Paralajmërohet shtrenjtim i biletave të fluturimeve pas 1 janarit

Teksa kanë mbetur edhe rreth 2 muaj prej kur qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza drejt Evropës, në agjencitë e udhëtimit është rritur kërkesa e kosovarëve për rezervimin e biletave.

Disa nga agjencitë kanë pranuar se do të ketë rritje të çmimeve të biletave në muajin e parë të vitit 2024, ndërsa edhe Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ka bërë përgatitjet për një fluks të madh të udhëtimeve.

“Tani për sezonin e dimrit në prag janë skijimet, ndërsa numri i njerëzve që kanë rezervuar është relativisht i lartë. Për momentin oferta është duke u ngritur, sepse të gjitha kompanitë ajrore ose agjencitë turistike janë duke rritur numrin e fluturimeve dhe numrin e paketave turistike. Po ashtu, edhe kërkesa që do të rritet më shumë sesa oferta, fillimisht mund të ketë rritje të çmimeve në muajin e parë, mirëpo besoj se menjëherë do të ulen dhe do të mbesin çmime të përballueshme për të udhëtuar për në Evropë”, ka thënë për rtk

Reklama e sponzorizuar

Bojken Beqiri nga njëra nga agjencitë turistike

Ndërkohë Valentina Gara, zëdhënëse e Aeroportit të Prishtinës “Adem Jashari”, tha se nga 1 janari presin një fluks të madh të udhëtimeve. Ajo tha për Radio Kosovën se aeroporti ka bërë të gjitha përgatitjet, ka investuar në infrastrukturë, ku janë duke zgjeruar terminalin e aeroportit, ndërsa janë shtuar edhe katër hyrje e dalje të reja, e gjithashtu është shtuar edhi numri i personelit në aeroport.