Policia e Kosovës ka njoftuar se sot kanë arrestuar një person të dyshuar për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik.
Ai dyshohet se si person i autorizuar me rastin e aplikimit në një aktivitet të prokurimit, me qëllim të mashtrimit dhe ndikimit në vendimin në procedurën e vlerësimit, ka paraqitur dokumente me përmbajtje të rreme për të plotësuar kërkesat në mënyrë që të përfitojë 400 mijë euro.
“Policia e Kosovës, respektivisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Gjilan (NJRHKEK-Gjilan), gjatë zhvillimit të hetimeve, ka siguruar prova të besueshme se i dyshuari mashkull kosovar si person i autorizuar, me rastin e aplikimit në një aktivitet të prokurimit, me qëllim të mashtrimit si dhe ndikimit në vendimin në procedurën e vlerësimit, ka paraqitur dokumente me përmbajtje të rreme apo të falsifikuara, për t’i plotësuar kërkesat, në mënyrë që të përfitojë kundërligjshëm në fonde publike sipas ofertës së çmimit nga shuma e përgjithshme e vlerës së parashikuar prej (katërqind mijë) 400,000,00 euro.”
“Me këtë rast nga këto veprime është krijuar dyshimi i bazuar se i dyshuari ka kryer veprën penale ‘keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik’ nga neni 415 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Lidhur me rastin personi i dyshuar me datën 14.04.2025 është intervistuar dhe pas intervistimit me aktvendim të prokurorit të Shtetit i njëjti dërgohet në mbajtje për 48 orë.”