Të dhëna të diskutueshme të ASK-së për nivelin e çmimeve të ngritura dhe të inflacionit

Fotografi ilustruese

Rritja e çmimit të kafes, të të gjitha llojeve, nuk është siç ka vlerësuar ASK-ja 16 për qind krahasuar me një vit më parë, por është saktësisht 100 për qind dhe përtej. Sipas tregtarëve me shumicë të kafesë, brenda vitit të fundit (nga prilli i 2024-tës deri në prill të 2025-tës) çmimi i kafes në Kosovë është ngritur 100 për qind dhe më shumë. Edhe çmimi i ngritur i bukës së fundi bëhet i frikshëm kur shihet ngritja enorme e tij. Çka ka konstatuar Autoriteti i Konkurrencës rreth shtrenjtimit të çmimit të bukës?

Mehmet GJATA

Për shkak të lëvizjeve të shpeshta dhe të shpejta të çmimeve (ngritjes enorme të tyre) të shumicës së produkteve dhe shërbimeve në Kosovë, sidomos të produkteve elementare ushqimore, të dhënat statistikore të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), brenda një kohe fare të shkurtër bëhen thuaja se të pavlefshme, të pabesueshme dhe shumë të diskutueshme.

Reklama e sponzorizuar

Të diskutueshme, gjithsesi, janë edhe të dhënat që dalin nga Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit. Sepse, sipas të dhënave të ASK-së, të bëra publike këto ditë, çmimet e konsumit dalin të jenë 3 për qind më të larta në muajin prill krahasuar me prillin e vitit 2024 dhe 0.2 për qind në krahasim me marsin e këtij viti. Në muajin prill (2025), ndër produktet që kanë pësuar rritjen më të ndjeshme të çmimeve janë kafeja, çaji dhe kakaoja – me një mesatare alarmante prej 16 për qind më shumë krahasuar me një vit më parë. Dhe, po sipas të dhënave të ASK-së të muajit mars 2025, inflacioni ishte 0.8 për qind në nivel mujor, dhe 2.9 për qind në nivel vjetor, krahasuar me marsin e vitit të kaluar.

Rritja e çmimeve në periudhat e trajtuara nga ASK-ja, realisht janë shumë më të larta se sa këto që ata i kanë pasqyruar. Rritja e çmimit të kafes, të të gjitha llojeve, nuk është 16 për qind krahasuar me një vit më parë, por është saktësisht 100 për qind dhe përtej. Sipas tregtarëve me shumicë të kafesë, brenda vitit të fundit (nga prilli i 2024-tës deri në prill të 2025-tës) çmimi i kafes në Kosovë është ngritur 100 për qind dhe më shumë.

Pronari i një biznesi të kafes me shumicë (të shumë llojeve të kafes) i ka thënë Buletinit Ekonomik se ka një vit e më shumë që ngritja e çmimit të kafes është bërë për çdo muaj, duke filluar nga 60 centë brenda muajit për një kilogram dhe për të vazhduar deri në 1,5 dhe 1,6 euro në muaj. Në këtë mënyrë, po të llogaritet kjo rritje nga prilli i 2024-tës deri tani në muajin prill të 2025-tës, shihet se çmimi i kafes është ngritur mbi 100 për qind. Sot (biseda është bërë më 1 prill 2025), një kilogram i kafes së kategorisë së mesme nuk mund të gjendet nën 22-25 euro. Ndërsa kilogrami i kafes të vlerësuar si më cilësore siç janë Lavazza, Illy dhe Pavin, tani kushton 26-28 dhe 30 euro kilogrami.

Sot edhe kilogramin e kafes Prince, të kompanisë së njohur kosovare, që vlerësohet te kategoria e mesme e kafes dhe që është shumë popullore në Kosovë, nuk mund ta gjesh nën çmimin 20-22 euro. Para një viti, një kilogram i kafes Prince është tregtuar nga tregtarët me shumicë me 11,99 euro. Prandaj, është i diskutueshëm dhe i paqëndrueshëm vlerësimi i ASK-së se krahasuar me prillin e 2024-tës, çmimi i kafes është ngritur 16 për qind. Është pra, çmim i ngritur shumë më shumë, sikundër që është ngritur disa herë më shumë edhe çmimi i kakaos, që apostrofon ASK-ja.

Janë ngritur në përqindje alarmante dhe fare të pakuptueshme edhe çmimet e shumë produkteve të tjera në këtë periudhë. Buka ta zëm, sidomos pjekurinat e tjera që në dhjetor të 2024-tës në shumë furra të Kosovës kanë pasur ngritje të vërejtshme të çmimit, tani pas rritjes së çmimit të energjisë elektrike për 16,1 për qind, vrulli dhe ngarendja e shumë furrëtarëve në vend është fare i shfrenuar- një kifle e rëndomtë ka shkuar nga 40-50 centë sa kushtonte deri në këto ditë, në 80 centë, që i bie mbi 50 për qind ngritje çmimi. Edhe buka, ajo e rëndomta, e cila ka kushtuar deri tani 50 centë, tani kushton 70 e 80 centë në disa furra te ne.

