KEDS gjobitet me 25 mijë euro për përdorim të njehsorëve me afat të skaduar verifikimi

Operatori i sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike, KEDS, është gjobitur me 25 mijë euro nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës (AMK) dhe Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrolleve të realizuara së fundmi janë identifikuar pesë (5) njehsorë elektrikë me afat të skaduar të verifikimit metrologjik, çka ka çuar në shqiptimin e gjobës ndaj operatorit ekonomik.

MINTI dhe AMK theksojnë se aktivitetet e mbikëqyrjes dhe verifikimit të njehsorëve elektrikë në territorin e Republikës së Kosovës do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim të garantimit të matjes së saktë të konsumit të energjisë elektrike, mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve dhe respektimit të standardeve ligjore dhe metrologjike në fuqi.

Reklama e sponzorizuar

MINTI u ka bërë thirrje qytetarëve që posedojnë dëshmi apo dyshime lidhur me funksionimin e njehsorëve elektrikë që t’i adresojnë ankesat dhe informacionet përmes numrit +383 (0) 46 311 000 në Viber, si dhe përmes adresës elektronike [email protected].