Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) sot ka shpërndarë një reagim medieve, ndaj artikullit të publikuar në Buletini Ekonomik, lidhur me rritjen enorme të kostove për transport të energjisë elektrike në vitin 2024.
Ani pse të dhënat ku bazohet artikulli dalin nga një raport i hartuar nga KESCO, në reagimin e saj thuhet se artikulli është tendencioz dhe i pasaktë.
Reagimi plotë i KESCO-s dhe përgjigja nga Buletini Ekonomik:
“KESCO sh.a. shpreh shqetësim të thellë ndaj artikullit të publikuar në Buletinin Ekonomik me titullin e mësipërm, i cili është tendencioz dhe i pavërtetë që nga titulli e deri në përmbajtje. Për qartësi, dëshirojmë të theksojmë se kostot e transmetimit të energjisë elektrike nuk menaxhohet nga KESCO dhe si e tillë nuk është nën kontrollin operacional të KESCO-s. Kostot e sistemit të energjisë janë rritur gjatë viteve të kaluara si rezultat i faktorëve të jashtëm mbi të cilët KESCO nuk ka ndikim, përfshirë rritjen e konsumit shumë mbi nivelin e prodhimit, luhatjet e çmimeve të importit, kufizimet serioze në kapacitetet ndërkufitare të interkoneksionit dhe kufizimet në kapacitetet e transmetimit”, thuhet në reagim.
“Këto sfida kanë zvogëluar mundësitë për furnizim më të lirë dhe më efikas, veçanërisht gjatë periudhave kritike si muajt e dimrit. Është e rëndësishme të theksohet se kapacitetet e interkoneksionit me vendet fqinje – të cilat janë esenciale për importin e energjisë – nuk menaxhohen nga KESCO dhe varen nga kushtet e tregut rajonal dhe rregulloret e operatorëve të transmetimit”.
KESCO tashmë ka ofruar shpjegime të detajuara lidhur me ndryshimet në kostot e transmetimit përmes Aplikacionit për të Hyra Maksimale të Lejuara për vitin 2025, duke ofruar transparencë të plotë dhe të dhëna të verifikueshme. Kompania mbetet vazhdimisht e përkushtuar në sigurimin e çmimeve më të favorshme të energjisë për qytetarët, madje edhe në rastet që përfshijnë importin e energjisë – diçka që KESCO e ka arritur në vazhdimësi ndër vite.
Gjithashtu, në hyrje të artikullit aludohet për “marrëveshjeve të dyshimta” mes KESCO-s dhe kompanive që merren me tregtinë e energjisë. Ky pretendim bëhet pa asnjë provë apo sqarim se për cilat marrëveshje bëhet fjalë, çfarë përmbajtjeje kanë apo si gjoja kanë ndikuar në çmimin e importit. Kjo formë e raportimit është joprofesionale dhe në kundërshtim me standardet etike të gazetarisë.
KESCO e respekton rolin e mediave në informimin e publikut dhe mirëpret dialogun konstruktiv. Megjithatë, i bëjmë thirrje Buletinit Ekonomik dhe të gjitha mediave që e kanë shpërndarë apo ripublikuar këtë artikull të korrigjojnë menjëherë informacionin e pasaktë, në të mirë të saktësisë faktike dhe komunikimit të përgjegjshëm me publikun. Në të kundërtën, do të jemi të detyruar të ndërmarrim veprime ligjore dhe ta referojmë çështjen në Këshillin e Mediave të Shkruara dhe institucionet përkatëse, pasi ky publikim dëmton rëndë imazhin e kompanisë dhe dezinformon publikun për një çështje me interes jetik për qytetarët.
—————————————————–
Përgjigja e Buletini Ekonomik:
Të gjitha të dhënat e publikuara në artikullin me titull: “Rritje e kostos për transportin e energjisë së importuar nga KESCO për 907% në vitin 2024”, dalin nga raporti i KESCO-s për të hyrat e lejuara maksimale që ju ka dorëzuar Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE). Në raportin e KESCO-s sa i përket rritjes enorme të kostove për transport të energjisë elektrike përmes linjave ndërkombëtare, thuhet:
“Në vitin 2024, KESCO për kapacitetet ndërkufitare ka paguar një çmim mesatar prej 30 €/Më, me një total prej 9.06 milion €, përderisa në vitin 2023 kemi paguar mesatarisht 5 €/Më me një total prej 0.9 milion €, prandaj është e domosdoshme gjatë përcaktimit të çmimit të importit të kalkulohen edhe kostot e pritshme për kapacitetet ndërkufitare”.
Prandaj e kemi të pamundur ta kuptojmë pasaktësinë në artikull, kur dihet se këto të dhëna dalin nga një raport që e kanë hartuar zyrtarët e KESCO-s.
Ndërsa sa i përket pikës së dytë, “KESCO nuk menaxhon me linjat ndërkombëtare të transmisionit”, askund në artikull nuk thuhet një gjë e tillë. Ajo që thuhet në artikull në fakt është se KESCO përzgjedh kompanitë për blerje të energjisë elektrike, të cilat shpesh i rrisin kostot jashtë çdo parashikimi dhe shumëfish më shumë se çmimet reale në bursat ndërkombëtare. Si kompani e regulluar, është obligim ligjor i KESCO-s, që të zhvillojë procedura të prokurimit me rastin e blerjeve të energjisë elektrike në bursat ndërkombëtare. Negocimet direkte e demtojnë procesin dhe rrisin dyshime për marrëveshje paraprake mes operatorëve.
Fund.
LEXO EDHE:
Rritje e kostos për transportin e energjisë së importuar nga KESCO për 907% në vitin 2024









