Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) njofton se ka miratuar plotësimin dhe ndryshimin e Rregullores për Zbatimin e Sistemit Bonus-Malus në sektorin e sigurimeve, lidhur me sigurimin e detyrueshëm ndaj auto-përgjegjësisë, në pajtim me autorizimet ligjore.
Plotësim/ndryshimi i Rregullores për Zbatimin e Sistemit Bonus-Malus ka adresuar çështjen e aplikimit të një shkallë më të ulët të bonusit me rastin e vonesës së regjistrimit të automjetit, e që kërkonte që i siguruari të paguajë prim më të lartë të sigurimit, megjithëse nuk ka pasur aksident të raportuar në trafik.
“Rregullorja e ndryshuar është miratuar në mbledhjen e Bordit të BQK-së të datës 25 qershor 2025, me efekt nga data 4 gusht 2025, për të siguruar kohën e nevojshme për zbatim në aspektin teknik në sistemin informatik që administrohet nga Byroja Kosovare e Sigurimit, në pajtim me kompetencat e ligjore. Rregulloren e rishikuar mund të gjeni në linkun në vijim: https://bqk-kos.org/korniza-ligjore/rregulloret/sigurime/… të web-faqes së BQK-së. Në kuadër të procesit të rishikimit të kësaj rregulloreje është konsideruar edhe komunikimi zyrtar me Avokatin e Popullit”, thuhet në njoftimin e BQK-së.
Në njoftim thuhet se BQK sipas mandatit të saj kushtetues dhe ligjor, mbetet e përkushtuar dhe angazhuar në përmirësimin e vazhdueshëm të kornizës ligjore, në funksion të zbatimit të mandatit të saj, duke përfshirë zhvillimin e një sektori të qëndrueshëm dhe efikas të sigurimeve që siguron mbrojtjen së policëmbajtësve.
Ndryshe për këtë cështje, Buletini Ekonomik ka publikuar një hulumtim në muajin shtator të vitit 2024, ku janë ngritur dyshime për ndërhyrje në rregullore nga grupet e interesit, duke e lidhur marrjen e bonuseve për ngasësit e automjeteve me afatet për regjistrim të veturës, përderisa ligji thotë se kjo e drejtë u takon qytetarëve vetëm nëse nuk kanë kryer aksident në vitin paraprak.
Hulumtimi i plotë:
https://buletiniekonomik.com/2024/09/rregullorja-e-bqk-se-qe-dyshohet-se-fshiu-milionat-e-shofereve-kosovare/









