Situatë e paqëndrueshme elektroenergjetike në Kosovë, vetëm B1 dhe A5 në prodhim

Sot (e martë, 27 maj 2025) në prodhim gjenden vetëm blloku B1 i termocentraleve Kosova B dhe A5-shi i Kosovës A. Prodhimi nga këto dy blloqe të termocentraleve të Kosovës, bashkarisht arrin në rreth 380 megavatë-orë, dhe kjo sasi nuk është e mjaftueshme për të përmbushur nevojat e konsumit të vendit me rrymë. Pjesa e munguar e energjisë elektrike duhet domosdo të importohet.

Buletini Ekonomik

Situata elektroenergjetike në Kosovë vazhdon të jetë e paqëndrueshme, ndërsa kjo gjendje është pasojë e mungesës së energjisë elektrike nga kapacitetet vendore. Sot (e martë, 27 maj 2025) në prodhim gjenden vetëm blloku B1 i termocentraleve Kosova B dhe A5-shi i Kosovës A. Prodhimi nga këto dy blloqe të termocentraleve të Kosovës, bashkarisht arrin në rreth 380 megavatë-orë, sasi kjo që nuk është e mjaftueshme për të përmbushur nevojat e konsumit të vendit me rrymë. Pjesa e munguar e energjisë elektrike duhet domosdo të importohet.

Reklama e sponzorizuar

Gjendja është përkeqësuar edhe më shumë që nga 25 maji, kur, siç ka njoftuar Korporata Energjetike e Kosovës, njësia A3 e termocentralit Kosova A ka ndërprerë prodhimin për shkak të defekteve teknike. Sipas zyrtarëve të KEK-ut, te A3-shi kushtimisht është ndërprerë prodhimi si “pasojë e reagimit të mbrojtjeve elektrike të transformatorit T-3A”.

“Gjatë kontrollit të zbarave 15.75 kV, është konstatuar nevoja për pastrim të izolatorëve, të cilët janë ndotur si pasojë e tymit të grumbulluar në zbara”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.

Zbarat janë shufra të bakrit të cilat i lidhin trafot dhe ndërprerësit në tension të lartë. KEK-u ka njoftuar se sipas vlerësimit, pastrimi i izolatorëve do të zgjasë së paku dy ditë.

“Paralelisht me pastrimin, do të kryhen edhe testimet e tjera të nevojshme teknike para se njësia A3 të rikthehet në funksion”, thuhet tutje në njoftimin e KEK-ut.

Zëdhënësi i KEK-ut, Skender Bucolli, i ka thënë të martën Buletinit Ekonomik se ekipet e mirëmbajtjes po punojnë me intenzitet të shtuar dhe pandërprerë për të sanuar defektin e shkaktuar teknik dhe pritet që më së largu gjatë ditës së nesërme, të mërkurën pra, të rikthehet në prodhim blloku A3.

Ndërkohë, siç është njoftuar po nga KEK-u, për shkak të një sinjalizimi për defekte në ventilatorët e kullës ftohëse, më 11 maj detyrimisht është ndalur prodhimi në njësinë A4 të termocentralit Kosova A. Kjo ndalesë, sipas njoftimit të KEK-ut është bërë “me qëllim të parandalimit të një defekti me përmasa më të mëdha dhe për të mundësuar trajtimin sa më të hershëm të problemit”.

“Ekipet e Termocentralit Kosova A janë në gjendje të plotë gatishmërie dhe do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për identifikimin dhe sanimin e defektit, sapo të krijohen kushtet teknike. Objektivi ynë mbetet rikthimi i njësisë në operim sa më parë që të jetë e mundur”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.

Ndërsa derisa të rikthehet A3-shi, që ka kapacitetin 125-130 megavatë-orë, në procesin e prodhimit janë gjithsej vetëm dy njësi të termocentraleve – B1-shi dhe A5-shi i Kosovës A, të cilat prodhojnë veç e veç 260 megavatë-orë (B2) dhe 125 megavatë (A4). I bie që Kosova nga termocentralet ka rreth 380 megavat-orë, plus diku rreth dhjetëra megavatë-orë nga kapacitetet e prodhimit të energjisë së ripërtëritshme (BRE). Ndërkohë, konsumi i energjisë elektrike në Kosovë këtyre ditëve mesatarisht ka tejkaluar 600 megavatëshin.

Tani, jashtë prodhimit gjenden blloku B2 i Kosovës B (riparimi i detajuar i tij do të zgjasë rreth 6 muaj, ndërsa ka filluar që në ditët e para të muajit prill), dhe A3 e A4-shi i Kosovës A, ose më saktësisht mbi gjysma e blloqeve të termocentraleve të vendit.

Në gjashtë muajt vijues, kushtimisht pra, sado që është periudhë e kohës së ngrohtë dhe e uljes së kërkesave të konsumit rë vendit për energji elektrike, gjithsesi do të vazhdojë shpërputhja e madhe ndërmjet prodhimit të energjisë elektrike në termocentralet e vendit dhe nevojave të konsumit në Kosovë. Sepse, në prodhim në këta gjashtë muajt e ardhshëm do të jenë vetëm B1-shi me kapacitetin e ditur prej 350 megavatësh dhe A3 dhe A5, ose A4, me nga 120-130 megavatë, secili. Njëri bllok nga termocentralet Kosova A, siç dihet, gjithnjë mbetet jashtë funksionit, si rezervë e domosdoshme, në rast të ndonjë defekti, apo avarie të paparashikuar. Do të jetë njëfarë ndihmese edhe sasia e energjisë elektrike e prodhuar nga kapacitetet ekzistuese të energjisë së rinovueshme.

Me fjalë të tjera, edhe pse do të jenë muaj të verës, do të mungojë sasia e nevojshme e rrymës së prodhuar nga kapacitetet vendore, dhe zgjidhja e situatës elektroenergjetike në këta muaj mbetet importi i sasisë së munguar dhe kursimi i domosdoshëm i energjisë nga konsumatorët, gjithnjë aty ku ka mundësi. /Buletini Ekonomik/