Sot është duke u mbajtur një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, ku po diskutohet për çmimet dhe faturimin e energjisë elektrike për konsumatorët.
Në këtë seancë ka folur deputetja e Lidhja Demokratike e Kosovës, Janina Ymeri, e cila ka adresuar kritika të ashpra ndaj qeverisë.
Ajo ka akuzuar pushtetin e Lëvizjes Vetëvendosje se ka “gllabëruar” sektorin e energjisë, duke vënë në pikëpyetje menaxhimin dhe pavarësinë e tij.
“Energjia elektrike këtë vit është shtyrë, por nuk do të thotë se nuk rritet. Edhe këtë vit, edhe vitin e kaluar nuk kemi pasur arsye për rritje të çmimit, por ka pasur keqmenaxhim të sektorit elektroenergjetik. Ky pushtet e ka gllabëruar komplet sektorin e energjisë elektrike,” deklaroi Ymeri.
Ajo gjithashtu ngriti shqetësime për, siç tha, përfshirjen e familjarëve në sektor, duke përmendur se në zyrat ku zhvillohet tregtia dhe bëhet bilanci i energjisë ndodhet edhe një familjar i kryeministrit.
Deklaratat e saj vijnë në kohën kur çështja e energjisë dhe faturimit mbetet një nga temat kryesore të debatit publik në vend.









