“New-CO Ferronikeli” në Drenas ka pezulluar përkohësisht prodhimin deri në fund të vitit. Sipas menaxhmentit, vendimi u mor për shkak të krizës së zgjatur në industrinë e metaleve dhe kostove të larta të energjisë në tregun e hapur. Kjo ndërprerje do të ndikojë në pagat e punëtorëve, por nuk do të ketë largime nga puna, siç është konfirmuar nga kryetari i Sindikatës së kompanisë.
Furrat e kompanisë më të madhe të nikelit në vend tashmë janë ndalur, dhe bashkë me to edhe të gjitha aktivitetet prodhuese të “New-CO Ferronikeli” janë ndërprerë deri në fund të këtij viti. Shkak për këtë është bërë kostoja e lartë e energjisë në tregun ndërkombëtar, nga i cili kjo kompani furnizohet. Përveç fikjes së plotë të funksionimit të furrës elektrike nga gjendja e ngrohtë, është bërë edhe reduktimi i orarit të punës për një numër punëtorësh.
Kjo situatë ka ndikuar gjithashtu në zvogëlimin e pagave të 800 punëtorëve, sa llogaritet t’i ketë kompania.
“Nuk janë pagat e dinjitetshme të mira dhe lëre më me prek, dhe kjo është tendenca jonë si sindikatë, me bisedime për të ruajtur njëfarë kontinuiteti”, tha Sejdi Morina, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të New-CO Ferronikel Complex L.L.C.
Morina sigurt thotë se me këtë vendim të menaxhmentit, asnjë punëtor nuk është larguar nga puna, por sipas tij, ata punojnë grupe-grupe.
“Asnjë punëtor nuk i është ndërprerë kontrata. Edhe sot kemi afër 200 punëtorë, që punojnë një javë dhe pastaj një javë pushim. Siguria e objektit është në nivel, por prodhimi është ndërprerë,” shtoi ai.
Përmes një deklarate me shkrim, Menaxhmenti i kompanisë “New-CO Ferronikel” ka shpjeguar faktorët që e kanë detyruar të marrë këtë vendim.
“Ky hap është kushtëzuar nga faktorë kyç për operimin e kompanisë sonë, siç janë çmimet e larta dhe të paqëndrueshme të energjisë elektrike në tregun e hapur, si dhe çmimet e ulëta dhe të paqëndrueshme të nikelit në tregjet ndërkombëtare. Këta faktorë, gjatë 17 muajve të fundit, kanë krijuar vështirësi të mëdha për kompaninë, duke pamundësuar prodhimin dhe shitjen e rezervave të grumbulluara për një periudhë të gjatë”.
Në reagim më tej thuhet se ulja e kostos është bërë e domosdoshme për ta ruajtur stabilitetin financiar dhe për ta mbrojtur të ardhmen e kompanisë./RTKlive/