Si do të ndikojë rritja e çmimit të rrymës te bizneset dhe produktet e tyre në Kosovë?

Udhëheqësi i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka thënë se është sfidë për bizneset çështja e daljes në treg të lirë dhe nuk janë kushtet e as momenti që ato të dalin në këtë treg.

Kalimi i bizneseve në treg të lirë po diskutohet pas vendimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike, i cili është vendosur të premten, më 11.04.2025 në një mbledhje të bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).

“Sipas analizave që i kanë ba anëtarët e OEK dhe kanë hulumtu nëpër bursa, sot çmimi i energjisë elektrike në bursa është 50 – 100 % më i shtrenjtë sesa çmimi që e kanë pasë deri më tani prej KEDS-it. Dhe kërkesa e bizneseve është që kjo të shtyhet minimumi për një vit – dalja në treg të lirë. Nuk janë për me dalë në treg, se qëllimi i daljes në treg të lirë në vetvete ka për qëllim që ti me gjetë çmim të energjisë elektrike më lirë se që e ke pasë sot dhe me kualitet më të mirë” – ka deklaruar Rafuna në emisionin “Kallxo Përnime”.

Reklama e sponzorizuar

Rafuna ka treguar se menjëherë pasi kanë përfunduar zgjedhjet parlamentare më 09.02.2025, bizneset janë njoftuar në fund të shkurtit dhe fillim të marsit të këtij viti se më 01.06.2025 do të dalin në tregun e hapur.

Për këtë, Rafuna tregoi se janë ankuar dhe se kanë kërkuar që bizneset të dalin vitin e ardhshëm në tregun e lirë.

“Edhe periudha prej tre muajve, biznesi nuk mundet me u përgatit sado i madh që të jetë, sado i organizuar që është, nuk mundet. Plus shto këtu që shumicën e bizneseve siç e thash janë 761 biznese që i kanë vetëm mbi 50 punëtorë, po nuk e kanë qarkullimin mbi 10 milionë [euro]… Kemi shumë ‘start up’ që janë në hapat e parë, në ditët e para dhe këta ankohen dhe e vënë theksin ne do të mbyllemi për shkak se ne nuk kemi mundësi financiare ose organizative për me dalë me u marrë me bursa siç e kërkojnë zyrtarët e ZRRE-së” – ka thënë Rafuna.

Ai madje ka thënë se i kanë dërguar shkresë Zyrës së Kryeministrit për këtë çështje, por nuk kanë marrë përgjigje.

Rafuna ka theksuar se vendimi i ZRRE-së do të ndikojë në kosto të produktit, të cilin e shet një biznes.

“Qytetari ka me qenë i detyrum me ble me çmimin ma të shtrenjtë, po ky produkt i joni ma nuk ka me qenë konkurrent me produktin e importuar… Ka me u tkurrë prodhimi, kur të tkurret prodhimi, ty të bjen eksporti por të rritet edhe papunësia se duhet me i liru edhe punëtorët” – tha Rafuna.

Kurse, Hamdi Malushaj nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë mendon se ZRRE nuk është duke u kontrolluar mirë nga Parlamenti i Kosovës. Sipas tij, është një grup që s’e di çka bën, nuk ka kompetenca dhe se është i shtyrë nga KEDS-i.

Malushaj është edhe përfaqësues i një biznesi, i cili i ka mbi 1,000 punëtorë. Kur u pyet nëse do ta mbajë të njëjtin prodhim si para shtrenjtimit të rrymës dhe pas, ai tha se do ta zvogëlojë fitimin dhe do t’i duhet të largojë punëtorë nga puna.

Në mbledhjen e datës 11.04.2025, bordi i ZRRE me shumicë të votave ka miratuar të hyrat e lejuara maksimale për KESCO-n në vlerë 435.9 milionë euro. Kjo vlerë është rreth 1.2 milion euro më shumë se ajo e propozuar nga ZRRE, e cila në raportet konsultative ishte 434.7 milionë euro apo që do të thotë rreth 15% rritje të çmimit të energjisë elektrike.

Bordi i ZRRE përbëhet nga tre burra e dy gra: Ymer Fejzullahu (kryesues) dhe anëtarët – Lutfije Dervishi, Gani Buçaj, Arta Qorolli Isufi, Adnan Preniqi.

Në këtë buxhet nuk janë përfshirë bizneset të cilat do të kalojnë në treg të lirë dhe nuk do të rregullohen më nga ZRRE. Ndërsa KESCO kishte bërë kërkesë për të hyra në vlerë 448 milionë euro.

Në këtë mbledhje me shumicë të votave janë aprovuar të hyrat e lejuara maksimale për Operatorin e Sistemit Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) në vlerë 101,800 euro.

Të hyrat e lejuara maksimale për KEDS-in të miratuara në mbledhje janë 180 milionë euro derisa propozimi ka qenë 214 milionë euro.

Ndërsa, në ora 12:00 u mbajt një protestë në kryeqytet nga qytetarët të cilët iu bashkuan thirrjes së iniciativës “Asnjë cent ma shumë”.

Prej kur në publik doli lajmi se mund të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike janë mbajtur disa aksione dhe protesta kundër. Të mërkurën, më 02.04.2025, 12 aktivistë të iniciativës “Asnjë cent më shumë” u arrestuan te zyrat e ZRRE-së. Ata protestuan duke kundërshtuar shtrenjtimin e rrymës.

Ndërsa, të shtunën, më 05.04.2025, në Prishtinë u mbajt një protestë ku u kundërshtua rritja e çmimit të energjisë elektrike.