekzistues për sa i përket “të hyrave të ardhshme”. Përderisa në rastin e kategorisë së dytë të punonjësve, përkatësisht atyre punonjësve, që nuk kanë pasur pozita paraprake në ATK mandati i cilëve përmes përcaktimit të Ligjit të kontestuar përfundon një (1) vit pas hyrjes në fuqi, efektet e këtij përcaktimi ndikojnë potencialisht në të hyrat e ardhshme, si të drejta pronësore të garantuar përmes nenit 46 të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Megjithatë, Gjykata përcaktimet përmes neneve 4 dhe 6 të Ligjit të kontestuar, do t’i vlerësojë në kuptim të sigurisë juridike të mishëruara në nenin 7 të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 46 të Kushtetutës.
Në lidhje me kategorinë e parë, Gjykata pas elaborimit dhe aplikimit të parimeve kushtetuese që ndërlidhen me sigurinë juridike si pjesë përbërëse e sundimit të ligjit, atyre të vendosura përmes praktikës gjyqësore të GEJDNJ-së dhe Listës së Kontrollit për Sundimin e Ligjit të Komisionit të Venecias, konsideroi se përfundimi i një mandati me kohë të pacaktuar dhe mosrizgjedhja në pozitë drejtuese, pavarësisht ruajtjes së pagës ka për pasojë përfundimin brenda një (1) viti të marrëdhënies së punës së ushtruar për atë mandat, për të cilin punonjësi ka aplikuar dhe është emëruar që ta ushtrojë. Thënë këtë, Gjykata konsideron se ky përcaktim që rezulton në përfundimin gati të menjëhershëm të mandatit, përkatësisht brenda një (1) viti pas hyrjes në fuqi të Ligjit të kontestuar, sjell pasiguri juridike për të drejtën e ushtrimit të marrëdhënies së tij punës, duke ndikuar drejtpërdrejt në stabilitetin e statusit të punonjësve të ATK-së. Kufizimi i të drejtave dhe vendosja e detyrimeve në lidhje me personat apo statusin e tyre përmes “ligjit” mund të bëhet, përveç tjerash, në mënyrë graduale, duke u lejuar kohë të mjaftueshme individëve që të rregullojnë sjelljen e tyre, e që në thelb është në pajtim me parimin e sigurisë juridike, respektivisht kriterit të “parashikueshmërisë” si element i këtij parimi. Për rrjedhojë, Gjykata konstatoi që në mungesë të dispozitave të Ligjit të kontestuar që do të lejonin kalimin gradual nga pozita me mandat të pacaktuar në pozitë me mandat të caktuar, përfshirë këtu periudhë më të gjatë të përcaktimit të mandatit (sikurse mandati katër-vjeçar në rastin e Ligjit nr.08/L-294 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë, me mundësi vazhdimi edhe për një mandat nëse ka pranuar vlerësim pozitiv te punës); (ii) mundësinë e vazhdimit të mandatit si rezultat i vlerësimeve pozitive dhe/apo rizgjedhjen përmes konkursit të brendshëm, Gjykata konsideron që përfundimi i mandatit brenda një (1) viti, që rezulton në përfundimin e një të drejte të fituar përmes legjislacionit të mëhershëm nuk është proporcional.
Përderisa, në lidhje me kategorinë e dytë, përkatësisht në rastin e përfundimit të mandatit për kohë të pacaktuar të pozitave të nivelit drejtues të specifikuara në këtë nen, dhe të cilët nuk kanë pasur pozita paraprake në ATK dhe për pasojë nuk risistemohen në pozita tjera në ATK, Aktgjykimi sqaron që ky përcaktim përmes paragrafit 6 të nenit 79 të Ligjit të kontestuar lë të nënkuptojë se me përfundimin e mandatit të tyre, të njëjtit largohen nga shërbimi në ATK. Në lidhje me këtë, Gjykata në dritën e Aktgjykimit në rastet KO216/22 dhe KO220/22 vlerësoi se mosvazhdimi i mandatit në pozita drejtuese, i cili rezulton në humbjen e pozitës në ATK përbën “ndërhyrje” në gëzimin paqësor të së drejtës në pronë, gjegjësisht të “të hyrave të ardhshme” të nëpunësve civilë të lartcekur. Në vijim, Gjykata pas vlerësimit se kjo ndërhyrje është “e paraparë me ligj”, vuri në dukje që sipas shpjegimeve të Ministrisë së Financave, Transfereve dhe Punës, si propozues i Ligjit të kontestuar, qëllimi legjitim i shërben reformës së administratës në ATK. Megjithatë në kuptim, të vlerësimit nëse ky kufizim është proporcional me qëllimin e ndjekur, Gjykata në përputhje me mbrojtjen e të drejtave pronësore vlerëson se një punonjës që ka gëzuar një pozitë drejtuese dhe është kompensuar në bazë të saj ka krijuar një pritshmëri legjitime për vazhdimësinë e marrëdhënies së punës dhe përfitimeve dhe benefiteve financiare të lidhura me të. Për këtë arsye, Gjykata konsideroi se përfundimi i marrëdhënies së punës si rezultat i mosrizgjedhjes, pa garanci për një risistemim në shërbimin e ATK-së, përbën ndërhyrje në të drejtat pronësore, të garantuara me nenin 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe standardet e përgjithshme kushtetuese për të drejtat e fituara.
Përfundimisht, Gjykata konstatoi që paragrafët 4 dhe 6 të neni 79 të Ligjit të kontestuar nuk janë në përputhshmëri me sigurinë juridike, të përcaktuar me nenin 7 të Kushtetutës dhe të drejtat e tyre pronësore të garantuara me nenin 46 të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Në fund, Aktgjykimi sqaron se si rezultat i shpalljes së pavlefshme të (i) paragrafëve 5, 6 dhe 7 të nenit 9 (Mbledhja e informatave ose provave) të Ligjit të kontestuar, zbatimi i këtyre dispozitave, në kuptim të detyrimit për dorëzim të të gjitha të dhënave bankare dhe të kontratave të shitblerjes nga institucionet bankare dhe noterët në mënyrë të automatizuar dhe në baza të rregullta periodike nuk mund të realizohet pa plotësim-ndryshimin e kësaj dispozite nga ana e Kuvendit në pajtim me gjetjet në këtë Aktgjykim dhe me Kushtetutën, përveç rasteve kur këto të dhëna kërkohen në kuadër të zhvillimit të një procedure individuale të vlerësimit të detyrimeve tatimore të tatimpaguesve dhe në kuadër të detyrimeve të përcaktuara përmes marrëveshjeve të ratifikuara ndërkombëtare dhe në fuqi në sistemin juridik të Republikës së Kosovës. Përderisa në lidhje me shpalljen e pavlefshme të paragrafëve 4 dhe 6 të nenit 79 (Emërimi dhe mandati i pozitave drejtuese) të Ligjit të kontestuar, në kuptim të respektimit të sigurisë juridike përkitazi me dispozitat e Ligjit të kontestuar, zbatimi i këtij neni, në kuptim të përfundimit të mandatit të pozitave drejtuese, të përcaktuara me nënparagrafët 1.2, 1.3 dhe 1.4 të paragrafit 1 të nenit 79 të Ligjit të kontestuar nuk mund të zbatohet pa plotësim-ndryshimin e kësaj dispozite nga ana e Kuvendit në pajtim me gjetjet në këtë Aktgjykim dhe me Kushtetutën”.