Ekzistojnë edhe produkte të tjera të panumërta, të cilat krahasuar me një vit më parë, kanë çmime për gjysmë e më shumë më të larta, dhe rrjedhimisht nuk qëndron as e dhëna e ASK-së se në muajin mars 2025, inflacioni ishte 0.8 për qind në nivel mujor, dhe 2.9 për qind në nivel vjetor, krahasuar me marsin e vitit të kaluar. Inflacioni në këta muaj, sidomos pas ngritjes së madhe të çmimeve në prill dhe në maj, është realisht shumë më i madh. Këtë e dëshmojnë të dhënat për çmimet enorme të ngritura të shumë produkteve dhe të shërbimeve.

Një nga opinionistët, që me kompetencë trajton ecuritë e zhvillimeve në sektorin e çmimeve në Kosovë, Shenoll Muharremi, ka vlerësuar këto ditë se asnjëherë në dy dekada çmimet nuk kanë qenë më të larta se sa sot. Ai përmes një shkrimi në Facebook shtoi se edhe gjatë krizës së vitit 2022/2023, kur inflacioni mesatar në disa muaj preku 14%, niveli i përgjithshëm i çmimeve nuk arriti këtë pikë. Sipas tij, disa produkte specifike kanë kaluar rritjen prej 70% e 100% vetëm në katër vitet e fundit.

Të dhëna të tjera, të njohësve të rrethanave të ecurive të çmimeve në vend, por edhe të ASK-së, tregojnë për ngritje të frikshme të çmimeve në muajin prill. Sipas këtyre të dhënave, në prill çmimi i trasnportit është ngritur 13,1 për qind, i pemëve-11,1 për qind, i vajrave dhe yndyrnave po kaq sa e pemëve, çmimi i qumështit, djathit dhe vezëve ka shkuar më lartë 7,9 për qind, perimet 6,9 për qind. Dhe, këto përqindje janë inflacioni real në Kosovë gjatë muajit prill, sepse në këto përqindje dhe përtej tyre ka ngritje çmimesh edhe te shumë mallra të tjera.

Ndër shkaqet e shfrenimit të çmimeve të shumë produkteve është domosdo anarkia e krijuar nga mungesa e stërgjatur (disa mujore) e institucioneve më të rëndësishme të shtetit, kaosi i krijuar nga mosfunksionimi i subjekteve kompetente të ecurive të çmimeve, shfrytëzimi i anarkisë nga tregtarët e pandërgjegjshëm, por edhe prodhuesit që mezi kanë pritur momentumin e krijuar kaotik për çmime të reja të ngritura. Në këtë kategori prodhuesish, gjithsesi hyjnë furrtarët, shumica e tyre, anembanë Kosovës, të cilët, në raste, një kifle tani paturpësisht e tregtojnë edhe me 80 centë. Ndërkohë, në këtë situatë anarkie në vend, Autoriteti i Konkurrencës pas inspektimeve në disa furra në Prishtinë dhe Gjakovë, ka konstatuar se “shtrenjtimi i çmimit të bukës është bërë me marrëveshje dhe me koordinim.

Dhe, ndaj shkelësve të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës (marrëveshje të ndaluara – kartel), pos hetimeve formale, Autoriteti i Konkurrencës po e analizon mundësinë e masës së përkohshme që nënkupton mbylljen e operatorit ekonomik deri në 6 muaj.

“Shteti nuk mund të vendosë se sa kushton një produkt por vepron kur tregtarët e bukës për shembull, në një qytet, vendosin që çmimi për një bukë nga 50 centë të bëhet 60 centë. Shembull për këtë ishte Gjakova para dy javësh. Kjo është konstatuar pas inspektimeve në dy qytete”, e ka konfirmuar për medie Autoriteti i Konkurrencës.

“Pas inspektimeve të zhvilluara, Autoriteti ka identifikuar shkelje të nenit 5 të Ligjit Nr. 08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës (marrëveshje të ndaluara – kartele) nga subjekte të sektorit të bukës në Komunën e Gjakovës dhe atë të Prishtinës. Këto shkelje lidhen me bashkërendimin e çmimeve mes furrtarëve për produkte të ndryshme, çka përbën shkelje ligjore për koordinim të tillë në treg”, ka thënë për TV Dukagjinin – Autoriteti – Konkurrencës.

Autoriteti i Konkurrencës thotë se është duke e analizuar mundësinë e vendosjes së masave të përkohshme sipas Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës. Masat e përkohshme nënkuptojnë mbylljen e operatorit ekonomik deri në 6 muaj. Nën llupën e AKK-së janë mbi 20 produkte ushqimore, përfshirë edhe sektorin e gastronomisë. Sipas Autoritetit të Konkurrencës, arsyetimi kryesor të cilin e kanë dhënë furrtarët por edhe gastronomët për shtrenjtimin e çmimit të bukës dhe kafesë, është shtrenjtimi i çmimit të rrymës. Megjithatë çmimet janë ngritur disa javë para se KEDS-i të nisë faturimin me tarifa të reja. Ndërsa, institucionet e tjera që kanë obligim ndërmarrjen e e masave, veçanërisht kur veprimet e caktuara e çrregullojnë tregun, siç është rasti me ngritjen brutale të çmimeve të shumë produkteve ushqimore, tani për tani kanë punë tjera. Janë totalisht ‘jashtë lojës” inspektorët e tregut, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe institucione të tjera kompetente, të cilëve, në rrethanat e shtetit pa institucione, as që u bie ndër mend për pasojat e shfrenimit të çmimeve. /Buletini Ekonomik/