Rikthehet në prodhim blloku A3 i Kosovës A

Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar opinionin publik se njësia A3 e termocentralit “Kosova A”, në të cilën pa planifikuar ishte ndërprerë prodhimi për shkaqe të problemeve teknike, sot, diku rreth orës tetë të paradites, është rikthyer në prodhim.

Rikthimi i njësisë është mundësuar falë reagimit të menjëhershëm dhe angazhimit profesional të stafit të Termocentralit “Kosova A”, të cilët kanë punuar pandërprerë, përfshirë edhe ndërrimin e tretë. Procesi i startimit ka filluar në orët e para të mëngjesit, ndërsa sinkronizimi me rrjetin është realizuar rreth orës 08:00. Aktualisht, njësia A3 është në operim të rregullt dhe gjendja e saj është stabile”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.

Edhe më tutje vazhdojnë punët rreth remontit në bllokun A4 të Kosova A, të cilat kanë nisur më 16 maj 2025 dhe në bllokun A5, në të cilën njësi vazhdon sanimi i defekteve tenike nga 18 qershori 2025, që ishin pasojë e humbjes së ujit në kaldajë.

Reklama e sponzorizuar

Në bllokun A5 është ndalur me qëllim të evitimit të ndonjë avarie të përmasave më të mëdha”, ka thënë KEK-u në njoftimin për opinionin.

Pas rikthimit të njësisë A3 të Kosovës A në operim, nga kapacitetet e KEK-ut në prodhim gjendet njësia B1 e Kosovës B (B2-shi gjendet në riparim më të detajuar gjashtëmujor deri në tetor të këtij viti), që do të thotë se Kosova ‘hë për hë’ ka në disponim diku rreth 380 megavatë-orë energji elektrike nga termocentralet e vendit, ose 260 megavatë nga blloku B1 dhe 120 nga A3-shi. /Buletini Ekonomik/