“Është e pakuptueshme që një kilogram i mollëve të kushtojë më shumë se një kilogram i bananeve. Por, kështu është. Në tregjet tona të gjelbra, por edhe në shitoret e specializuara të pemëve dhe të perimeve, ka ditë që kilogrami i mollëve kushton më shumë se ai i bananeve”, thotë tregtari prishtinas i mollëve, duke shtuar se “tani, siç po shihet, një kilogram i mollës kushton 1,70 euro, ndërsa i bananeve 1,5 euro, në raste edhe më pak”.
Buletini Ekonomik
“Tri kokrra mollë i pagova saktësisht 1,50 euro, ose secilën nga 50 centë”, i rrëfehet një i moshuar shokut të tij që e priste para hyrjes në shitoren e pemëve dhe të perimeve me qesen me mollë në duar. Ai vazhdom bashkëbisedimin që dëgjohet qartë edhe nga njerëz të tjerë që parakalojnë pranë tyre.
“Një kilogram i mollëve, të cilësisë së mirë në pamje të jashtme, tani kushton 1,70 euro, dhe ky çmim i mollëve sot është thuaja në të gjitha shitoret e pemëve dhe të perimeve të kryeqytetit, por edhe në tregjet e gjelbra. I rash kryq e tërthor qytetit për të gjetur mollë më të lira, por gjithandej sot janë po këto çmime-1,70 euro kilogrami, dje mund të gjindej edhe çmimi 1,60 euro për një kilogram”, thotë i moshuari prishtinas.
Ndërsa, në Tregun kryesor të Prishtinës, ku ka ditë që tregtohen thuaja vetëm dy-tre lloje të mollës, të gjitha nga importi, tregtarët thonë se molla tani është e shtrenjtë edhe në tregun me shumicë dhe ka tendencë të ngritjes së mëtejshme të çmimit.
“Përditë e paguajmë me dhjetëra centë më shumë kilogramin e mollës. Nuk ka mollë vendore fare në tregjet tona, as në ato me shumicë as në ato me pakicë. Ndërsa, mollët e importuara, kryesisht nga Polonia, janë të kushtueshme”, thotë një tregtar që shet edhe mollë ndër pemët e perimet që tregton ai në këtë treg.
Sipas tij, fitimi nga tregtimi i mollëve gjatë këtyre ditëve është minimal, madje jo rrallë tregtarët me pakicë kanë edhe humbje për shkak të shitjes së ulët të mollëve si rrjedhojë e çmimit të lartë dhe dëmtimit të mollëve duke qëndruar stok.
“Derisa pati mollë të pemëtarëve tonë, çmimet kanë qenë më të pranueshme, ndërsa shitja ndjeshëm më e madhe”, thotë një tjetër tregtar. Tani ka mollë, por, sipas tij, çmimi i lartë dikton rënien e shit-blerjes.
“Është e pakuptueshme që një kilogram i mollëve të kushtojë më shumë se një kilogram i bananeve. Por, kështu është. Në tregjet tona të gjelbra, por edhe në shitoret e specializuara të pemëve dhe të perimeve, ka ditë që kilogrami i mollëve kushton më shumë se ai i bananeve”, thotë ai, duke shtuar se tani, siç po shihet, një kilogram i mollës kushton 1,70 euro, ndërsa i bananeve 1,50 euro, në raste edhe më pak.
Sipas blerësve dhe tregtarëve të pemëve dhe të perimeve në Prishtinë, çmimet e pemëve qëkur ka nisur stina e pranverës, në tregjet e gjelbra të kryeqytetit, por edhe në ato të qendrave komunale, janë të larta, dhe për pasojë janë bërë thuaja të ‘pa arritshme’ për shtresat e varfra, por edhe për ato të mesme të vendit.
Në tregjet e Kosovës (tregjet e gjelbra dhe market e supermarkete, ku më së shumti bëhet tregtimi i produkteve bujqësore) aktualisht çmimet e thuaja shumicës së pemëve, shumica e të cilave janë nga importi, janë ekstremisht të larta dhe këto çmime, praktikisht kanë dominuar përgjatë tërë muajit maj, por edhe gjatë prillit dhe marsit. Me këtë rast as që po e trajtojmë çmimin e frikshëm të lartë të qershive që këto ditë u pasqyrua në shumë medie të vendit. Çmimi 9,10 euro e përtej për një kilogram qershi është thjeshtë i paarritshëm për shumicën absolute të kosovarëve. Dhe, për këtë shkak janë të rrallë tregtarët në tregjet e gjelbra, por edhe në shitoret e pemëve dhe të perimeve që këto ditë tregtojnë qershi.
“Nuk ka blerës për to”, thotë tregtari prishtinas. Ai thotë se sivjet ka fare pak qershi të vendit, ose nuk ka fare, por me gjasë edhe në vendet përreth nesh ky vit ka qenë shumë i varfër me qershi, prandaj është ky çmim enorm i lartë dhe i pakapshëm për kosovarët shumicë. Pemët e tjera, si pjeshkët dhe kajsitë, të cilësisë shumë të diskutueshme, dje shiteshin nga 1,50 deri në dy euro kilogrami.
“Nuk ka shitje të pjeshkëve dhe kajsive tani për tani. Janë pa shije’, thotë tregtari prishtinas. Çmimi i kivit është paksa më i pranueshëm. Ky frut sillet nga 1,30 deri në 1,50 euro kilogrami. Sidoqoftë, çmimet e pemëve dhe të produkteve bujqësore në përgjithësi, tashmë kanë kaluar ndjeshëm ato të vitit 2024, që sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), (Indeksit të Çmimeve të Prodhimeve dhe Çmimet në Bujqësi për tremujorin e parë 2025), indeksi i përgjithshëm i prodhimeve bujqësore ka rritje për 2.9 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024″.
Sipas vrojtuesve, në bazë të çmimeve të pemëve, dhe të mollëve në veçanti, dhe trendit të rritjes në vazhdimësi të çmimit të tyre, fare lehtësisht do të lënë nën hije çmimet e rritura të këtyre produkteve në vitet paraprake (në vitet 2020-2024, ngritje enorme çmimesh të produkteve bujqësore të trajtuara nga ASK-ja). /Buletini Ekonomik/











