Shtrenjtimi i kafes, Autoriteti i Konkurrencës ka filluar të mbledh informacione

Në media e në rrjete sociale, të martën, u shpërndan fatura ku shihet se në disa restorante një kafe në Prishtinë tashmë kushton 2 euro.

Është raportuar se ka kafe më periferike në të cilat çmimi nga 1.20 euro, ka shkuar në 1.50.

Autoriteti i Konkurrencës i Republikës së Kosovvë (AKRK), është duke monitoruar këtë situatë të lëvizjeve të çmimeve.

Reklama e sponzorizuar

Në një prononcim për Gazetën Express, ky institucion thotë se nëse ka indikacione për bashkërendim të çmimeve, atëherë do të merren masa konform ligjit.

“Autoriteti i Konkurrencës është duke monitoruar me kujdes zhvillimet në treg dhe ka filluar mbledhjen e informatave lidhur me rritjen e çmimit të kafesë, për të vlerësuar nëse kemi të bëjmë me vendime të pavarura të operatorëve apo ndonjë marrëveshje të ndaluar për koordinim çmimesh, siç ndalohet me nenin 5 të Ligjit Nr. 08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës. Nëse konstatohen indikacione për bashkërendim të çmimeve ndërmjet ndërmarrjeve, do të ndërmerren të gjitha veprimet e parapara me ligjin pë Mbrojtjen e Konkurrencës”, thuhet në përgjigje.

Pas rritjes së çmimit të rrymës, është alarmuar se sipërmarrjet në Kosovës mund të rrisin çmimet e disa prej produkteve, përfshirë atyre bazike.

Në Kosovë janë organizuar disa protesta si kundërshtim i ndryshimit tarifor nga Zyra e Rregullatrit të Energjisë Elektrike (ZrrE), pasi ndryshimet në treg do të jenë zinxhirore.